Zgjedhjet e 7 qershorit erdhën si pasojë e mosmarrëveshjeve për zgjedhjen e presidentit, pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit.
Ato ishin të tretat brenda më pak se një viti e gjysmë - pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe një tjetër palë të parakohshme më 28 dhjetor.
Të parat dështuan të prodhojnë qeveri, ndërsa të dytat, ndonëse i dhanë Lëvizjes Vetëvendosje mbi 51% të votave - shumicën më të madhe në Kosovën e pavarur - nuk siguruan marrëveshje për presidentin, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar numërimin e të gjitha kutive të votimit në nivel vendi për zgjedhjet parlamentare, me rezultatet e fundit që tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje mbetet forca e parë politike në Kosovë.
Sipas të dhënave premliminare të publikuara, janë numëruar 2,498 nga 2,498 kuti votimi, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë 37.05 për qind, me 726,071 votues që kanë shfrytëzuar të drejtën e votës nga gjithsej 1,959,962 qytetarë me të drejtë vote.
Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 299,152 vota ose 42.91 për qind të votave të vlefshme, duke ruajtur epërsinë ndaj partive tjera politike.
Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 147,220 vota ose 21.12 për qind, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 122,575 vota, që përbëjnë 17.58 për qind të votave.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar 49,917 vota ose 7.16 për qind, duke u renditur e katërta.
Lista Serbe ka marrë 43,071 vota ose 6.18 për qind të votave, ndërsa Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) ka fituar 5,337 vota ose 0.77 për qind
Mirëpo, të gjendur në këto rezultate, a krijojnë këto rezultate hapësirë për bashkëpunim mes partive politike, apo vendi mund të përballet me një ngërç institucional?
Zogaj: Rezultati zgjedhor është real përballë situatës joreale jetësore
Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur publicisti Skënder Zogaj.
Publicisti vlerëson se rezultatet politike janë pasojë e propagandës së vazhdueshme dhe e interesave të ngushta partiake, të cilat po e dobësojnë shtetin dhe po e pengojnë Kosovën të zhvillohet si një demokraci e mirëfilltë, edhe shumë vite pas çlirimit.
“Rezultatet janë plotësisht të pritshme, adekuate me logjikën e zhvillimit të ngjarjeve politike në Kosovë dhe shqetësimet drastike që ka vite që është duke i përhapur propaganda e interesave të ngushta politike, e cila nëpërmjet lehtësimeve ekstreme që po i mundëson inteligjenca artificiale digjitale, është duke e shkatërruar substancën shtetërore në formim! Kosova, as pas 26 vitesh, nuk po mund të bëhet shtet i lirë dhe demokratik, edhe pse është çliruar nga pushtimi serb e po mbahet peng nga vetvetja”, u shpreh ai.
Tutje, publicisti shton se rezultati zgjedhor është i pritshëm, por kriza do të vazhdojë sepse partitë politike po synojnë pushtetin më shumë sesa realizimin e premtimeve të tyre.
“Rezultati zgjedhor është real përballë situatës joreale jetësore!
Mendoj që kriza shtetërore do të vazhdojë në të gjitha planet, sepse qëndrimet janë tmerrësisht digresive dhe spekulative! Partitë politike, të gjitha, janë duke kalkuluar pa kursim për marrjen e pushtetit dhe asnjëra nuk ka synim atë që e deklaron”, nënvizoi Zogaj për “Bota sot”.
Gashi: Kosova ka nevojë për më shumë mendim institucional
Ndërsa, njohësi për çështje politike Eduard Gashi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha se fitimi i zgjedhjeve nuk mjafton pa krijimin e një qeverie funksionale dhe se qytetarët presin rezultate konkrete.
“Sipas rezultateve preliminare, Vetëvendosje mbetet partia e parë, por jo fituese në kuptimin e plotë politik. Në një demokraci parlamentare nuk mjafton të dalësh i pari; duhet të krijosh shumicë, institucione dhe qeveri funksionale.
Faktori kryesor është lodhja e qytetarëve nga krizat e vazhdueshme. Kosova nuk ka luksin të luajë politikë pafund. Vendi ka nevojë për zhvillim ekonomik, investime, vende pune, stabilitet institucional dhe marrëdhënie të forta me partnerët ndërkombëtarë. Kur politika kthehet në betejë personale dhe partiake, humbësi i vërtetë nuk është një parti, por populli dhe shteti.
Kurti ka ende mbështetje të madhe, sidomos për shkak të narrativës kundër korrupsionit dhe kundër “klasës së vjetër politike”. Por pas disa viteve pushtet, nuk mjafton më të thuash se të tjerët janë fajtorë. Një kryeministër matet me rezultate: sa investime solli, sa institucione forcoi, sa stabilitet krijoi dhe sa afër e çoi Kosovën me aleatët”, shpjegon analisti.
Duke vazhduar bisedën, njohësi për çështje politike thotë se ekziston rrezik i madh për bllokadë politike, sepse partitë nuk janë të gatshme për kompromise.
Sipas tij, Kosova ka nevojë për dialog dhe bashkëpunim të brendshëm, si dhe për marrëdhënie të mira me partnerët ndërkombëtarë, pasi politika e vazhdueshme e përplasjes mund ta dëmtojë vendin.
“Këto rezultate hapin teorikisht hapësirë për bashkëpunim, por praktikisht rreziku për ngërç institucional është shumë i madh. Problemi i Kosovës është mentaliteti ballkanik i politikës: ose unë, ose askush. Kjo nuk është demokraci e pjekur. Demokracia kërkon kompromis, dialog dhe përgjegjësi.
Nëse Kurti nuk pranon të bëjë kompromise reale dhe nëse opozita mendon vetëm për interesat e veta partiake, Kosova mund të hyjë përsëri në krizë. Zgjedhjet e reja nuk do të ishin zgjidhje, por dëshmi e dështimit të klasës politike.
Kosova është e pavarur nga Serbia, dhe kjo është arritje historike. Por Kosova nuk është shtet i madh ekonomik, ushtarak apo diplomatik. Pa SHBA-në, pa BE-në dhe pa partnerët ndërkombëtarë, Kosova e ka shumë të vështirë të ecë përpara. Prandaj politika e konfrontimit të vazhdueshëm është e rrezikshme”, potencoi analisti.
Në fund, ai përfundon se Kosova duhet të zhvillojë kulturë kompromisi dhe institucione funksionale për të ecur drejt BE-së, sepse përndryshe bllokadat politike dëmtojnë qytetarët dhe zhvillimin e vendit.
“Një shtet që synon BE-në, edhe pse Kosova është ende shumë larg anëtarësimit, duhet të mësojë koordinimin, kompromisin dhe kulturën institucionale. Edhe Gjermania kritikohet dhe korrigjohet nga institucionet evropiane. Në botën moderne nuk ka sovranitet absolut.
Prandaj them qartë: Kosova ka nevojë për më shumë mendim institucional, më shumë kulturë kompromisi dhe më pak politikë emocionale ballkanike. Nuk ka rëndësi kush fiton zgjedhjet nëse vendi mbetet i bllokuar. Në fund humbin qytetarët, ekonomia dhe e ardhmja e Kosovës”, përfundoi njohësi për çështje politike Eduard Gashi për “Bota sot”.