Deklarata e Vjosa Osmanit, e bërë ende pa u certifikuar plotësisht rezultati i zgjedhjeve, hap disa pyetje mbi kohën dhe qëllimin e saj politik. Duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje “nuk ka arsye” ta refuzojë për presidentë, Osmani në mënyrë indirekte pozicionon veten si figurë e pranueshme edhe për një mandat të ri në krye të shtetit.
Ky qëndrim mund të interpretohet si sinjal se vazhdimi në Presidencë mbetet një nga prioritetet e saj kryesore politike. Megjithatë, është gjithashtu e pazakontë që një diskutim i tillë të hapet para përfundimit zyrtar të procesit zgjedhor, duke e bërë deklaratën politikisht të ndjeshme dhe të hapur për interpretime të ndryshme.
E në lidhje me këtë deklaratë të Osmanit, për “Bota sot” foli publicisti Gëzim Mekuli.
Së pari, ai komentoi gjuhën fyese dhe ofenduese gjatë fushatës zgjedhore, veçanërisht atë të Osmanit ndaj Kurtit dhe LVV-së.
“Para se të futemi në analizën e deklaratave konkrete, është e pamundur të mos ndalemi te një fenomen shqetësues që ka infektuar hapësirën tonë publike: degradimi i skajshëm i komunikimit publik nga politika. Rishtazi kemi parë një gjuhë të ashpër, ofenduese, të mbushur me shpifje publike dhe thashetheme, të cilat zonja Vjosa Osmani i ka shigjetuar pandërprerë, e përditë, në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje dhe, posaçërisht drejt Kryeministrit Kurti. Ky lloj (keq)komunikimi publik, i cili ushqehet dhe prodhohet edhe nga një bosht i caktuar mediash dhe analistësh të rreshtuar pas saj «zojës që flet mirë anglisht», tregon për një krizë të thellë të mentalitetit politik. Në vend të debatit të parimeve, kemi parë një retorikë lufte dhe nxitëse që vetëm sa e polarizon popullin tonë”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, Mekuli u fokusua edhe te deklarata e Osmanit dhe pritshmëritë e saj për ta votuar LVV atë si presidente.
Po ashtu, tha se kjo gjë tregon vetëm ambiciet e saj për postin e presidentes dhe se një gjë e tillë, sipas tij një gjë e tillë është jodemokratike dhe shpërfaqë arrogancën e Osmanit.
“Në këtë pikë duhet parë edhe deklarata e saj e fundit, ku ende pa u numëruar mirë votat, ajo del në televizor e thotë se LVV nuk ka arsye t'i refuzojë emrin për presidente! Ky qëndrim i saj tregon qartë se qefi dhe ambicia për të grabitë edhe një mandat të ri në Presidencën e Kosovës mbetet qëllimi i saj i vetëm dhe kryesor politik. Është plotësisht e pazakontë dhe jashtë çdo rregulli demokratik, që në një moment kur rezultati përfundimtar nuk është certifikuar, të flitet me kaq arrogancë për mbështetje presidenciale”.
Gjithashtu, njohësi tregoi edhe shkaqet se nga buron e gjithë sjellja e Osmanit.
Ai vlerëson se, Osmani ka dështuar në zgjedhjet e 7 qershorit, derisa tha se me 17 për qind është e çuditshme të kërkohet më këto shifra posti i presidencës.
“Kjo sjellje e saj buron nga ajo që në shkencat politike njihet si «narcizëm politik» dhe egocentrizëm. Zonja Osmani me fodullëkun e saj, po na sillet sikur ajo të ishte vetë sistemi politik, boshti rreth të cilit rrotullohet shteti, dhe jo thjesht një person që merret me politikë dhe i shërben popullit. Qebesa ky është portreti klasik i karrierizmit ekstrem; kur interesi personal dhe etja për karrige kalon mbi vullnetin e popullit, mbi proceset institucionale dhe mbi vetë partinë si «jabangji» që ajo e «përqafoj».
Nëse populli do ta donte met ë vërtetë atë në krye të Kosovës, ajo do të votohej masovikisht nga populli shqiptar. Por çfarë shohim? LDK ka fituar rreth 17%, ndërsa se sa vota ka fituar personalisht Vjosa, do ta marrim vesh së shpejti, por shenjat janë të qarta. E të kërkosh Presidencën me këto shifra dhe pas asaj gjuhe linçuese e të ulët është vërtet qesharake dhe marre. Më vjen vërtet keq që ndodh kështu me këtë grua, por ky veprim i fundit duket se do të jetë si "gozhda e fundit në arkivolin" e karrierës së saj politike”.
Bazuar në këtë, nuk vlerëson se do LVV do ta mbështesë Osmanin, kjo përshkak të fushatës së saj dhe ambicies për pushtet.
“Sa i përket gjasave që Vetëvendosje ta mbështesë këtë grua, ato janë pothuajse të vockla. Si mund të presësh mbështetje nga një forcë politike në të cilën ke «gjuajt gurë e dru», e ke sulmuar dhe e ke kritikuar egërsisht përgjatë muajve të fundit? Në politikën ndërkombëtare, liderët që humbasin busullën e bashkëpunimit dhe bazohen vetëm tek egërsia personale përfundojnë të izoluar. Merrni shembull figurat politike në demokracitë perëndimore, kur humbasin mbështetjen e bazës ose kur fushata e tyre bazohet vetëm në sulme personale pa peshë elektorale, ata tërhiqen me dinjitet. Ndërsa tek ne shqiptarët, tentohet të bëhet e kundërta: sulmohet partneri potencial dhe pastaj i kërkohet vota”.
Në fund, publicisti kishte një mesazh për lexuesit e “Bota sot”, ku tha se, Osmani e ka humbur respektin publik dhe se dëshira për pushtet prodhon krizë pas krize.
“Të nderuar lexues të gazetës «Bota sot»,
Kjo grua veçse e ka humbur respektin publik. Politika kërkon pajtim, komunikim dinjitoz dhe mbi të gjitha, përulësi para votës së sovranit. Kur këto mungojnë, mbetet vetëm një ambicie që nuk bën gjë tjetër veçse prodhon krizë pas krize.
Konsekuent deri në fund: A thua kjo grua mendon, ëndërron apo fantazon se në botën e gjerë akademike dhe intelektuale të gruas shqiptare, është vetëm kjo e vetmja, e madhja, e mençura dhe e pazëvendësueshmja? Kosova ka gra të jashtëzakonshme, të mençura e dinjitoze, ndaj ky iluzion i madhështisë thjeshtë e vulos fundin e këtij mentaliteti egocentric”, përmbylli Gëzim Mekuli për “Bota sot”.