Tërheqja e LDK-së nga negociatat, Muçiqi: Ja çfarë mund t’i kushtojë Abdixhikut

Politika

Tërheqja e LDK-së nga negociatat, Muçiqi: Ja çfarë mund t’i kushtojë Abdixhikut

Nga: A.M. Më: 14 gusht 2026 Në ora: 20:03
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku në konferencen për media, 13 gusht 2026

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas mbledhjes së grupit parlamentar, ka njoftuar se partia e tij tërhiqet nga çdo kërkesë për pjesëmarrje në qeveri, përfshirë edhe kërkesën për postin e presidentit, duke bërë të ditur se LDK-ja do të qëndrojë në opozitë.

Pas vendimit të LDK-së për t’u tërhequr nga negociatat për bashkëqeverisje, gazetari dhe njohësi i zhvillimeve në vend, Ismail Muçiqi, në një prononcim për “Bota sot” ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend.

“Mendoj se situata aktuale politike, të cilën e kanë krijuar këto parti, nuk ka shumë shpresë se mund të arrihet diçka më shumë nëse vendi shkon në zgjedhje të reja”, ka thënë ai.

Image
Ismail Muçiqi

Sipas tij, LDK-ja ende mund ta përmirësojë imazhin e saj përballë elektoratit, nëse kontribuon në zgjidhjen e ngërçit institucional.

“LDK-ja, nëse më në fund e mban fjalën se do të kontribuojë në zgjedhjen e institucioneve të reja, ka shans që në këtë moment ta përmirësojë imazhin e saj përballë elektoratit të vet dhe më gjerë. Abdixhiku e di mirë se shkuarja në zgjedhje të reja, para së gjithash, do të mund t’i kushtojë atij humbjen e pozitës së kryetarit të LDK-së dhe, njëherësh, të dëmtojë perspektivën e karrierës së tij politike”, ka shtuar ai.

Në fund, Muçiqi ka folur edhe për qëndrimin e LDK-së ndaj zhvillimeve në Kuvend, duke thënë se mospërfshirja e saj në përplasjet politike ka ndikuar në rritjen e imazhit të partisë.

“Në fund, po theksojmë se qëndrimi indiferent, përkatësisht mospërfshirja e LDK-së në ngjarjet që ndodhën në Parlament, të cilat i shkaktuan PDK-ja dhe AAK-ja dhe që po gjykohen e dënohen nga qytetarët e këtij vendi, LDK-së i ka ngritur imazhin, duke treguar përmbajtje dhe pjekuri politike përballë situatës momentale dhe duke kontribuar në stabilitetin politik”, ka përfunduar Muçiqi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat