Analisti Shefqet Avdimetaj e ka vlerësuar si zhvillim pozitiv heqjen e kufizimeve që i kanë mundësuar ish-kryeministrit shqiptar Sali Berisha rikthimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, ky zhvillim nuk është i rëndësishëm vetëm për Berishën, por edhe për Shqipërinë, pasi çdo hap që rikthen një komunikim më normal të politikës shqiptare me partnerin strategjik, SHBA-në, është në interes të vendit.
Avdimetaj thekson se për një kohë të gjatë kryeministri Edi Rama ka përdorur mundësitë politike dhe diplomatike që ka pasur në SHBA dhe jashtë saj për ta izoluar Berishën. Për këtë arsye, ai vlerëson se zhvillimi i fundit ka edhe një dimension politik, por paralajmëron se nuk duhet interpretuar automatikisht si shenjë e rikthimit të Berishës në pushtet.
“Pushteti nuk fitohet në Uashington, fitohet në Shqipëri, përmes besimit të qytetarëve”, shprehet Avdimetaj për ‘Bota sot’, duke nënvizuar se Berisha, nëse synon të ndërtojë një alternativë të besueshme politike, duhet të hapë një kapitull të ri.
Sipas tij, ish-kryeministri duhet të bashkëpunojë me forca të reja, të promovojë kuadro të rinj dhe të krijojë një ekip që do të ishte në gjendje t’i ofronte Shqipërisë një mënyrë tjetër qeverisjeje. Avdimetaj konsideron se vendi nuk ka nevojë vetëm për një rotacion politik, por për një ndryshim të mënyrës së qeverisjes.
“Berisha, nëse dëshiron të ndërtojë një alternativë të besueshme, duhet të hapë një kapitull të ri, të bashkëpunojë me forca të reja, të promovojë kuadro të rinj dhe të krijojë një ekip që të jetë në gjendje t’i japë Shqipërisë një qeverisje ndryshe”, deklaron ai.
Në këtë kuadër, Avdimetaj e sheh vizitën e Berishës në SHBA jo si një rikthim automatik në pushtet, por si një mundësi për një fillim të ri politik. Ai vlerëson se opozita shqiptare duhet të jetë më e hapur, më e re dhe më e aftë për të prodhuar kuadro të reja politike.
Një pjesë të rëndësishme të deklarimit të tij Avdimetaj ia kushton edhe raportit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Ai kërkon një bashkëpunim shumë më të ngushtë ndërmjet institucioneve të të dyja vendeve, duke theksuar se interesat strategjike të Tiranës dhe Prishtinës janë të lidhura dhe nuk mund të mbrohen gjithmonë të ndara.
“Një Shqipëri dhe Kosovë më të koordinuara do të kishin peshë shumë më të madhe në rajon dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare”, shprehet Avdimetaj.
Sipas tij, një koordinim më i madh ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës do të ishte edhe përgjigjja më e mirë ndaj politikave rajonale që synojnë të ndërtojnë ekuilibra në kurriz të interesave shqiptare. Ai vlerëson se sa më të bashkuara dhe të koordinuara të jenë dy vendet, aq më pak hapësirë do të mbetet për interesa dhe agjenda të tjera politike e mediatike që synojnë të ndikojnë në hapësirën shqiptare.
“Sa më të bashkuara dhe të koordinuara të jenë Tirana dhe Prishtina, aq më pak hapësirë do të ketë për binome dhe interesa të tjera politike e mediatike që synojnë të ndikojnë në agjendën shqiptare”, thekson ai.
Në fund, Avdimetaj rikthehet te vizita e Berishës në SHBA, duke argumentuar se ajo nuk duhet parë vetëm si çështje personale apo si paralajmërim i sigurt për rikthimin e tij në pushtet. Për të, rëndësia e këtij zhvillimi qëndron te mundësia për një riorganizim politik dhe për krijimin e një opozite më të aftë.
“Unë nuk do ta shihja vizitën e Berishës në SHBA thjesht si një çështje personale apo si një paralajmërim automatik për rikthimin e tij në pushtet. Do ta shihja si një mundësi për një fillim të ri politik, një opozitë më të hapur, më të re, më të aftë për të prodhuar kuadro dhe, mbi të gjitha, një Shqipëri që bashkëpunon shumë më ngushtë me Kosovën”, përfundon Avdimetaj.
Në këndvështrimin e tij, debati politik nuk duhet të kufizohet vetëm te pyetja se kush do ta marrë pushtetin, por mbi të gjitha te ajo se çfarë ndryshimi do të sjellë ky pushtet për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar.