Ngërçi në Kuvend, kërkohet tejkalimi i krizës institucionale

Politika

Ngërçi në Kuvend, kërkohet tejkalimi i krizës institucionale

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 13 shtator 2026 Në ora: 14:04
Kuvendi i Kosovës

Procesi i konstituimit të institucioneve të Kosovës po shoqërohet me mosmarrëveshje politike mes partive parlamentare, ndërsa zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit dhe procesi për zgjedhjen e presidentit të ri mbeten çështje që kërkojnë marrëveshje politike.

Halilaj: Opozita nuk duhet ta bllokojë funksionimin e Kuvendit

Për situatën e krijuar ka folur për “Bota sot”, anëtari i Lëvizjes Guxo, Gazmend Halilaj, i cili ka kritikuar qasjen e partive opozitare dhe ka vlerësuar se interesat partiake nuk duhet të vendosen mbi funksionimin e institucioneve.

Halilaj ka thënë se Kuvendi nuk duhet të shndërrohet në arenë të pazareve politike, duke kërkuar që vullneti i qytetarëve, i shprehur përmes votës, të respektohet.

“Kuvendi i Kosovës po përballet sërish me bllokadë në procesin e konstituimit, këtë herë për shkak të mosmarrëveshjeve rreth zgjedhjes së nënkryetarëve nga radhët e PDK-së dhe LDK-së. Nga këndvështrimi im, kjo është edhe një dëshmi tjetër se partitë e vjetra politike vazhdojnë ta shohin institucionin e Kuvendit si arenë të pazareve dhe kalkulimeve partiake, në vend se si institucion që duhet të funksionojë në shërbim të qytetarëve”, ka pohuar Halilaj.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje, si subjekt që ka marrë besimin e qytetarëve në zgjedhje, ka përgjegjësi për funksionimin e institucioneve, ndërsa opozita duhet të luajë rolin e saj në mënyrë konstruktive.

“LVV-ja ka dalë nga zgjedhjet me besimin e qytetarëve dhe ka përgjegjësi që ta çojë përpara funksionimin e institucioneve. Përballë kësaj, opozita duhet të sillet si opozitë konstruktive dhe jo të përdorë çdo procedurë institucionale si mjet për bllokim politik. Nuk mund të mbahet peng një shtet i tërë për shkak të ambicieve të disa partive për poste dhe pozita në Kuvend”, ka deklaruar ai.

Halilaj ka theksuar se zgjidhja duhet të kërkohet përmes respektimit të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, duke u bërë thirrje partive politike që të kontribuojnë në funksionalizimin e institucioneve.

 “Kjo situatë nuk është përgjegjësi e qytetarëve dhe nuk duhet të bëhet barrë e tyre. Ata kanë votuar dhe kanë dhënë një mesazh të qartë politik. Vullneti i tyre duhet të respektohet. Si avokat, e them qartë: çdo veprim institucional duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, ndërsa politika duhet të gjejë zgjidhje dhe jo të prodhojë bllokada”, është shprehur Halilaj.

Qarri: Përplasjet politike po e komplikojnë konstituimin e institucioneve

Ndërkohë, për të njëjtën situatë ka folur për “Bota sot”, edhe analisti Gani Qarri, i cili ngërçin aktual e lidh jo vetëm me mosmarrëveshjet për nënkryetarët e Kuvendit, por edhe me çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit.

Qarri ka përmendur qëndrimet e disa figurave të PDK-së dhe LDK-së për mosbashkëpunim me kryeministrin Albin Kurti dhe LVV-në, ndërsa ka kritikuar edhe deklarimet e Listës Serbe lidhur me kandidaturën për nënkryetar të Kuvendit.

“Në fakt papajtueshmëritë për zgjedhjen e presidentit të shtetit dhe deklaratat ekstreme të disa figurave të caktuara të partive opozitare nga PDK e LDK për mosbashkëpunim me kryeministrin Kurti e LVV-në, si dhe deklarata e dorës së zgjatur të Serbisë në Kosovë të ashtuquajturës ‘Listë Serbe’ se propozojnë kandidatin e ‘popullit serb’ për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës, që në mënyrë tejet cinike dhe formë të rëndë provokative, pretendon ‘sovranitetin serb’ mbi shtetin tonë të pavarur, kanë pamundësuar përkohësisht zgjedhjen e nënkryetarëve dhe konstituimin komplet të Kuvendit”, ka shkruar Qarri.

Ai vlerëson se mungesa e një marrëveshjeje për presidentin e ri ka ndikuar edhe në procesin e zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit, duke e komplikuar më tej situatën institucionale.

“Mjerisht Kuvendi i Kosovës po përballet sërish me një ngërç të koklavitur i cili po e komplikon edhe më tepër procesin e konstituimit të legjislaturës së 11-të, pasi që aktualisht, përkundër të gjitha përpjekjeve të kryeministrit Kurti dhe partisë fituese të zgjedhjeve, ende nuk ka pajtim mes segmenteve parlamentare për votimin e presidentit të shtetit dhe për rrjedhojë as të kandidatëve për nënkryetarë”, ka deklaruar ai.

Qarri paralajmëron se zvarritja e procesit mund të ketë pasoja të tjera politike dhe institucionale nëse nuk gjendet një zgjidhje brenda afateve të përcaktuara.

“Nëse vazhdon ngërçi për zgjedhjen e nënkryetarëve, e nuk gjendet një zgjidhje që do ta zhbllokonte procesin e konstituimit të Kuvendit, dhe deri më datën 6 tetor 2026, kur dhe përfundon afati i paraparë kushtetues, nuk gjendet zgjidhje përkatëse për zgjedhjen e presidentit të ri të shtetit, vendi detyrohet të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme, gjë që dëmton rëndë jo vetëm buxhetin por dhe imazhin e shtetit të brishtë të Kosovës”, ka pohuar Qarri.

Në këtë situatë, ai u bën thirrje partive politike që të bashkëpunojnë dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm për tejkalimin e krizës institucionale.

“Në mënyrë që të mos eskalojë edhe më tej ngërçi i krijuar dhe çështja e nënkryetarëve të Kuvendit të mos mbetet e papërmbyllur, të vetëdijshme se para vetes kanë afat të kufizuar kohor, për të gjetur zgjidhjen dhe shmangien e një krize tjetër institucionale, kërkohet që partitë politike të bashkëpunojnë ndërmjet veti, në ndërmarrjen e hapave të nevojshëm kushtetues për konstituimin e Kuvendit e tejkalimin e krizës aktuale politike duke zgjedhur edhe presidentin konsensual për krijimin e institucioneve të qëndrueshme të shtetit dhe ecjen përpara të Republikës së Kosovës”, ka thënë Qarri.

Në fund, Qarri ngre edhe pretendime të tjera lidhur me arsyet që, sipas tij, mund të qëndrojnë pas zvarritjes së procesit. Ai përmend “frikën nga ligji”, inatet partiake dhe veçanërisht frikën nga funksionalizimi i Byrosë për Konfiskimin e Pasurive të Kundërligjshme.

 “Krejt ajo që po e pengon aktualisht pajtimin e segmenteve parlamentare, janë kryekëput ankthi nga ligji, smira personale dhe inatet partiake e grupore, e mbi të gjitha, frika nga Byroja për Konfiskimin e Pasurive të Kundërligjshme, e cila pas krijimit të institucioneve shtetërore, pritet edhe të aktivizohet dhe të fillojë me ndërmarrjen e veprimeve të para, kundër personave përgjegjës”, ka deklaruar Qarri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat