Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u ka bërë thirrje liderëve politikë që të gjejnë një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit, duke paralajmëruar se do të ishte e pafalshme që Kosova të shkojë sërish në zgjedhje.
Por, vetëm pas kësaj thirrjeje, situata është komplikuar edhe më shumë me tërheqjen e Bekim Sejdiut nga kandidatura për president. Sejdiu, i cili ishte pjesë e marrëveshjes politike mes LVV-së dhe LDK-së, hoqi dorë nga gara pasi u bë e qartë se nuk e kishte mbështetjen e nevojshme për t’u zgjedhur në Kuvend, duke lënë të hapur një pikëpyetje të madhe mbi mundësinë e arritjes së një kompromisi të ri politik.
Tërheqja e tij e ka kthyer edhe më fuqishëm në vëmendje përplasjen rreth zgjedhjes së presidentit dhe ka nxjerrë në pah vështirësinë për të siguruar një kandidat që mund të marrë mbështetje të gjerë parlamentare. Në veçanti, qëndrimi i gjashtë deputetëve të LDK-së, të cilët kishin deklaruar se nuk do ta votonin Sejdiun, e komplikoi marrëveshjen e arritur mes Kurtit dhe Lumir Abdixhikut.
Në këtë situatë, thirrja e Kurtit për një zgjidhje politike merr një peshë edhe më të madhe. A ka ende hapësirë për kompromis pas tërheqjes së Sejdiut? A mund të gjendet një kandidat i ri konsensual që do të siguronte votat e nevojshme në Kuvend? Kush duhet ta bëjë hapin e parë dhe a janë partitë politike të gatshme të lëshojnë pe për të shmangur një krizë të re?
Alickaj: Kompromisi politik kërkon maturi, mençuri dhe respekt për shtetin, gjashtë deputetët po e mbajnë Kosovën në bllokadë
Fillimisht, në një prononcim për “Bota sot”, veprimtari shqiptar Agim Alickaj u shpreh se konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë Kurti IV përbëjnë një hap të rëndësishëm për Kosovën, por thekson se mbetet ende e hapur çështja e zgjedhjes së presidentit.
Ai e konsideron tërheqjen e Bekim Sejdiut nga gara një zhvillim që e ka bërë situatën edhe më të vështirë dhe të paparashikueshme.
“Konstituimi i Parlamentit dhe formimi i Qeverisë Kurti 4, të dala nga zgjedhjet e lira të 7 qershorit, paraqesin një hap të rëndësishëm përpara për Kosovën. Megjithatë, mbetet ende i hapur problemi i zgjedhjes së Presidentit. Tërheqja e z. Bekim Sejdiu nga gara e bën situatën edhe më të vështirë dhe më të paparashikueshme. Z. Sejdiu ishte një kandidat i duhur, me integritet personal, aftësi dhe kualifikime të larta profesionale. Lidhja Demokratike e Kosovës, në krye me z. Lumir Abdixhiku dhe e ndihmuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani, në njërën anë, dhe Kryeministri Albin Kurti me ekipin e tij, në anën tjetër, treguan maturi dhe mençuri gjatë bisedimeve të vështira. Ata arritën të bëjnë kompromis në interes të shtetit.”
Alickaj shprehet ashpër ndaj gjashtë deputetëve të LDK-së, të cilët, sipas tij, nuk pranuan ta mbështesin Sejdiun.
“Por kjo nuk i pëlqeu grupit prej gjashtë deputetësh të LDK-së. Të shtyrë nga inatet personale, interesat karrieriste dhe ndikimet e forcave të jashtme që vazhdojnë ta kundërshtojnë politikisht Kryeministrin Kurti, ata bënë të ditur se nuk do ta votojnë z. Sejdiu. Së bashku me PDK-në dhe AAK-në, ata po vazhdojnë ta mbajnë shtetin në bllokadë, me shpresën e kotë se në këtë mënyrë do ta eliminojnë Kryeministrin Kurti nga jeta politike e Kosovës.”
Sipas tij, mungesa e mbështetjes për një kandidat si Sejdiu nuk mund të shpjegohet vetëm përmes dallimeve politike.
“Nëse nuk janë në gjendje ta votojnë një kandidat si Bekim Sejdiu, atëherë sjellja e tyre nuk mund të shpjegohet vetëm me dallime politike. Ajo po shndërrohet në një qëndrim thellësisht antidemokratik dhe të dëmshëm për shtetin. Derisa z. Kurti po tregon gatishmëri për kompromis maksimal, ata nuk po ofrojnë ndonjë zgjidhje alternative dhe nuk po tregojnë gatishmëri për kompromis.”
Alickaj e lidh situatën edhe me mënyrën se si partitë opozitare synojnë të rikthehen në pushtet, duke argumentuar se pushteti, sipas tij, nuk mund të merret përmes përplasjeve politike, por përmes votës së qytetarëve.
“Si nuk po e kuptojnë se e vetmja mënyrë demokratike për ta marrë pushtetin është t'i bindin qytetarët se janë më të mirë se z. Kurti dhe koalicioni i tij – LVV, Guxo, Alternativa dhe PSHDK? A kanë liderët e tyre këshilltarë të denjë, të cilët e duan vendin e tyre mbi interesat personale dhe partiake? Pushteti nuk merret me sharje, ofendime, shpifje, mashtrime, akuza dhe kritika pa bazë. Pushteti fitohet me votën dhe besimin e popullit.”
Më tej, ai paralajmëron se përplasjet politike nuk dëmtojnë vetëm partitë, por edhe shtetin.
“Si nuk po e kuptojnë se me këto sjellje nuk po e dëmtojnë vetëm z. Kurti, por shtetin e tyre, për të cilin në të kaluarën kanë dhënë aq shumë? Si nuk po e kuptojnë se pa një shtet të fortë, as partitë e tyre nuk kanë vlerë dhe nuk ka të ardhme të sigurt për fëmijët e Kosovës?”
Alickaj ngre edhe shqetësimin për ndikimin që, sipas tij, mund të ketë një krizë e re institucionale në raport me Serbinë.
“Serbia raciste dhe hegjemoniste vazhdon të presë çdo dobësi dhe përçarje të brendshme të Kosovës për t'i shfrytëzuar ato kundër shtetit dhe interesave kombëtare shqiptare. Pikërisht për këtë arsye, përgjegjësia politike dhe shtetërore e secilit deputet është sot më e madhe se interesat personale apo partiake.”
Ai e sheh thirrjen e Kurtit si dëshmi të gatishmërisë së tij për të gjetur një zgjidhje dhe për të shmangur zgjedhjet e reja.
“Thirrja e Kryeministrit Kurti drejtuar liderëve politikë që të gjejnë një zgjidhje për zgjedhjen e Presidentit, si dhe paralajmërimi i tij se shkuarja në zgjedhje të tjera të panevojshme dhe të kushtueshme do të ishte e pafalshme, tregojnë qartë gatishmërinë dhe përpjekjet e tij për të dalë nga kjo situatë dhe për të mundësuar funksionimin normal të shtetit.”
Alickaj vlerëson edhe qëndrimin e drejtuesve të LDK-së, por kërkon që partia të shqyrtojë raportin me gjashtë deputetët nëse ata vazhdojnë të kundërshtojnë qëndrimin e saj.
“Të njëjtën përgjegjësi po e tregojnë edhe drejtuesit e LDK-së, të cilët duket se e kanë kuptuar drejt seriozitetin e situatës dhe janë orientuar drejt një rruge më konstruktive të demokracisë dhe shtetndërtimit. Nëse grupi prej gjashtë deputetësh të LDK-së vazhdon me veprime destruktive dhe kundër qëndrimit politik të partisë, atëherë LDK-ja duhet ta shqyrtojë seriozisht raportin e saj me ta. Kjo mund ta dobësojë përkohësisht partinë, por në planin afatgjatë mund ta forcojë dhe ta bëjë një forcë politike serioze dhe konstruktive, për të cilën Kosova ka nevojë.”
Mes tjerash, Alickaj shpreson se Kurti dhe Abdixhiku do të arrijnë të gjejnë një kandidat të ri konsensual, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja.
“Duhet shpresuar se në ditët në vijim Kryeministri Kurti dhe z. Abdixhiku do të arrijnë të gjejnë një kandidat të ri konsensual, me integritet dhe aftësi për t'i kryer me dinjitet detyrat e Presidentit të Republikës së Kosovës, dhe i cili do të marrë mbështetjen e shumicës së nevojshme të deputetëve. Kështu do të evitoheshin zgjedhjet e katërta, krejtësisht të panevojshme dhe pa arsye.
Nëse kjo nuk bëhet e mundur, atëherë vendimi do të kalojë përsëri në duart e popullit. Përgjegjësia për bllokimin e shtetit tashmë po bëhet gjithnjë e më e qartë. PDK-ja, AAK-ja dhe deputetët sabotues nga radhët e LDK-së mund të përballen kësaj radhe me një ndëshkim të rëndë nga vota e qytetarëve.
Alickaj parashikon edhe pasoja konkrete për partitë politike.
“PDK-ja rrezikon të përçahet dhe të zvogëlohet në mënyrë të konsiderueshme; AAK-ja rrezikon të bjerë nën pragun zgjedhor, ndërsa grupi joparimor brenda LDK-së mund të përfundojë në margjinat e jetës politike.”
Dhe në fund ai e përmbledh qëndrimin e tij duke e cilësuar kompromisin politik si domosdoshmëri shtetërore.
“E vetmja rrugëdalje për ta është të ndryshojnë, të reflektojnë dhe ta mundësojnë funksionimin e shtetit duke kontribuar në zgjedhjen e Presidentit. Më mirë vonë se kurrë.
Kosova ka nevojë për parti të forta dhe konstruktive, të cilat konkurrojnë me ide, programe dhe rezultate, por bashkohen kur është në pyetje funksionimi i shtetit. Kompromisi politik nuk është dobësi. Kur bëhet në interes të vendit, ai është shenjë maturie, mençurie dhe përgjegjësie shtetërore.
Zoti e ruajt Kosovën dhe kombin shqiptar nga njerëzit e këqij brenda radhëve të veta!”
Jakupi: Kurti duhet ta bëjë hapin e parë, por përgjegjësia nuk është vetëm e tij
Ndërkaq, njohësi i zhvillimeve politike Zejnulla Jakupi thotë se thirrja e Kurtit duhet parë në dy plane, atë institucional dhe politik.
“Thirrja e Albin Kurtit për zgjedhjen e presidentit duhet parë në dy plane: në planin institucional dhe në planin politik. Në planin institucional, Kosova sapo ka dalë nga një periudhë shumë e gjatë bllokade dhe ka arritur të konstituojë Kuvendin dhe të formojë qeverinë e re. Në këtë pikë, dështimi për të zgjedhur presidentin do ta kthente vendin sërish në një cikël krize dhe zgjedhjesh. Kurti vetë e ka lidhur këtë rrezik me faktin se zgjedhjet e përsëritura kanë penguar funksionimin normal të institucioneve.”
Jakupi vlerëson se thirrja e Kurtit është edhe një përpjekje për ta zhvendosur përgjegjësinë e një krize të mundshme të re te të gjitha partitë politike.
“Në planin politik, thirrja e Kurtit është edhe një apel, por edhe një lëvizje për ta zhvendosur përgjegjësinë nga një krizë e mundshme e re te të gjitha partitë politike. LVV ka 53 deputetë, ndërsa LDK ka 18. Marrëveshja e arritur mes Kurtit dhe Lumir Abdixhikut për kandidaturën e Bekim Sejdiut tregoi se hapësira për kompromis ekziston, por tregoi edhe problemin kryesor: një marrëveshje mes liderëve nuk mjafton nëse nuk shndërrohet në mbështetje reale në Kuvend. Gjashtë deputetë të LDK-së kishin deklaruar se nuk do ta mbështesnin Sejdiun dhe kjo e bëri të pamundur arritjen e pragut të nevojshëm.”
Ai thekson se hapësira për marrëveshje ende ekziston, por tash është më e ngushtë.
“Pra, a ka ende hapësirë për marrëveshje? Po, por hapësira është dukshëm më e ngushtë pas tërheqjes së Sejdiut. Në fakt, tërheqja e tij është një sinjal se problemi nuk ishte vetëm gjetja e një emri, por mungesa e një konsensusi politik dhe disipline brenda partive. Tani nevojitet një proces i ri, me një kandidat që të mos jetë thjesht kandidat i LVV-së apo i një marrëveshjeje dypalëshe, por të mund të marrë mbështetje më të gjerë parlamentare. Vetë Sejdiu u tërhoq pikërisht duke argumentuar se nuk kishte mbështetjen e nevojshme dhe se procesi ishte futur në përplasje politike.”
Për Jakupin, përgjegjësia e parë duhet të jetë e forcës më të madhe parlamentare.
“Për mua, hapi i parë duhet të bëhet nga forca më e madhe parlamentare dhe nga kryeministri Albin Kurti. LVV ka 53 deputetë dhe qeverinë në dorë, prandaj ka përgjegjësi më të madhe për të ofruar një formulë kompromisi. Por kjo nuk do të thotë se përgjegjësia është vetëm e Kurtit. LDK duhet të jetë në gjendje t'i mbledhë deputetët e saj rreth një marrëveshjeje, ndërsa PDK dhe AAK duhet të tregojnë nëse janë realisht të interesuara për një zgjidhje institucionale apo nëse zgjedhjet e reja mbeten alternativa e tyre politike. Në një situatë kaq të polarizuar, kompromisi nuk mund të funksionojë nëse vetëm njëra palë lëshon pe.”
Jakupi e sheh si real rrezikun e zgjedhjeve të reja dhe propozon që palët të kërkojnë një kandidat që mund të marrë mbështetje më të gjerë parlamentare.
“Sa i përket zgjedhjeve të reja, këtu rreziku është real. Për zgjedhjen e presidentit nevojitet një shumicë prej dy të tretash në dy raundet e para, pra 80 vota në Kuvendin prej 120 deputetësh; nëse procesi dështon edhe në raundin e tretë, mekanizmi kushtetues çon drejt shpërndarjes së Kuvendit dhe zgjedhjeve të reja. Kjo është arsyeja pse zgjedhja e presidentit nuk është thjesht një çështje simbolike, por një pikë që mund të përcaktojë nëse Kosova do të vazhdojë me institucionet aktuale apo do të hyjë sërish në krizë elektorale.”
Më tej, ai përmend disa emra që mund të diskutohen si kandidatë të mundshëm.
“Mendoj se një nga rrugët reale për ta shmangur një tjetër krizë institucionale është që LDK-ja të propozojë një figurë që mund të votohet jo vetëm nga deputetët e saj, por edhe nga partitë e tjera opozitare. Në këtë kuadër, emrat e Lumir Abdixhikut, Vjosa Osmanit apo Lutfi Hazirit mund të ishin pjesë e një diskutimi serioz politik.”
Jakupi e veçon edhe Vjosa Osmanin si një figurë që, sipas tij, mund të ketë potencial për të siguruar mbështetje më të gjerë.
“Nëse synimi është të gjendet një kandidat që mund të marrë 80 vota në Kuvend, atëherë duhet të zgjidhet një figurë që nuk shihet vetëm si kandidat i një marrëveshjeje LVV–LDK, por si një kandidat që mund të pranohet më gjerësisht nga spektri politik. Pikërisht këtu Vjosa Osmani mund të ketë një avantazh të veçantë, pasi ka qenë presidente e Kosovës dhe në të kaluarën ka arritur të marrë mbështetje përtej një grupimi të vetëm politik.”
Në fund, Jakupi thotë se dështimi i procesit duhet të hapë edhe debatin për ndryshimin e rregullave kushtetuese.
“E nëse edhe kësaj radhe dështon zgjedhja e presidentit dhe vendi detyrohet të shkojë sërish në zgjedhje, atëherë nuk mjafton më që partitë të fajësojnë njëra-tjetrën. Duhet të hapet seriozisht debati për ndryshimin e rregullave kushtetuese që e kanë bërë të mundur këtë lloj bllokade institucionale.”
Ai propozon që deputetët të kenë detyrim të jenë të pranishëm gjatë procedurës së zgjedhjes së presidentit.
“Mendoj se një nga ndryshimet që duhet të shqyrtohet është që deputetët të kenë detyrim të qëndrojnë në sallë gjatë procedurës së zgjedhjes së presidentit. Nuk mund të jetë e arsyeshme që një pakicë deputetësh, duke mos marrë pjesë në seancë, ta pamundësojë funksionimin e një institucioni kushtetues dhe, në fund, ta çojë të gjithë vendin në zgjedhje të reja.”
Dhe ai e sqaron edhe më tej propozimin e tij për raundin e tretë.
“Një alternativë tjetër do të ishte që, pas dështimit të dy raundeve të para, në raundin përfundimtar të mjaftonin 61 vota reale për zgjedhjen e presidentit, pa mundësi që mungesa e deputetëve të përdorej si instrument për bllokim. Në fakt, Kushtetuta tashmë e përcakton shumicën prej 61 votash në raundin e tretë; problemi është se interpretimi dhe rregullat e pranisë në sallë mund ta bëjnë këtë shumicë praktikisht të pamjaftueshme për ta përfunduar procesin.”
Në fund, Jakupi thekson se zgjidhja duhet të jetë juridikisht dhe demokratikisht e qartë.
“Pra, jo vetëm ‘61 vota pavarësisht kuorumit’, por ‘61 deputetë të pranishëm janë kuorum për raundin e tretë dhe deputetët kanë detyrim të jenë të pranishëm gjatë votimit’. Kjo është më e pastër juridikisht dhe demokratikisht, sepse nuk krijon idenë se presidenti mund të zgjidhet me 61 vota kur 59 deputetë janë thjesht jashtë sallës.
Dhe kjo është veçanërisht e rëndësishme në kontekstin aktual, sepse Kosova tashmë po përballet me rrezikun e një tjetër zgjedhjeje për shkak të pamundësisë për të zgjedhur presidentin.”