Thirrjet për protesta, paralajmërimet për tensione dhe deklaratat e disa figurave publike se Kosova mund të përballet me pasoja nëse ish-krerët e UÇK-së dënohen nga Gjykata Speciale në Hagë kanë rikthyer debatin për mënyrën se si duhet të reagojë shoqëria ndaj procesit gjyqësor.
Ndërsa në Kosovë është paralajmëruar mobilizim qytetar në prag të vendimit që pritet të shpallet ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, në opinion po shtohen zërat që kërkojnë maturi dhe shmangie të çdo veprimi që mund të perceptohet si presion ndaj drejtësisë.
Analisti politik Milazim Maraj ka reaguar ashpër ndaj thirrjeve për protesta dhe veprime të tjera që, sipas tij, paraqiten si “mbrojtje” e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, duke vlerësuar se presioni nga rruga nuk mund të ndikojë në vendimin e një gjykate.
Maraj ka ngritur paralelen me trazirat e marsit të vitit 2004, duke pyetur nëse Kosova rrezikon të përsërisë një situatë të ngjashme dhe duke argumentuar se pasojat e dhunës së atëhershme ishin të rënda për vendin.
“Pushoni me këtë ‘mbrojtje’! A do të ndodhë përsëri viti 2004? Trazirat e pakuptimta. Trazira që fondet e dedikuara për Kosovën u shpenzuan për të ndrequr shtëpi të kriminelëve, edhe në qoftë se një thark i derrave ju digjet nga protestuesit ‘patriotë’. Çka fituam me ato protesta? Humbëm edhe tetë shqiptarë të tjerë. Humbëm reputacionin që e kishim te ndërkombëtarët. Humbëm edhe vlerësimin se ne luftuam për të mbrojtur familjet dhe tokat tona. Brenda një jave i bëtë kriminelët viktima dhe viktimat kriminelë. Kosova u kthye dhjetë vite prapa, me ‘patriotizmin’ tuaj”, ka deklaruar Maraj.
Maraj ka kritikuar në veçanti deklaratat për armatosjen e popullit dhe paralajmërimet për destabilizim të vendit, duke kërkuar që të sqarohet se cili do të ishte qëllimi i një mobilizimi të tillë.
“Tani ju tentoni të bëni presion gjykatës në Hagë. A keni menduar çka mund të arrihet me këtë presion? Diçka tjetër është që të shfaqet pakënaqësia, por kërcënimet tuaja se do ta kallni Kosovën, se duhet të armatosni popullin, se përfundoi pavarësia e Kosovës – kujt po i shërben? Kosova ka forcat e veta të armatosura, policinë, KFOR-in, FSK-në. Çfarë armësh po kërkoni tash? Çka do të sulmoni? Çka do të mbroni? Ku është objektivi juaj?”, ka thënë ai.
Analisti shtron edhe pyetjen se kujt do t’i shërbente një destabilizim i mundshëm i Kosovës, duke përmendur Serbinë dhe Rusinë si palë që mund të përfitonin nga një situatë e tillë.
“Po nëse po e kallni Kosovën, a do të mërzitet shumë Serbia, apo Rusia? Ju me këto protesta botës i treguat se në Kosovë nuk ka shans minimale të dënohen krimet. Pas dëshmive të dëshmitarëve nga SHBA-ja, që po shfajësonin të akuzuarit, madje për Hashim Thaçin thanë se fare nuk ka qenë në luftë, ju në protesta dëshmoni të kundërtën: ‘Liria ka emër’, ‘Lironi Çlirimtarët’, ‘Do ta kallim Kosovën nëse dënohen’, ‘Nuk do të rishkruhet historia’.”
Maraj vlerëson se një pjesë e retorikës së protestave mund të prodhojë efekt të kundërt me atë që synohet. Sipas tij, në vend që të krijohet bindja se Kosova është e interesuar për drejtësi, shteti ligjor dhe trajtim të drejtë të të akuzuarve, mesazhet kërcënuese mund të forcojnë argumentet e atyre që kanë kërkuar mekanizma ndërkombëtarë për trajtimin e këtyre rasteve.
Ai thekson se Kosova tashmë ka dhënë mbështetje financiare për mbrojtjen juridike të ish-krerëve të UÇK-së, duke e konsideruar këtë si formën e duhur të ndihmës.
“Kosova ka paguar mbrojtjen për të akuzuarit. Kjo ishte ndihma e mirëfilltë, kurse kjo që ju po e bëni është e kundërta. Nga rruga nuk ndikohet në vendimet e gjykatës. Përkundrazi, e keni keqësuar edhe më shumë. Ju arsyetuat që paska qenë e domosdoshme që kjo gjykatë të punojë në Hagë”, ka deklaruar Maraj.
Ai ka ngritur shqetësime edhe për mundësinë e kontrollimit të masës gjatë protestave, duke kërkuar që organizatorët të mbajnë përgjegjësi për çdo pasojë që mund të shkaktohet.
“A ka mundësi të udhëhiqen njerëzit në rrugë? A mund OVL-UÇK ta kontrollojë masën, kush mund të përzihet në këtë masë? Kush do të japë përgjigje për pasojat? Sa për efekte pozitive, as që bëhet fjalë”, ka thënë ai.
Në fund, Maraj u ka bërë thirrje organizatorëve dhe mbështetësve të ish-krerëve të UÇK-së që të heqin dorë nga ajo që e quan “mbrojtje përmes presionit në rrugë” dhe të përdorin mekanizmat institucionalë dhe juridikë.
“Pushoni me këtë mbrojtje, pushoni me këtë përkrahje. Reagimet duhet të bëhen përmes institucioneve legale. Nuk ka kurrfarë efekti presioni nga rruga”, përfundon Maraj.