Eksperti i sigurisë, Fidair Berisha, ka komentuar raportimet se “Kosova po blindohet” në prag të shpalljes së verdiktit për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe të tjerët në Hagë. Ai vlerëson se një formulim i tillë nuk përkon me realitetin dhe se, në një periudhë të ndjeshme, duhet pasur më shumë kujdes me terminologjinë dhe interpretimet që publikohen në media.
Berisha thekson se institucionet kompetente të sigurisë, kur vlerësojnë se nevojiten masa shtesë, veprojnë mbi bazën e informacioneve konkrete dhe vlerësimeve profesionale të rrezikut, duke ndërmarrë masa preventive për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe institucioneve.
“Veprimet e institucioneve kompetente të sigurisë, kur vlerësojnë se nevojiten masa shtesë të sigurisë, natyrisht, duke u bazuar gjithmonë në informacione konkrete dhe vlerësime profesionale të sigurisë, ndërmarrin hapat preventivë në mënyrë që të ofrojnë siguri për qytetarët e vendit”, është shprehur ai.
Sipas Berishës, siguria e qytetarëve dhe institucioneve është përgjegjësi e shtetit dhe, kur ekzistojnë arsye reale për shqetësim, masat parandaluese janë të domosdoshme. Ai thotë se edhe në rastin konkret, masat mund të jenë ndërmarrë për shkak të informacioneve se situata e sigurisë potencialisht mund të rrezikohet.
Megjithatë, ai paralajmëron se përdorimi i shprehjeve si “Kosova po blindohet”, pa argumente dhe fakte konkrete, mund të krijojë një perceptim të panevojshëm të frikës dhe pasigurisë tek qytetarët.
“Përdorimi i shprehjeve si ‘Kosova po blindohet’, pa asnjë argument të vetëm për momentin dhe pa fakte konkrete, mund të krijojë një perceptim të panevojshëm të frikës dhe pasigurisë”, ka deklaruar Berisha.
Në këtë drejtim, ai e sheh si të domosdoshme që institucionet e sigurisë të jenë transparente, ndërsa mediat të bazohen në informacione të konfirmuara nga institucionet përgjegjëse. Berisha paralajmëron se informacionet e pakonfirmuara, veçanërisht në një periudhë të ndjeshme, mund të shfrytëzohen për rritjen e tensioneve dhe për të ndikuar në perceptimin e publikut.
“Mendoj se informacionet e pakonfirmuara, veçanërisht në një periudhë të tanishme kaq të ndjeshme, mund të shfrytëzohen për të rritur tensionet, për të ndikuar në perceptimin e publikut ose për të krijuar ndjenjën se vendi është në prag të ndonjë destabilizimi, gjë që fare nuk i shkon për shtati Kosovës”, ka thënë ai.
Në fund, Berisha u bën thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të respektojnë institucionet dhe vendimet e tyre, ndërsa masat e sigurisë duhet të jenë proporcionale, profesionale dhe të bazuara në vlerësime reale të rrezikut.
“Mesazhi im do të ishte i qartë: të ruhet qetësia, të respektohen institucionet dhe vendimet e saj, ndërsa çdo masë sigurie të jetë proporcionale, profesionale dhe e bazuar në vlerësime reale të rrezikut. Kosova ka nevojë për përgjegjshmëri institucionale dhe informim të saktë, jo për panik apo spekulime”, ka përfunduar Berisha.