Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pretenduar se protestat kundër qeverisë së tij mund të mos jenë vetëm pasojë e pakënaqësive të studentëve dhe qytetarëve, por edhe rezultat i ndërhyrjeve të jashtme.
Duke iu referuar një droni me eksploziv që, sipas tij, kishte për cak Kryeministrinë, Rama ka folur për një “dorë të huaj”, duke ngritur dyshime për ndikime të jashtme në zhvillimet e fundit.
Profesori Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, ka kritikuar retorikën e kryeministrit Edi Rama, i cili sipas tij, vazhdimisht i ka lidhur protestat kundër qeverisë me ndërhyrje të huaja.
Bytyçi vlerëson se pakënaqësia është thelluar, veçanërisht te studentët, ndërsa protestat e ditëve të fundit i cilëson si revoltë ndaj qeverisë.
“Që kur kanë filluar protestat kundër Edi Ramës në fillim të qershorit, kryeministri i Shqipërisë ato i ka cilësuar si pasojë e një dore të huaj, e ndërhyrjeve nga jashtë. Fillimisht akuzoi grekët, të cilët sipas tij, po ndërhynin dhe nxisnin protestën e flamingove. Indicia ishte fakti se mediet greke shkruan të parat për “Revolucionin e Flamingove” kundër qeverisë shqiptare. Por u tërhoq nga akuza për grekët, sepse dikush, një aleat i Ramës, duke qenë edhe aleat i Greqisë, i tërhoqi vëmendjen. Më pas thane se prapa këtyre protestave qëndrojnë iranianët. Dhe me këtë rast Rama donte që të shfrytëzonte këtë akuzë me ndërhyrje iranianë me qëllim që të rreshtohej në krah të luftës SHBA-Izrael kundër Iranit. Nuk i eci kjo dhe heshti për disa kohë.
Sot është dita e shtatë e revoltës. Kjo që po ndodh këtë javë nuk është më protestë. Është revoltë, sepse qeveria dhe kryeministri nuk pranuan të dëgjojnë thirrjet e protestës 135 ditëshe. Revolta ka përfshirë sidomos studentët, të cilët janë të zhgënjyer nga dështimi i protestës studentore të vitit 2018. Prej gjashtë ditësh retorika e Edi Ramës është për atë që ai e quan ndërhyrje të huaj. Madje ministri i Brendshëm reagoi para Ramës dhe tha se “Ne dimë shumë më tepër nga sa po them sot”, kur foli për këtë ndërhyrje. Orkestra e akuzave kundër ndërhyrjes së huaj cazhdon, sepse kjo mënyrë e reagimit mund të ndikojë te të revoltuarit. Po si është e vërteta?”, tha ai.
Bytyçi përjashton mundësinë që Serbia të jetë e përfshirë në protestat kundër Edi Ramës, duke argumentuar se Beogradi nuk ka interes ta rrëzojë kryeministrin shqiptar. Sipas tij, qëndrimet dhe mbështetja e mëparshme e Ramës për nisma rajonale të lidhura me Serbinë e bëjnë të pabesueshme një skenar të tillë.
“Gjithmonë kur Shqipëria është destabilizuar, ka ndodhur që i vetmi vend që ka ndërhyrë të ishte Serbia. Në vitin 1997 ndërhyri edhe Greqia, sepse revolta e atij viti ndezi në jug dhe qarqet verioepirote e shfrytëzuan momentin me shpresën se do të mund të impononin një lloj autonomie të jugut të Shqipërisë. Por dështoi gjithçka e projektuar. Megjithatë Serbia, sipas raportimeve të atij viti në parlamentin e saj, kishte vënë në dispozicion miliona dollarë për destabilizimin e Shqipërisë. Asaj i interesonte më së shumti ky destabilizim, sepse Milosheviçi llogariste që “Një Shqipëri e destabilizuar, do të thoshtë mundësi më shumë për ta nënshtruar Kosovën”! Por dështoi. Në një farë mënyre destabilizimi i vitit 1997 i Shqipërisë u bë burim force në qëndresën eë shqiptarëve në Kosovë.
A po ndërhyn edhe sot Serbia për të mbështetur protestat kundër qeverisë së Edi Ramës?! Duhet të jesh naiv ta mendosh, jo më ta besosh një version të tillë. Siç ka thënë gazetari i FAZ, Martens, Edi Rama është kryeministri më i mirë i Shqipërisë për Serbinë, qysh nga koha e Nikolla Pashiq, pra që prej vitit 1912. Atëherë pse duhet që Beogradi të investojë për të rrëzuar njeriun e tij në krye të ekzekutivit të Tiranës?! Por ka edhe fakte të tjera që e përjashtojnë mundësinë që Serbia të investojë për rrëzimin e qeverisë Rama. Kryeministri i Shqipërisë ka mbështetur në këto 13 vite të gjitha nismat serbe kundër Kosovës. Ka mbështetur krijimin e Jugosllavisë së Re, pastaj ndarjen e Kosovës dhe në fund edhe Open Balkan. Të gjitha këto projekte të rikthimit të Serbisë në Kosovë. Kush tjetër do të kontribuonte më shumë se Edi Rama për planet serbe në Kosovë? Askush. Tjetër! Ne e dimë se më 22 prill 2021 presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, doli në ekranet e TV-së dhe bëri thirrje që në zgjedhjet e 25 prillit të atij viti të votohej për Edi Ramën. Madje paralajmëroi se nëse nuk votohej Rama, atëherë në pushtet do të vinin nacionalistët e Berishës. Unë nuk vërej se ka ndryshuar ndonjë gjë, që sot Serbia të ketë interes të rrëzohet Edi Rama nga pushteti”, vazhdon ai.
Duke vazhduar më tej, Bytyçi, vlerëson se pas protestave në Shqipëri nuk qëndrojnë domosdoshmërisht faktorë të huaj, por pakënaqësitë ndaj qeverisjes së Edi Ramës.
Ai pretendon se kryeministri ka humbur mbështetjen e disa aleatëve për shkak të kalkulimeve politike dhe e konsideron vetë Ramën përgjegjës për krizën dhe revoltën ndaj tij.
“Nëse e përjashtojmë versionin sipas të cilit Serbia paska interes në trazirat në Tiranë e kudo në Shqipëri, atëherë përjashtohet edhe interesi rus për këtë. Megjithatë sot disa medie në Tiranë e kanë interpretuar një deklaratë të Aleksandër Dugin, si mbështetje të Moskës për këto protesta. Unë e lexova atë deklaratë dhe duket thjesht një konstatim i Dugin. Për publikun sqaroj se Aleksandër Dugin është ideologu i kohëve tona për teorinë e “Botës ruse” dhe këshilltar i presidentit rus, Vladimir Putin. Kush është atëherë i interesuar nga jashtë që trazirat në Shqipëri ta shqetësojnë padishahun e saj? Këtë e di më mirë se kushdo vetë Edi Rama. Fakt është se politikat e Ramës në dekadën e fundit kanë bërë mea colpa. Dmth kanë kap një aleat dhe e kanë lëshuar atë për të kapur kundërshtarin e tij, sipas konjukturës, gjithnjë që Rama të gjejë mbështetje për ta vazhduar përjetësisht pushtetin e tij në Shqipëri. Kur tradhton aleatët e partnerët, natyrshëm që do të ketë interes të efektit kundër. Por këta që kanë interes nuk janë kundër Shqipërisë. Janë kundër Edi Ramës. Kam përshtypjen madje se edhe miku më i madh i Edi Ramës, dinastia Soros, është tashmë kundër vetë Edi Ramës. Sepse Rama po përpiqet të kalojë natën në rrethin e ngushtë të Donald Trump. Pra e ka tradhtuar Sorosin për interes të pushtetit të tij. Kësisoj kryeministri Rama i ka bërë kundër tij edhe Sorosin edhe Donald Trump, i cili nuk është budalla të marrë nën sqetull një kameleon që hidhet sa te njëri, te tjetri.
Pra e sigurt është se armiku i Edi Ramës është vetë Edi Rama. Nuk ka nevojë për faktorë të jashtëm që të të bëjnë ta urresh krzeministrin e Shqipërisë. Ai është vetë fytyra e urryer, sepse për 13 vite e ka përdhunuar dhe poshtëruar popullin e tij. Eshtë shndërruar në një diktator, i cili sot bën viktimën” – përfundon ai për gazetën.