Gjatë kësaj jave, Kuvendi i Kosovës miratoi në lexim të dytë Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, me 66 vota për, asnjë kundër dhe shtatë abstenime. Votimi nxori në pah qëndrimet e ndryshme të partive politike, pasi deputetët e Aleancës e mbështetën projektligjin, ata të LDK-së abstenuan, ndërsa shumica e deputetëve të PDK-së nuk morën pjesë në votim.
Miratimi i këtij projektligji konsiderohet një hap i rëndësishëm në forcimin e mekanizmave institucionalë për luftimin e korrupsionit dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Megjithatë, dallimet politike gjatë votimit ngrenë pikëpyetje për sfidat që mund ta shoqërojnë zbatimin e tij në praktikë.
Lidhur me këtë zhvillim, për “Bota sot” ka folur analisti politik Gani Qarri, i cili vlerëson se miratimi i projektligjit është një hap i rëndësishëm drejt luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar ekonomik e institucional.
Megjithatë, ai paralajmëron se zbatimi i tij mund të përballet me pengesa politike dhe juridike, duke theksuar se pa një reformë të thellë të sistemit të drejtësisë dhe zbatimin e VETTING-ut nuk mund të garantohet efektiviteti i Byrosë.
Sipas tij, projektligji ka kaluar nëpër një proces të gjatë dhe të vështirë, të shoqëruar me kundërshtime politike dhe shqyrtime kushtetuese, ndërsa dallimet e shfaqura gjatë votimit dëshmojnë përçarjet ndërmjet partive opozitare.
“Pikërisht për shkak të qëndrimeve të ndryshme dhe kundërshtimeve, me dhe pa arsye të partive politike opozitare, Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është sfiduar ashpër dhe në mënyra nga më të ndryshmet, ku përveç shqyrtimit institucional e juridik për vlerësimin rrënjësor kushtetues, i është dashur të rrugëtojë edhe nëpër një labirint të pafund të diskutimit të ashpër publik të cilat kanë sjellë dy aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese dhe vetëm pas kalimit me suksese, të gjithë kësaj odisejade disavjeçare, është bërë i mundur edhe miratimi në lexim të dytë të këtij Projektligji në Kuvendin e Republikës së Kosovës.”, shprehet Qarri.
Ai thekson se miratimi i projektligjit, me 66 vota për, asnjë kundër dhe shtatë abstenime, përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të mekanizmave institucionalë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
“Miratimi me 66 vota për, asnjë kundër dhe 7 abstenime, në Kuvend i Projektligjit për Byronë Shtetërore i cili përcakton qartë kompetencat e kësaj Byroje për themelimin, organizimin, si dhe procedurat për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, ka shënuar hapin më të rëndësishëm edhe për forcimin e mekanizmave institucionalë dhe ka mundësuar fillimin praktik të Procedurës së Verifikimit për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, luftimin me sukses në terren dhe trajtimin e papenguar ligjor të pasurisë së pajustifikueshme, të grumbulluar përmes korrupsionit dhe krimit të organizuar politik, ekonomik dhe institucional në gjithë vendin tonë”, deklaron ai.
Duke komentuar qëndrimet e partive politike gjatë votimit, Qarri vlerëson se dallimet ndërmjet tyre nxorën në pah mungesën e unitetit opozitar. Ai përmend edhe amendamentet e propozuara nga PDK-ja gjatë shqyrtimit të projektligjit, duke e lidhur qëndrimin e partive me ndasitë politike dhe debatet rreth zbatimit të tij.
“Përkundër përpjekjeve të gjata për ndërtimin sa më përmbajtjesor të Projektligjit për Byronë Shtetërore të Verifikimit dhe Konfiskimit të Pasurisë së Kundërligjshme, në mbledhjen e Kuvendit u propozuan edhe 24 amendamente nga ana e PDK-së, një prej të cilëve kaloi miratimin parlamentar, akt i cili marrë parasysh përçarjet e thelluara aktuale ndërmjet partive opozitare, duket se bëri që të mos votonin të gjitha partitë pro, ndërsa dallimi në votime nxori serish hapur në pah qëndrimet e ndryshme të segmenteve politike, ku derisa deputetët e Aleancës e mbështetën projektligjin, ata të LDK-së abstenuan ndërsa shumica e deputetëve të PDK-së, udhëheqja e të cilës mendohet se mund të jetë më e prekura nga Projektligji i miratuar, nuk morën fare pjesë, në votim”, thekson Qarri.
Sipas analistit, këto dallime ngrenë pikëpyetje jo vetëm për raportet ndërmjet partive politike, por edhe për gatishmërinë e tyre për të mbështetur zbatimin e plotë të ligjit dhe konfiskimin e pasurive të konstatuara si të pajustifikueshme.
“Dallimet jo rastësore partiake, ngrenë pikëpyetje të reja, të konsiderueshme, jo vetëm mbi dallimet e segmenteve politike por dhe mbi qëndrimet e ndryshme të tyre për zbatimin në plotëni dhe pa probleme të vet procedurës për Konfiskimin e Pasurive të Pajustifikueshme, si dhe jetësimin rigoroz e të suksesshëm në terren, të luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar, përgjatë akteve të konfiskimit të Pasurive të Kundërligjshme, të konstatuara edhe zyrtarisht, pa probleme juridike dhe pa përplasje të forta politike, duke zënë shkas pikërisht në zbatimi praktik në terren të këtij Projektligji.
Sado që miratimi i Projektligjit në Kuvend është shumë i rëndësishëm për luftën pa pengesa dhe me sukses kundër korrupsionit dhe konfiskimin e pasurive të pajustifikueshme, të grumbulluara përmes krimit të organizuar ekonomik, politik dhe të gjitha format e mundshme korruptive e kriminale, mbajtja e qëndrimeve të ndryshme gjatë votimit, të partive politike, pjesëmarrëse në Kuvend, përveç mesazhit jo të mirë publik, vërtetimit të mosunitetit të opozitës dhe shfaqjes së përçarjeve dukshëm më të thelluara së fundi ndërmjet partive opozitare, dallimet e shfaqura rrisin frikën e ngritjes së bllokadave të ndryshme administrative për mosdhënien e informatave të sakta të keqpërdorimeve dhe krijimin e pengesave juridike, deri te organizimi i protestave politike opozitare, për pengim dhe mos efikasitet në masë të plotë të zbatimit të këtij Projektligji nga Byroja për Konfiskimin e Pasurive të Kundërligjshme”, shprehet ai.
Më tej, Qarri paralajmëron se zbatimi i Byrosë mund të përballet me kontestime politike dhe juridike, të cilat, sipas tij, mund ta vështirësojnë arritjen e rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit.
“Pengesat mund të shoqërohen me kontestime dhe obstruksione të ndryshme politike, kundërshtime përmes instruksioneve partiake dhe sfidave gjyqësore, si dhe me përdorimin e mekanizmave juridikë për ta vështirësuar zbatimin e ligjit.
Në kushtet e problemeve që e karakterizojnë sistemin e drejtësisë në Kosovë, këto rreziqe nuk mund të përjashtohen. Për këtë arsye, është e domosdoshme që krahas zbatimit të projektligjit të fillojë edhe reformimi i thellë dhe rrënjësor i të gjitha hallkave dhe niveleve të sistemit gjyqësor e prokurorial në vend”, deklaron Qarri.
Në përfundim, analisti thekson se miratimi i projektligjit, ndonëse përbën një hap të rëndësishëm institucional, nuk mjafton për të garantuar rezultatet e synuara në luftën kundër korrupsionit. Sipas tij, reforma në drejtësi dhe zbatimi i VETTING-ut janë thelbësore për të siguruar që Byroja të funksionojë në mënyrë efektive dhe pa pengesa.
“Pa VETTING-un themeltar të sistemit gjyqësor dhe prokurorial, përkundër miratimit në Kuvend, nuk mund të garantohet as zbatimi praktik dhe i suksesshëm i vetë Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme në Kosovë”, përfundon Gani Qarri për “Bota sot”.