Rasti Arlinda Zekaj, përplasjet politike dhe përgjegjësia institucionale: A duhet të japë llogari edhe Gazmend Muhaxheri?

Politika

Rasti Arlinda Zekaj, përplasjet politike dhe përgjegjësia institucionale: A duhet të japë llogari edhe Gazmend Muhaxheri?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 1 nëntor 2026 Në ora: 10:05
Gazmend Muhaxheri – Fotoilustrim: “Bota Sot”

Vrasja makabre e Arlinda Zekajt në Pejë ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer në vëmendje dështimet institucionale në mbrojtjen e grave që denoncojnë dhunën dhe kërkojnë ndihmë. Rasti ka nxitur protesta në disa qytete të Kosovës, ku qytetarët po kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi për institucionet që, pavarësisht paralajmërimeve, nuk ndërmorën veprimet e nevojshme për ta mbrojtur atë.

Ndërkohë, një deklaratë e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, të mbajtur pas vrasjes së Arlinda Zekajt, u bë shkak për reagime të shumta dhe kërkesa për dorëheqjen e saj dhe të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Pas kritikave, Gërvalla doli me një sqarim, duke theksuar se deklarata e saj kishte qenë kundërpërgjigje ndaj deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj, ndërsa kërkoi që rasti të mos politizohej.

Në këtë situatë, shtrohet çështja nëse vëmendja po zhvendoset nga përgjegjësia konkrete e institucioneve që ishin njoftuar për rastin drejt një përplasjeje politike, si dhe ku duhet të ndalet zinxhiri i përgjegjësisë për dështimin në mbrojtjen e Arlinda Zekajt.

Halilaj: Përgjegjësia duhet mbështetur në fakte dhe pa presion publik apo kalkulime partiake

Avokati Gazmend Halilaj, thotë se Arlinda Zekaj nuk duhet të shndërrohet në instrument të përplasjeve politike.

Sipas tij, përgjegjësia politike nuk mund të përcaktohet përmes presionit publik apo kalkulimeve partiake, por duhet të mbështetet në fakte, në zinxhirin institucional të vendimmarrjes dhe në atë se kush ka pasur detyrim ligjor të veprojë, çfarë ka ditur dhe çfarë ka bërë ose nuk ka bërë.

Image
Gazmend Halilaj

“Një tragjedi kërkon drejtësi, përgjegjësi dhe seriozitet institucional, jo instrumentalizim politik Po e them këtë jo vetëm si qytetar, por edhe si jurist dhe avokat: rasti tragjik i Arlinda Zekajt duhet të na bëjë të reflektojmë thellë për përgjegjësinë institucionale, funksionimin e mekanizmave të sigurisë dhe detyrimin e shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve. Para së gjithash, kemi të bëjmë me një jetë të humbur dhe me një tragjedi njerëzore që meriton drejtësi, respekt dhe trajtim me dinjitet. Arlinda Zekaj nuk duhet të shndërrohet në instrument të përplasjeve politike. Megjithatë, është shqetësuese kur një rast kaq i rëndë shfrytëzohet menjëherë për të kërkuar dorëheqje ministrash, pa u bërë paraprakisht një analizë e qartë e kompetencave, përgjegjësive dhe veprimeve konkrete të institucioneve përkatëse. Përgjegjësia politike nuk mund të përcaktohet përmes presionit publik apo kalkulimeve partiake, por duhet të mbështetet në fakte, në zinxhirin institucional të vendimmarrjes dhe në atë se kush ka pasur detyrim ligjor të veprojë, çfarë ka ditur dhe çfarë ka bërë ose nuk ka bërë”, deklaron Halilaj për “Bota sot”.

Halilaj thotë se përgjegjësit duhet të vlejnë pavarësisht partisë, pozitës apo nivelit të pushtetit.

Ai kërkon që përgjegjësia të kërkohet edhe te kompetencat e komunës dhe kryetarit Gazmend Muhaxheri, duke theksuar se nuk është e drejtë që nuk është e drejtë që përgjegjësia politike të ndërtohet mbi supozime apo të kërkohen dorëheqje vetëm për shkak të përkatësisë në një qeveri të caktuar.

"Si avokat, besoj se parimi i përgjegjësisë individuale dhe institucionale duhet të vlejë për të gjithë, pa dallim partie, pozite apo niveli të pushtetit. Nëse kërkohet përgjegjësi nga institucionet qendrore, atëherë analiza duhet të përfshijë edhe institucionet lokale të Pejës, përfshirë përgjegjësitë që mund të kenë qenë në kompetencën e komunës dhe të kryetarit Gazmend Muhaxheri. Por kjo nuk nënkupton fajësim automatik të askujt. Secili duhet të vlerësohet mbi bazën e kompetencave ligjore, informatave që ka pasur dhe veprimeve konkrete që ka ndërmarrë ose ka dështuar t’i ndërmarrë. Në këtë drejtim, mendoj se duhet të tregohet kujdes i veçantë edhe ndaj ministres Donika Gërvalla. Nuk është e drejtë që përgjegjësia politike të ndërtohet mbi supozime apo të kërkohen dorëheqje vetëm për shkak të përkatësisë në një qeveri të caktuar. Në një shtet demokratik, ministrat duhet të japin llogari për kompetencat dhe veprimet e tyre, por nuk mund të bëhen përgjegjës automatikisht për çdo veprim apo mosveprim operacional të institucioneve që kanë zinxhirë të veçantë profesionalë dhe ligjorë të përgjegjësisë”, shprehet avokati.

Po ashtu, Halilaj ngre edhe çështjen e ndërhyrjes së polici nga ana e ministrave, duke thënë se opozita nuk mund të kërkojë nga njëra anë që ministrat të mos ndërhyjnë në pavarësinë operative të Policisë dhe, nga ana tjetër, t’i fajësojë pse nuk kanë ndërhyrë në raste konkrete.

“Ekziston edhe një çështje tjetër që meriton përgjigje: nëse ministrat do të ndërhynin drejtpërdrejt në punën operative të Policisë para kësaj tragjedie, a nuk do të akuzoheshin nga e njëjta opozitë për ndërhyrje politike në institucionet e sigurisë? Pikërisht këtu duhet të kemi një standard të vetëm. Opozita nuk mund të kërkojë nga njëra anë që ministrat të mos ndërhyjnë në pavarësinë operative të Policisë dhe, nga ana tjetër, t’i fajësojë pse nuk kanë ndërhyrë në raste konkrete. Mbikëqyrja politike, përgjegjësia institucionale dhe pavarësia operative janë koncepte të ndryshme dhe duhet të trajtohen me seriozitet juridik”, thekson ai.

Në fund, avokati thotë se nuk pranon standarde të dyfishta, sipas tij, duhet kërkuar e vërteta dhe llogaridhënie të barabartë dhe drejtësi.

“Dua ta bëj të qartë se përkrahja ime për Lëvizjen Vetëvendosje dhe për Donika Gërvallën nuk nënkupton mbrojtje të verbër politike dhe as shmangie nga llogaridhënia. Përkundrazi, mbështetja për një qeverisje duhet të shoqërohet me kërkesën që drejtësia të jetë e pavarur, institucionet të funksionojnë dhe përgjegjësia të përcaktohet mbi bazën e provave. Por nuk mund të pranoj standarde të dyfishta, ku përgjegjësia kërkohet vetëm nga njëra palë politike, ndërsa institucionet e tjera lihen jashtë çdo analize. Arlinda Zekaj meriton drejtësi, jo shfrytëzim politik. Familja e saj meriton të vërtetën, jo deklarata të kalkuluara partiake. Shteti meriton një hetim serioz dhe transparent, jo një garë se kush do ta kërkojë i pari dorëheqjen e dikujt. Në fund, si jurist, qëndroj te një parim themelor: askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, por askush nuk duhet të shpallet përgjegjës pa u vërtetuar përgjegjësia e tij konkrete. Ky standard duhet të vlejë për ministrat, Policinë, institucionet komunale, drejtuesit lokalë dhe çdo zyrtar publik. Kjo është çështje drejtësie, jo gare politike. Dhe pikërisht për këtë arsye, kërkojmë të vërtetën, llogaridhënie të barabartë dhe drejtësi për Arlinda Zekajn”, përfundon Halilaj.

Mehmeti: Përgjegjësia për vrasjen e Arlinda Zekajt duhet të kërkohet te institucionet që u njoftuan për rastin, jo te ministrat Gërvalla e Sveçla

Ndërsa, opinionisti Gani Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar se kërkesat për dorëheqjen e dy ministrave janë të panevojshme, pasi, sipas tij, ata nuk kanë qenë të përfshirë dhe as nuk kanë pasur informacione paraprake për rastin e Arlinda Zekajt.

Image
Gani Mehmeti

Mehmeti konsideron se përgjegjësia duhet të kërkohet te institucionet që kanë qenë të njoftuara për rrezikun me të cilin përballej viktima, por që nuk kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për ta mbrojtur atë.

Ai ka theksuar se protesta dhe kërkesat për përgjegjësi duhet të orientohen drejt atyre institucioneve që kishin mundësi të parandalonin tragjedinë, duke shtuar se përpjekja për ta zhvendosur debatin te dy ministrat po merr karakter politik.

“Protestuesit do të duhej të drejtoheshin tek ato institucione ku Arlinda Zekaj kishte kërkuar ndihmë dhe të cilat e neglizhuan çështjen, qoftë nga mospuna apo nga mungesa e vullnetit për t’i dalë në ndihmë. Kjo është tepër për keqardhje, sepse kishin mundësi ta ndalonin vrasjen e saj. Ajo u vra në duart e tyre, sepse nuk i dolën në ndihmë”, ka deklaruar Mehmeti.

Sipas tij, përgjegjësia për këtë rast duhet të përcaktohet në bazë të informacioneve që kanë pasur institucionet dhe veprimeve konkrete që kanë ndërmarrë apo kanë dështuar t’i ndërmarrin.

Në këtë kontekst, Mehmeti ka kundërshtuar kërkesat për dorëheqjen e Donika Gërvallës dhe Xhelal Sveçlës, duke argumentuar se asnjëri prej tyre nuk ka qenë pjesë e procesit të trajtimit të rastit dhe se, sipas informacioneve që ai posedon, nuk kanë qenë në dijeni për kërkesat e viktimës.

“Kërkesa për dorëheqjen e ministres Donika Gërvalla dhe ministrit Xhelal Sveçla jo vetëm që është e tepërt dhe e panevojshme, por edhe nuk qëndron, pasi këta nuk kanë qenë pjesë e procesit. Sikur të kishin qenë në dijeni për rastin dhe të kishin mundësi të ndihmonin, por të mos e bënin një gjë të tillë, atëherë do të mund të flitej për përgjegjësi, jo vetëm morale, por edhe për përgjegjësi tjetër. Mirëpo, këta as në dijeni nuk kanë qenë për rastin e Arlindës, aq sa janë informuar ndoshta nga mediat më herët sesa zyrtarisht”, ka thënë ai.

Opinionisti ka vlerësuar se përgjegjësia institucionale duhet të ndiqet përgjatë gjithë zinxhirit të institucioneve që kanë pasur kontakt me rastin, duke përmendur Prokurorinë në Pejë, prokurorët përgjegjës dhe Policinë e Kosovës.

“Zinxhiri i përgjegjësisë politike dhe çfarëdo përgjegjësie tjetër për këtë rast do të duhej të ndalej te ata që kanë qenë të njoftuar. E këta kanë qenë, me sa u pa, duke filluar nga kryeprokurorja e Pejës, e cila ishte e informuar me shkrim përmes kërkesës së Arlindës, prokurorët e tjerë dhe organet e punëve të brendshme në Pejë. Pastaj edhe policët, të cilët nuk e kanë marrë rastin seriozisht për ta mbrojtur Arlindën, ndonëse ajo i kishte paralajmëruar dhe lajmëruar me kohë”, ka deklaruar Mehmeti.

Mehmeti ka ngritur gjithashtu çështjen e përgjegjësisë së institucioneve lokale, duke thënë se edhe kryetari i Komunës së Pejës do të duhej të jepte llogari nëse kishte qenë i informuar për rastin. Megjithatë, sipas tij, nëse nuk ka pasur informacione dhe nuk ka pasur kompetenca për të ndërhyrë, nuk mund të ngarkohet me përgjegjësi pa u vërtetuar një gjë e tillë.

Ai ka theksuar se përcaktimi i përgjegjësisë nuk duhet të bëhet mbi baza politike, por duke analizuar kompetencat, informimin dhe veprimet e secilit institucion.

“Përgjegjësia duhet të përcaktohet vetëm mbi bazën e kompetencave dhe veprimeve konkrete të secilit institucion. Sikur ministrat të ndërhynin në punët e prokurorisë, gjyqësisë apo policisë përpara se të ndodhte kjo tragjedi, do të akuzoheshin nga opozita për ndërhyrje në institucionet e pavarura të sigurisë, siç janë akuzuar edhe më parë”, ka theksuar ai.

Në fund, Mehmeti ka kërkuar që rasti i Arlinda Zekajt të shërbejë si alarm për institucionet e drejtësisë dhe sigurisë, duke nënvizuar se marrja e një detyre publike nënkupton edhe përgjegjësinë për ta ushtruar atë me përkushtim dhe profesionalizëm.

Sipas tij, dështimi për të reaguar në kohën e duhur ka pasur pasoja tragjike, ndërsa institucionet që kishin mundësi ta mbronin viktimën duhet të japin përgjigje për mosveprimin e tyre.

“Nuk mjafton vetëm ta pranosh detyrën, nëse nuk e kryen me nder dhe përkushtim maksimal, në veçanti aty ku kërkohet më së shumti shpëtimi i jetës. Kjo nuk u krye si duhet as nga policia, as nga gjyqësia dhe as nga prokuroria, të cilat, fatkeqësisht, e çuan në varr një grua dhe një nënë”, përmbylli Mehmeti për "Bota sot".

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat