“Muzika në Beograd nuk ndryshon”, analistët i tërheqin vëmendjen Ramës për qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës

Politika

“Muzika në Beograd nuk ndryshon”, analistët i tërheqin vëmendjen Ramës për qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 6 nëntor 2026 Në ora: 14:03
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Samitin e Zgjerimit të organizuar nga Euronews në Bruksel, 3 nëntor 2026.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shprehur skepticizëm lidhur me mundësinë që ndryshimet politike në Serbi të ndikojnë në qëndrimin e Beogradit ndaj Kosovës, duke vlerësuar se edhe forca që doli fituese në zgjedhjet e fundit nuk tregon gatishmëri për njohjen e pavarësisë së saj.

Duke folur në Samitin e Zgjerimit të Euroneës, në Bruksel, Rama theksoi se Lista Studentore, e cila fitoi zgjedhjet e fundit në Serbi, mbetet e palëkundur në qëndrimin kundërshtues ndaj njohjes së Kosovës.

“Janë plotësisht të mbyllur ndaj njohjes së Kosovës, kështu që kjo do të thotë se muzika në Beograd nuk do të ndryshojë”, deklaroi Rama.

Kryeministri shqiptar u ndal edhe te perspektiva evropiane e Serbisë, duke theksuar se vendi duhet të dëshmojë përkushtim ndaj politikave dhe parimeve të Bashkimit Evropian, nëse synon të bëhet pjesë e tij.

Në këtë kontekst, ai kritikoi veçanërisht refuzimin e Beogradit për t'u përafruar me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, duke nënvizuar se integrimi evropian kërkon përmbushjen e detyrimeve dhe jo vetëm deklarimin e vullnetit politik.

“Ne kemi nevojë për Serbinë me ne, si pjesë e një rajoni që duhet të jetë tërësisht pjesë e BE-së. Por Serbia duhet ta meritojë këtë përkatësi, duke përmbushur plotësisht atë që është e panegociueshme”, u shpreh ai.

Ndërkaq, çështja e Kosovës vazhdon të mbetet një nga pengesat kryesore në rrugën e Serbisë drejt integrimit evropian. Brukseli ka kërkuar vazhdimisht normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ndërsa Kosova, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, aplikoi për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022.

Lista Studentore, sikurse shumica e forcave politike në Serbi, vazhdon ta konsiderojë Kosovën si “pjesë të patjetërsueshme të Republikës së Serbisë”, duke kundërshtuar njohjen e pavarësisë së saj.

Njohësit e çështjeve politike, kanë folur rreth deklaratës së Ramës, duke thënë se ai duhet të jetë më i kujdesshëm kur flet për Serbinë, sidomos kur bëhet fjalë për Kosovën.

Sipas tyre, Serbisë nuk duhet t'i tolerohen politikat që pengojnë normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

“Fitorja e studentëve nuk nënkupton ndryshim të qëndrimit të Serbisë ndaj Kosovës”

Image
Zejnullah Jakupi

Së pari, analisti politik, Zejnullah Jakupi në një prononcim për “Bota sot” ka vlerësuar se deklaratat e Ramës duhet të shihen në një kontekst më të gjerë politik dhe rajonal.

Sipas tij, fitorja e studentëve përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm në skenën politike serbe, por nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshim të politikës shtetërore ndaj Kosovës.

“Fitorja e lëvizjes studentore në Serbi është një zhvillim i rëndësishëm, sepse tregon se një pjesë e madhe e shoqërisë serbe kërkon ndryshim politik, luftë kundër korrupsionit dhe institucione më demokratike. Megjithatë, ndryshimi i pushtetit nuk do të thotë automatikisht ndryshim i politikës shtetërore ndaj Kosovës. Në këtë pikë, qëndrimi i Ramës ka një pjesë realiste, por edhe disa problematika që meritojnë kritikë”, ka deklaruar Jakupi.

Ai ka theksuar se fitorja e studentëve nuk duhet ngatërruar me një ndryshim të mendësisë politike serbe ndaj Kosovës, pasi deklarimet dhe programi politik i kësaj lëvizjeje nuk japin ende shenja për një qasje të re.

“Fitorja e studentëve është një fitore e rëndësishme demokratike kundër një sistemi të konsoliduar politik, por nuk duhet ngatërruar me një fitore të mendësisë së re ndaj Kosovës. Në fakt, deklaratat dhe programi politik i lëvizjes fituese nuk japin ende arsye për optimizëm të madh. Përfaqësuesit e saj vazhdojnë ta konsiderojnë Kosovën pjesë të Serbisë dhe kundërshtojnë njohjen e pavarësisë së saj. Prandaj, mesazhi është i qartë: Kosova nuk duhet të presë se ndryshimi politik në Beograd do të sjellë vetvetiu një ndryshim në raportet me Prishtinën. Ajo që duhet të kërkojmë është ndryshimi i veprimeve konkrete të Serbisë, jo thjesht ndryshimi i emrave në institucionet e saj”, është shprehur ai.

Duke komentuar deklaratën e Ramës se Serbia nuk duhet të lejohet të largohet nga rruga evropiane, Jakupi ka shprehur rezerva ndaj kësaj qasjeje, duke thënë se rëndësia strategjike e Serbisë për rajonin nuk duhet të përdoret për të relativizuar përgjegjësinë e saj ndaj Kosovës.

Sipas tij, një Serbi demokratike, stabile dhe e orientuar drejt Bashkimit Evropian është në interes të rajonit, por kjo nuk duhet të nënkuptojë tolerim të politikave të Beogradit ndaj Kosovës.

“Sigurisht që një Serbi demokratike, stabile dhe e orientuar drejt Bashkimit Evropian është në interes të gjithë rajonit. Askush nuk duhet të dëshirojë izolimin e Serbisë apo destabilizimin e saj. Por ekziston një dallim shumë i rëndësishëm ndërmjet dëshirës që Serbia të ecë drejt Evropës dhe tolerimit të politikave të saj ndaj Kosovës. Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e veta. Marrëdhëniet e saj me Rusinë, mosrespektimi i marrëveshjeve me Kosovën dhe pengesat që vazhdon t'i vendosë shtetësisë dhe integrimit ndërkombëtar të Kosovës nuk mund të kalojnë në plan të dytë vetëm sepse Serbia ka rëndësi strategjike për Ballkanin”, ka theksuar Jakupi.

Gjithashtu, ai ka konsideruar shqetësuese vazhdimin e politikës së Beogradit për të ruajtur mbështetjen e Moskës në çështjen e Kosovës, ndërkohë që nuk përafrohet me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian.

“Veçanërisht shqetësuese është vazhdimi i politikës së Beogradit për të ruajtur mbështetjen e Moskës në çështjen e Kosovës, ndërkohë që refuzon të përafrohet me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë. Evropa nuk duhet të jetë një shpërblim për rëndësinë gjeopolitike të Serbisë, por rezultat i respektimit të vlerave, detyrimeve dhe standardeve evropiane. Një Serbi demokratike nuk duhet të ndërtohet mbi mohimin e të drejtave të Kosovës dhe as mbi ambiciet e vjetra nacionaliste”, ka deklaruar analisti.

Sa i përket kushteve që Bashkimi Evropian duhet t'i vendosë Serbisë përpara avancimit të procesit të integrimit, Jakupi ka kërkuar një qasje më konsekuente nga Brukseli, duke theksuar se procesi nuk duhet të mbështetet vetëm në rëndësinë gjeopolitike të Beogradit.

“Bashkimi Evropian duhet të jetë shumë më konsekuent dhe të mos bëjë kompromis me standardet e veta për interesa të përkohshme politike. Serbia nuk duhet të përfitojë nga procesi i integrimit vetëm për shkak të pozitës së saj gjeografike apo rëndësisë strategjike në Ballkan”, ka thënë ai.

Jakupi ka renditur disa prej kushteve që, sipas tij, duhet të jenë vendimtare për Serbinë, duke veçuar zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, ndërprerjen e pengesave ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe respektimin e sovranitetit të saj.

“BE-ja duhet t'i kërkojë Serbisë normalizimin real të marrëdhënieve me Kosovën dhe zbatimin e plotë e pa kushte të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit të vitit 2023. Po ashtu, Serbia duhet të ndërpresë pengesat ndaj Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ashtu siç është zotuar në marrëveshjen e vitit 2023. Një tjetër çështje është përgjegjësia për sulmin në Banjskë. Duhet të ketë hetime dhe përgjegjësi penale për personat e përfshirë në sulmin e 24 shtatorit 2023, përfshirë ata që kanë përgjegjësi organizative dhe politike, sipas provave dhe procedurave ligjore”, ka deklaruar Jakupi.

Ai ka shtuar se Beogradi duhet të ndërpresë ndërhyrjet në Kosovë, të respektojë institucionet e saj dhe të mos financojë struktura paralele jashtë rendit kushtetues, ndërsa një kusht tjetër duhet të jetë përafrimi i politikës së jashtme serbe me atë të Bashkimit Evropian.

“Serbia duhet të dëshmojë se orientimi i saj strategjik është drejt Evropës dhe jo një politikë e dyfishtë ndërmjet Brukselit dhe Moskës. Krahas kësaj, janë të domosdoshme edhe demokracia dhe sundimi i ligjit, reformat në drejtësi, zgjedhjet e lira, lufta kundër korrupsionit, liria e mediave dhe pavarësia e institucioneve. Këto nuk janë kërkesa të tepruara. Janë standarde që duhet t'i plotësojë çdo shtet që pretendon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian”, ka theksuar ai.

Megjithatë, Jakupi ka nënvizuar se edhe Kosova duhet t'i përmbushë obligimet e veta, përfshirë ato që lidhen me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, në përputhje me marrëveshjet dhe Kushtetutën e vendit. Por, sipas tij, këto obligime nuk mund të përdoren si arsye që Serbia t'u shmanget përgjegjësive të saj.

Duke u kthyer te roli i Edi Ramës në raport me zhvillimet në Serbi dhe Kosovë, Jakupi ka thënë se kryeministri shqiptar duhet të jetë më i kujdesshëm në deklaratat e tij, sidomos kur bëhet fjalë për interesat e Kosovës.

“Kritika ndaj Edi Ramës është e ligjshme dhe e nevojshme. Kryeministri shqiptar duhet të jetë shumë më i kujdesshëm kur flet për Serbinë, sidomos kur bëhet fjalë për Kosovën. Shqipëria duhet të jetë një mbështetëse e palëkundur e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Marrëdhëniet e mira me Serbinë janë të rëndësishme, por ato nuk duhet të ndërtohen duke krijuar përshtypjen se interesat e Kosovës janë dytësore. Rama duhet ta kuptojë se roli i Shqipërisë nuk është të jetë ndërmjetëse për t'ia lehtësuar Serbisë rrugën drejt Evropës, por të jetë një partnere e Kosovës dhe një mbështetëse e drejtësisë, paqes dhe stabilitetit në rajon”, është shprehur Jakupi.

Ai ka kritikuar gjithashtu vazhdimësinë e pushtetit politik në Shqipëri, duke thënë se edhe liderët duhet ta kuptojnë se mandati i tyre nuk mund të jetë i përhershëm.

“Edi Rama, përpara se të komentojë lidhur me zhvillimet politike në Serbi, duhet të mendojë edhe për përgjegjësinë e tij politike. Çështja e dorëheqjes është diçka që duhet të vendoset nga qytetarët shqiptarë përmes mekanizmave demokratikë dhe zgjedhjeve. Megjithatë, asnjë kryeministër nuk duhet ta konsiderojë pushtetin si të përhershëm. Shqipëria ka nevojë për një politikë më të qartë, më dinjitoze dhe më të vendosur në mbrojtje të interesave kombëtare shqiptare, pa krijuar përshtypjen se Beogradi meriton më shumë mirëkuptim sesa Prishtina”.

Në fund, Jakupi ka vlerësuar se zhvillimet në Serbi përbëjnë një mesazh për gjithë rajonin, pasi gjeneratat e reja po kërkojnë ndryshim politik, përgjegjësi dhe institucione më demokratike. Megjithatë, ai ka theksuar se ky ndryshim duhet të shoqërohet edhe me një qasje të re ndaj Kosovës.

“Gjeneratat e reja nuk janë të gatshme të pranojnë pafundësisht të njëjtat struktura politike dhe të njëjtën mënyrë qeverisjeje. Studentët serbë fituan zgjedhjet kryesisht mbi platformën e luftës kundër korrupsionit dhe për ndryshimin e institucioneve. Kjo nuk do të thotë se ata kanë ndryshuar qëndrimin e tyre ndaj Kosovës. Për Serbinë, ndryshimi i pushtetit nuk mjafton. Duhet ndryshim i mendësisë politike, respektim i Kosovës dhe përmbushje e detyrimeve ndërkombëtare. Ndërsa për Bashkimin Evropian, nuk duhet të ketë standarde të dyfishta. Serbia duhet ta dëshmojë me vepra se e meriton anëtarësimin, jo vetëm me deklarata”, ka përfunduar Jakupi.

“Serbia duhet t’i dëshmojë me vepra përkushtimin ndaj BE-së dhe normalizimit me Kosovën”

Image
Ali Hertica

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Ali Hertica, ka komentuar deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me fitoren e Listës Studentore në Serbi dhe humbjen e Aleksandar Vuçiqit, duke u ndalur veçanërisht te pritshmëritë për ndryshimin e politikës së Beogradit ndaj Kosovës.

Rama, pas fitores së Listës Studentore, kishte deklaruar se rezultati zgjedhor nuk jep shenja se do të ketë ndryshim në qasjen e Serbisë për çështjen që ai e cilëson si më të dashurën për të, atë të Kosovës.

Lidhur me këtë deklaratë, Hertica për “Bota sot” ka vlerësuar se një ndryshim në skenën politike serbe nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshim të qëndrimeve ndaj Kosovës, pasi deri më tani edhe përfaqësuesit e Listës Studentore nuk kanë dhënë sinjale të qarta për një qasje tjetër.

“Rama ka të drejtë kur vlerëson se fitorja e Listës Studentore nuk tregon domosdoshmërisht ndryshim në raport me Kosovën. Kjo lëvizje deri më tani nuk ka reflektuar një qëndrim të ri për çështjen e njohjes së Kosovës dhe marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Përkundrazi, gjatë fushatës zgjedhore, kandidatët e saj janë shprehur për rishqyrtimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog, rikthimin e çështjes së statusit të Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe marrjen e vendimeve vetëm pas konsultimeve me serbët e Kosovës”, ka deklaruar Hertica.

Duke komentuar edhe pjesën tjetër të deklaratës së Ramës, se Serbia nuk duhet të lejohet të largohet nga projekti evropian, Hertica ka thënë se rëndësia e Serbisë për Ballkanin Perëndimor nuk duhet të shërbejë si arsye për të anashkaluar përgjegjësinë e saj ndaj Kosovës.

Sipas tij, ruajtja e perspektivës evropiane të Serbisë është e rëndësishme për stabilitetin rajonal, por Beogradi duhet të dëshmojë se është i gatshëm të përmbushë detyrimet që dalin nga procesi i integrimit.

“Serbia është një pjesë shumë e rëndësishme e Ballkanit Perëndimor dhe është e rëndësishme që ajo të mos e braktisë projektin evropian, sepse kjo do të kishte pasoja për të gjithë rajonin tonë dhe veçanërisht për Kosovën. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Serbisë duhet t'i tolerohen politikat që pengojnë normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ajo duhet të përmbushë detyrimet e saj përpara se të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian”, është shprehur ai.

Hertica ka theksuar se dy prej çështjeve kryesore ku Serbia duhet të dëshmojë ndryshim janë normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe harmonizimi i politikës së jashtme me atë të Bashkimit Evropian, veçanërisht në raport me Rusinë.

“Kur bëhet fjalë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe qëndrimin ndaj Rusisë, sanksioneve dhe çështjeve të tjera të politikës së jashtme, Serbia ka dëshmuar hezitim. Prandaj, Bashkimi Evropian nuk duhet të mjaftohet me deklarata, por duhet të kërkojë rezultate konkrete nga Beogradi”, ka thënë ai.

Njohësi politik ka vlerësuar gjithashtu se deklarata e Ramës duhet të shoqërohet me një qasje më të vendosur evropiane ndaj Kosovës, duke rikujtuar se aplikimi i saj për anëtarësim në BE vazhdon të mos ketë përparim.

“Është e tmerrshme që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian prej vitesh gjendet në sirtarët e Brukselit dhe Komisioni Evropian ende nuk po e trajton. Askush nuk mund të bindë se, me vullnetin e duhur politik, nuk mund të gjendet një zgjidhje kreative që një shteti si Kosova, të cilin nuk e njohin të gjitha vendet anëtare, t'i mundësohet së paku nisja e procesit të anëtarësimit”, ka deklaruar Hertica për “Bota sot”.

Në përfundim, Hertica ka theksuar se perspektiva evropiane e Serbisë nuk duhet të shkëputet nga detyrimet e saj ndaj Kosovës, ndërsa Bashkimi Evropian duhet të kërkojë zbatimin e plotë të marrëveshjeve dhe respektimin e realitetit shtetëror të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat