GJKKO shkresë ministres së Drejtësisë, kërkon ndryshimin e aktit normativ për OFL-në

Shqipëria

GJKKO shkresë ministres së Drejtësisë, kërkon ndryshimin e aktit normativ për OFL-në

Më: 27 nëntor 2020 Në ora: 12:26
Etilda Gjonaj

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin  e Organizuar, i kërkon ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, që të ndryshojë disa nene të Aktit Normativ për Operacionin Forca e Ligjit, i njohur si OFL, për sekuestrimin e pasurive.

Sipas shkresës që Report tv disponon, gjyqtarët e GJKKO-së, i kërkojnë ministres Etilda Gjonaj që  të gjykojnë masa sekuestro apo konfiskimesh të personazheve që janë dënuar për vepra penale që i kap krimi i Organizuar, pasi shumica e kërkesave që kanë mbërritur në gjykatë për sekuestrim pasurie janë  të dënuar për vepra penale të zakonshme.

Gjyqtarët kanë dalë në përfundim se shumica e kërkesave janë jashtë juridiksionit të GJKKO e SPAK. Ato kërkojnë përfshirjen e prokurorive dhe gjykatave të rretheve në këtë operacion.

Kujtojmë se dy ditë më parë ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka deklaruar se do të ketë një shtyrje të afatit të OFL.

Ai tha se afati i vlefshmërisë së ligjit do të shtyhet, në mënyrë që procedurat të cilat tashmë janë pranë gjykatës të mund të mbyllen.

Operacioni Forca e Ligjit ka nisur që prej shkurtit të këtij viti. Deri tani ende asnjë proces gjyqësor nuk ka përfunduar me konfiskim të pasurisë për llogari të shtetit. Janë rreth 200 kërkesa që ka trajtuar SPAK, nga të cilat ka kërkuar 49 konfiskime por janë ende në proces. Ndoshta me shtyrjen e afatit përtej janarit do të kemi një rezultat të ri ose ky “aksion” i ndërmarrë me shumë bujë thjesht do të përfundojë./a.p

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat