Debati për datën e Çlirimit/ Pollo: 29 apo 28? Pse jo 17 Nëntor?

Shqipëria

Debati për datën e Çlirimit/ Pollo: 29 apo 28? Pse jo 17 Nëntor?

Më: 30 nëntor 2020 Në ora: 17:02
Genc Pollo

Ish deputeti dhe ish ministri Genc Pollo i rikthehet edhe një herë debatit historik se, cila është data e vërtetë e Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazistë, 28 apo 29 Nëntor?

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Pollo shprehet se, ky debat publik e politizimi i tij me pasojë ndrydhje të protokollit shtetëror është pseudoshkencor, parapolitik, i padobishëm e jo fort i denjë.

Më tej Pollo sygjeron që të merret 17 Nëntori, çlirimi i Tiranës, si datë e festimit të çlirimit të vendit pasi sipas tij, kjo është një datë e pakontestueshme nga të gjitha palët.

Genc Pollo: Shoh se ende vijon debati nëse dita e çlirimit të Shqipërisë apo e largimit të të sprasmit ushtar gjerman në nëntor 1944 ka ndodhur në 28 apo në 29 të atij muaji. Prej shumë vitesh kam bindjen se ky debat publik e politizimi i tij me pasojë ndrydhje të protokollit shtetëror është pseudoshkencor, parapolitik, i padobishëm e jo fort i denjë.

Në 30 nëntor 2003, në një artikull në të përditshmen Panorama, e kam arsyetuar këtë bindje duke sugjeruar që 17 nëntori, i pakontestuar si dita e eliminimit e të largimit të trupave të Wehrmacht-it nga kryeqyteti, të pranohej si ditë përkujtimore e çlirimit të vendit në Luftën e Dytë Botërore. Kështu kanë vepruar edhe vende të tjera duke konsideruar simbolizmin e ngjarjes e mbase duke e patur jo të lehtë të gjejnë ushtarin e fundit të një ushtrie në tërheqje përgjatë kufijve kilometrikë.

Sot nga një botim mbi këtë çështje nga Profesore Valentina Duka, mësoj se Manol Konomi, me arsyetim të ngjashëm, i propozoi më 5 nëntor 1945 Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar që dita e çlirimit të ishte 17 nëntori. Propozimi u refuzua dhe studimi dëften se si, prej asaj mbledhjeje, dita e çlirimit u zhvendos gradualisht përmes manipulimeve e fallsifikimeve në 29 nëntor! Që Enver Hoxhës të mos i bënte hije Ismail Q. Vlora!

Dita e Çlirimit duhet njohur e kujtuar; për këtë ka konsensus shoqëror e politik. Edhe pasojat e tmerrshme të regjimit (apo pushtimit) që u vendos njëkohësisht me çlirimin duhen debatuar e trajtuar hapur e duke marrë masat përkatëse. Edhe për këtë kemi konsensus shoqëror e kemi, ose lipset të kemi, konsensus politik.

Do të kisha dashur shumë që orët e debatit mbi këtë datë, sivjet t’i ishin kushtuar nevojave të epidemisë, tërmetit, gjendjes së mjeruar social-ekonomike e kushtetuese si edhe rrugëdaljes që po shfaqet pas disa muajve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat