Ish-deputeti Hasa: SPAK të hetojë çështjen e ndryshimit të adresave të banimit

Shqipëria

Ish-deputeti Hasa: SPAK të hetojë çështjen e ndryshimit të adresave të banimit

Më: 1 dhjetor 2020 Në ora: 14:32
Endri Hasa

Anëtari i kryesisë në Partinë Demokratike, Endri Hasa, i bën thirrje Prokurorisë së Posaçme që të hetojë çështjen e ndryshimit të adresave të qytetarëve.

Duke treguar shembullin konkret të prindërve të tij, duke i ndryshuar në mënyrë të pavullnetshme adresën e banimit babait të tij, Hasa akuzon institucionet shtetërore se janë në kushtet e shkeljes së ligjit. Madje, sipas ishdeputetit Hasa, përveçse këto ndryshime konfuzojnë zgjedhësit dhe mund të luajnë rol në shpërndarjen e mandateve për secilin qark duke hequr apo shtuar banorë në një qark të caktuar, rrezikojnë edhe liberalizimin e vizave.

Partia Demokratike ka denoncuar edhe çështjen e ndryshimit të adresave të banimit të qytetarëve në mënyrë të pavullnetshme, janë marrë masa nga ana e institucioneve përkatëse pas denoncimit tuaj, keni informacion?

PD ka ndjekur dita-ditës këtë shqetësim dhe kemi bërë një kallëzim në SPAK për këtë çështje, për ministrin e Brendshëm, për drejtorin e Gjendjes Civile dhe për drejtorin e regjistrit për ndërhyrjen që është bërë në regjistrin e adresave. Për ndërhyrjen që është bërë në regjistrin e adresave. Është ndryshuar adresa e qindra mijëra shtetasve në mënyrë të pavullnetshme. Qytetarët enden rrugëve, në momentin që duan të marrin një shërbim, u thonë se adresa jote rezulton në një njësi tjetër apo më keq akoma në një bashki tjetër. Ka njerëz që nga Tirana kanë përfunduar në Shkodër, nga Tirana në Korçë dhe po ashtu ka familje që rezultojnë të ndara. Burri rezulton me adresë në një njësi tjetër dhe gruaja në një njësi tjetër.

Çfarë ndikimi kanë këto ndryshimet e adresave, z. Hasa?

Këto ndryshime kanë impakt direkt mbi jetën e qytetarëve sepse qytetarëve i kanë ndryshuar adresën e vendbanimit. Në çdo dokument që marrin nga shteti, qytetarët hasin këtë problematikë, që vendbanimi i tyre del i pasaktë. Kjo e sjell sistemin e adresave në një paligjshmëri të plotë. Sepse ajo që parashikon Kodi Zgjedhor është që qendra e votimit duhet të gjenerohet në bazë të adresës së zgjedhësit. Me të vërtetë gjendja civile mund të thotë se nuk janë prekur qendrat e votimit për momentin, por kjo përbën një paligjshëmri të thellë, sepse qendrat e votimit duhet t’u përgjigjen adresave korrekte të shtetasve në regjistrin e përgjithshëm të gjendjes civile. Shtetasit rezultojnë me dy adresa. Një adresë të banimit dhe një adresë zgjedhore të banimit. Sot, shtetasit që kanë këto probleme, kanë në regjistër dy adresa. Këtu ka paligjshmëri, ka pasur ndërhyrje. Ndërhyrja është bërë gjatë verës së këtij viti dhe ka sjellë këtë kaos. Ne i kemi bërë thirrje Spak-ut të hetojë dhe i kemi bërë thirrje ministrit të Brendshëm dhe drejtorit të Adresave që të heqin dorë nga këto ndërhyrje dhe të rikthejnë shtetasit në vendbanimet e tyre të rregullta dhe zgjedhësit të jenë të qetë e të votojnë atje ku banojnë dhe marrin dokumentet në njësitë bashkiake ku jetojnë.

Këto ndryshime që janë bërë në verë, siç thatë ju, a ndikojnë te procesi i votimit apo më thellë akoma për të ndryshuar shpërndarjen e mandateve?

Aktualisht, qytetarët janë përballur me këtë fakt. Kanë shkuar për të marrë një dokument dhe adresa e tyre është gjeneruar nga sistemet në një bashki tjetër dhe iu është thënë që të shkojnë të marrin shërbimin në bashkinë tjetër. Në radhë të parë, qytetari konfuzohet se ku do të votojë dhe do të duhet të kontrollojë nëse është përfshirë në listën ku ka votuar më herët dhe ku duhet të votojë. Rastet duhen verifikuar pastaj një pas një. Kush shtetas e ka efektivisht adresën aty ku e kishin dhe kush jo. Kjo krijon një amulli dhe konfuzion te zgjedhësit. Unë po ju them një rast konkret të prindërve të mi. Babai im rezulton që i është ndërruar adresa. Ai merr certifikatë familjarë në Njësinë Bashkiake nr. 10, ndërsa mamaja ime në Njësinë Bashkiake nr. 7. Nëse ata e gjenerojnë në e-albania, babai e gjeneron familjen në njësinë nr. 10 dhe mamaja në njësinë nr. 7. Kjo është paligjshmëri totale e sistemit që na çon përtej zgjedhjeve. Ne, me këtë regjistër, morëm liberalizimin e vizave.

Ndërkohë, sa i përket identifikimit biometrik, tashmë që janë paraqitur edhe kostot, sa mund të kushtojë, a shtohen garancitë që projekti mund të jetë i zbatueshëm plotësisht në zgjedhjet e 2021?

Interesi i paraqitur nga mbi 6 operatorë ndërkombëtarë që operojnë në fushën e zgjedhjeve dhe dërgimi i ofertave konkrete ekonomike, tregon faktin se ky projekt është totalisht i arritshëm për zgjedhjet e 25 prillit 2021. Tashmë duhet të procedohet pa humbur kohë me alokimin e buxhetit nga qeveria dhe me procedimin e procedurave të prokurimit për lidhjen e kontratës sa më parë dhe zgjedhësit të identifikohen votuesit pa ekuivok. Të pamundësohet tentativa për të votuar në emër të zgjedhësve të tjerë dhe të hiqet nga procesi i votimit kjo gangrenë e vjetër. Tashmë, nga një firmë në letër, zgjedhësi do të firmosë me gishtin e tij, do firmosë me të dhënë biometrike dhe do të garantojë se ai zgjedhës ndodhej atje në atë qendër votimi ku ishte i supozuar se duhet të votonte.

Që qeveria të nisë procedurën për alokimin e fondit, duhet më parë KQZ që të çojë faturën konkrete për faturën e identifikimit biometrik. A duhet të procedojë edhe KQZ pak më shpejt?

Pavarësisht faktit nëse është dërguar një shkresë, dihet botërisht, e di gjithkush në Shqipëri, e di edhe qeveria se cilat janë kostot e përafërta, e ka ditur edhe më parë, kështu që nuk e besoj që në momentin që dërgohet shkresa të ketë më shumë, të dojë më shumë kohë për të alokuar fondin nga qeveria. Ndoshta për të dyja projektet, si për atë të identifikimit biometrik, por edhe të projektit pilot të votimit dhe numërimit elektronik, KQZ do të shkojë me një faturë të përbashkët, besoj këto ditë, dhe ajo që pritet është që të miratohet menjëherë fondi dhe procedura të vazhdoj më tej. Por, ajo që ishte më e rëndësishme është që interes kishte, operatorët ofrojnë zgjidhje dhe marrin përsipër afatet kohore që projekti të aplikohet për zgjedhjet e 25 prillit. Kjo do të mundësonte që projekti të implementohet në kohë nëse nuk ka vonesa të qëllimshme. Të arrihet objektivi i dakordësuar nga palët në marrëveshjen e 5 qershorit që zgjedhësit shqiptarë të identifikohen përmes të dhënave të tyre biometrike. Komisionerët të jenë të qetë se fotografia e zgjedhësve do të jetë ajo e fotos që është bërë në momentin që është bërë mjeti i identifikimit biometrik të zgjedhësit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat