‘Të garantojmë një shërbim efikas për të sëmurët’/ Spitali Covid 4 pret pacientët e parë, ka 100 shtretër

Shqipëria

‘Të garantojmë një shërbim efikas për të sëmurët’/ Spitali Covid 4 pret pacientët e parë, ka 100 shtretër

Më: 2 dhjetor 2020 Në ora: 10:31
Pamje nga video

Spitali Covid 4 ka pritur pacientët të parë të cilët marrin trajtim për koronavirusin.

Personeli mjekësor u shpreh se hapja e spitalit Covid4 është një lehtësim për mjekët si edhe një shpresë, për të gjithë pacientët që janë të infektuar.

“Pacientët të cilët janë janë të destinuar për Covid4 janë kryesisht pacientë që vijnë nga spitali Covid1 dhe Covid3. Pacientë të cilët janë në kushte më të përmirësuara nga ana klinike, por që kërkojnë një periudhë akoma monitorimi dhe ndjekjeje për proçesin e tyre të rehabilitimit.

Aktualisht stafi mjekësor i përbërë nga mjekët, infermierët, laborantët, farmacistët është gati. Është një ekip më së miri i trajnuar me eksperiencë dhe nga dy spitalet e tjera Covid1 dhe Covid2, plus staf shtesë”, tha Dr. Esmeralda Meta.

Ndërkohë që qytetarët e parë që u vendosën në këtë spital u shprehën se kushtet për të sëmurët janë të mira.

“Të gjitha dhomat janë të pajisura me oksigjen dhe monitor për të monitoruar ecurinë e pacientit. Nëse do kemi raste të përkeqësimit të situatës së pacientit nga ana klinike kemi dhe shërbimin e reanimacionit që ofron shërbim t specializuar”, tha një tjetër mjeke.

Spitali Covid4 u përgatit nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe u hap sipas strategjisë së përcaktuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve pas ezaurimit të 3 spitaleve të tjera Covid.

Ky spital ka një kapacitet prej 100 shtretërish, dhe është i pajisur me të gjitha mjetet dhe aparaturat jetëshpëtuese dhe linjat e oksigjenit në secilën dhomë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat