Shqipëria jashtë BE, Elezi: Një konsensus midis palëve do të ndihmonte në procesin e integrimit

Shqipëria

Shqipëria jashtë BE, Elezi: Një konsensus midis palëve do të ndihmonte në procesin e integrimit

Më: 7 dhjetor 2020 Në ora: 20:45
Gentian Elezi

BE vendosi që  të mos ketë negociata këtë vit, për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

Eksperti për Çështjet e Integrimit, Gentian Elezi në ABC  deklaroi se vendimi nga Bashkimi Evropian nuk ishte befasues.

Një vendim i pritshëm, u shpreh Elezi teksa shtoi se  në një situatë të tillë përgjegjësia kryesore i kalon partisë në pushtet, qeverisë, por nuk la pa sqaruar se ka  reforma që kërkojnë konsensus të të dyja palëve.

Elezi shtoi se një konsensus i mirëfilltë midis palëve do ta ndihmonte këtë proces dhe se integrimi sipas tij do të duhet të lihej jashtë çdo debati politik

“Nga informacionet e fundit që kemi, besoj që ishte e pritshme. Sot u bë një takim i përfaqësuesve të përhershëm. Nuk ranë dakord dhe ky proces shtyhet dhe kjo na e vështirëson edhe më shumë sepse jemi edhe para zgjedhjeve. Deri diku vendimi ishte i pritshëm”, tha Elezi.

Gjatë intervistës ai theksoi se fillimisht duhet parë brenda vendit, pra duhen plotësuar kriteret dhe në këtë mënyrë, në momentin që arrihet edhe standardi vendit i lind e drejta të kërkojë avancimin e procesit të integrimit.

“Nga njëra anë ka të bëjë me kushtet dhe kriteret për vetë vendet që edhe sikur t’i përmbushnim nuk ishte e mirëqenë që do të avanconim. Është vështirë të bëjmë parashikime, por nuk pres ndryshim radikal të vendimit. Duhet parë gjithmonë brenda vendit dhe kushtet që duhen plotësuar. Vetëm në momentin që kemi arritur standardin që kërkojmë kemi të drejtën të kërkojmë avancimin e procesit”, u shpreh ai.

Ai gjithashtu theksoi se politika ka përdorur popullaritetin që ka ky proces në qytetarët shqiptare dhe këtë agjendë e ka përdorur në çdo hap.

“Gjithmonë përgjegjësinë kryesore e ka qeveria, pastaj ka raste dhe reforma që kërkojnë konsensus të të dyja palëve. Por kemi vënë re që faji është kaluar sa tek njëri tek tjetri. Një konsensus i mirëfilltë midis palëve do ta ndihmonte këtë proces. Për vitin që vjen do të ndihmonte shumë nëse agjenda e integrimit do të lihej jashtë çdo debati politik”, tha më tej Elezi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat