Policia në Shqipëri paralajmëron kundër mbajtjes së protestave

Shqipëria

Policia në Shqipëri paralajmëron kundër mbajtjes së protestave

Më: 14 dhjetor 2020 Në ora: 18:48
Tiranë, 11 dhjetor, 2020.

Policia në Shqipëri paralajmëroi të hënën kundër mbajtjes së protestave për vrasjen e një qytetari nga një zyrtar policor.

Në deklaratën e lëshuar për media, policia përmendi “situatën shqetësuese të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit” dhe kërkoi që secili t’i respektojë masat e izolimit, të ndërmarra nga autoritetet shëndetësore.

Këto masa përfshijnë ndalimin e tubimit të më shumë se dhjetë personave në publik, orë policore gjatë natës, veshje të maskave dhe distancë fizike.

Qytetarët e Shqipërisë i kanë sfiduar këto masa dhe kanë protestuar qëkur policia ka vrarë Klodian Rashën, 25 vjeç, në orët e para të së martës së kaluar.

Policia ka thënë se Rasha i ka injoruar thirrjet e zyrtarëve për të ndaluar dhe se ka vrapuar.

Një oficer policie është arrestuar dhe po hetohet.

Deklarata e policisë, e lëshuar të hënën, thotë se autoritetet “nuk do të tolerojnë asnjë tubim që bie ndesh me kufizimet ekzistuese”.

 

Protestat e qytetarëve në disa raste janë shndërruar në dhunë dhe disa protestues janë ndaluar.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kërkuar falje për vrasjen e Rashës, ndërsa ministri i tij i Brendshëm ka dhënë dorëheqje të enjten.

Por, kjo nuk i ka qetësuar protestuesit, të cilët kërkojnë edhe dorëheqjen e shefit të policisë dhe lirimin e atyre që janë arrestuar gjatë përleshjeve me policinë.

Protestat janë përqendruar kryesisht në Tiranë, por ka pasur edhe në qytete të tjera.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat