Rama fton Turqinë dhe Greqinë për bisedime lidhur me krizën në Mesdhe

Shqipëria

Rama fton Turqinë dhe Greqinë për bisedime lidhur me krizën në Mesdhe

Më: 11 janar 2021 Në ora: 15:16
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, ka konfirmuar se Shqipëria e ka ftuar atë në takim së bashku me palën greke.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu ka pranuar ftesën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për të takuar homologun e tij grek, Nikos Dendias në Tiranë, në përpjekje për të biseduar për një zgjidhje të mundshme për Mesdheun Lindor, të cilësuar si një nga krizat më të thella mes dy shteteve në dekadat e fundit.

Cavusoglu deklaroi se kryeministri Rama donte ta sillte atë së bashku me ministrin e Jashtëm grek, Niko Dendias në Tiranë, por Dendias hyri në karantinë gjatë kësaj periudhe.

"Unë jam gati të shkoj në Tiranë me ftesë të Ramës për takimin", shtoi ai.

Lajmin e kanë bërë të ditur mediat turke, ku kanë thënë se ministri i Jashtëm i Turqisë ka biseduar në telefon me kryeministrin Rama, ku edhe ka pranuar ftesën për një organizim joformal të bisedimeve mes dy vendeve të tensionuara.

Përgjigja nga Turqia vjen disa ditë pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në Ankara, ku u prit nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan. Rama më pas vizitoi edhe Greqinë, ku u prit nga krerët e lartë të vendit.

Tensionet në Mesdheun Lindor kishin qenë temë e disa vizitave të Sekretarit amerikan të shtetit, Mike Pompeo, gjatë të cilave ai kishte shprehur shqetësimin e Shteteve të Bashkuara për veprimet e Turqisë dhe u kishte bërë palëve ftesë që të zgjidhin kontestin me rrugë diplomatike.

Turqia dhe Greqia nuk kanë marrëdhënie për delimitimin detar mes tyre dhe Turqia nuk e njeh sovranitetin e Qipros mbi ujërat detare.

Ky është konfirmimi i parë për takim mes dy palëve që nga kur filluan tensionet në korrik të vitit 2020 dhe hera e parë që Shqipëria mund të luajë rol në ndërmjetësimin mes dy shteteve me të cilat ka marrëdhënie të mira diplomatike, për të tejkaluar një krizë me karakter ndërkombëtar.

Tensionet mes Turqisë dhe Greqisë, që dyja shtete anëtare të NATO-s, kishin filluar në verën e vitit të kaluar rreth eksplorimit të gazit natyror në Detin Mesdhe.

E përfshirë në këtë eksplorim është edhe Qipro, vend anëtar i BE-së dhe një sërë shtetesh tjera mesdhetare, të cilat janë pjesë e një përpjekje për të ndërtuar një gazsjellës te ri si burim të mundshëm alternativ për furnizimin e Evropës me gaz natyror dhe zvogëlimin e dominimit të gazit rus në kontinentin evropian.

Kësaj përpjekjeje Turqia iu përgjigj me dërgimin e anijes së saj eksploruese duke përkeqësuar marrëdhëniet me Greqinë dhe Francën, e cila kishte kërkuar nga Bashkimi Evropian sanksione të ashpra ndaj Turqisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat