Manastirliu: Ja kur vijnë dozat e para të Pfizer

Shqipëria

Manastirliu: Ja kur vijnë dozat e para të Pfizer

Më: 16 janar 2021 Në ora: 15:48
Ogerta Manastirliu

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe përfaqësues të Komitetit Teknik të Ekspertëve, në një komunikim me median, kanë bërë të ditur vendimet për masat anitCOVID, bazuar në situatën epidemiologjike në vend.

“Komiteti Teknik i Ekspertëve ka marrë vendim që të vijojnë të mbeten në fuqi masat e kufizimit të lëvizjes së popullatës, që do të vijojë të jetë nga ora 22:00 e mbrëmjes deri në orën 06:00 të mëngjesit. Gjithashtu do të vijojë të mbetet kufizimi për pezullimin e aktivitetit të bareve dhe restoranteve nga ora 22 e mbrëmjes deri në orën 06:00 të mëngjesit. Vendimi tjetër që Komiteti Teknik i Ekspertëve ka marrë, është mbi mësimin në universitete, i cili do të jetë online deri në një urdhër të dytë. Në lidhje më fluturimet me Mbretërinë e Bashkuar, ato mbeten të pezulluara deri në datën 1 Shkurt dhe më pas do të kemi një rivlerësim të këtij vendimi”, tha Manastirliu.

Duke folur për vaksinën antiCOVID, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se deri tani qeveria ka siguruar vaksinën për 800,000 qytetarë, pra 1,6 milion doza, nëpërmjet kontratës së drejtpërdrejtë me Pfizer dhe mekanizmit COVAX.

“Brenda Janarit, sipas kontratës që kemi me Pfizer, mbërrijnë mbi 10 mijë dozat e para të parashikuara, më pas vijojnë sipas kalendarit të përcaktuar. Ndërkohë javën që vjen, presim një njoftim nga COVAX për kohën e mbërritjes së dozave të para. Qeveria shqiptare ka siguruar deri tani vaksinën anticovid për rreth 800 mijë qytetarë (1,6 mln doza) nëpërmjet kontratës së drejtpërdrejtë me kompaninë Pfizer dhe nëpërmjet mekanizmit COVAX, ndërkohë që jemi në negociata të tjera për të patur akoma më shumë sasi të vaksinës”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se do të kemi vaksinim të kombinuar për grupet e riskut, sipas planit kombëtar të vaksinimit antiCOVID.

“Procesi i vaksinimit po vijon normalisht. Deri tani janë vaksinuar 369 personel shëndetësor i spitaleve COVID e epidemiologë dhe do të vijohet me një kalendar të kombinuar më të moshuarit e shtëpive të përkujdesit social dhe më pas vaksinimi për të moshuarit +75 vjeç dhe kështu me të gjitha grupet, siç janë përcaktuar në planin tonë të vaksinimit”, nënvizoi Manasirliu.

E pyetur lidhur me rastin e denoncuar në spitalin COVID2, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh:

“Çdo denoncim me fakte na jep ne mundësinë për të pastruar dhe larguar këta çibanë nga sistemi ynë shëndetësor. Unë inkurajoj çdo qytetar apo gazetar investigues, që të denoncojnë dhe t’i shkojnë deri në fund indicieve më të vogla. I siguroj se do të kenë mbështetjen tonë të pakursyer. Kushdo që abuzon me qytetarët do të marrë dënimin që meriton. Unë kam ngritur një grup pune nga Ministria e Shëndetësisë, që do të kryejë një investigim të plotë dhe verifikim të cdo akuze në Covid-2″, tha Manastirliu.

Gjatë konferencës për mediat, Manastirliu bëri edhe një pasqyrë të situatës epidemiologjike në vend, ku vihet re një rritje e incidencës dy javore. Nga 217 raste/100 mijë banorë, incidenca në datat 2-15 Janar është 260 raste/100 mijë banorë. Është rritur edhe numri I bashkive të prekura, nga 44 në 50 bashki, ku janë identifikuar raste të prekura. Përsa i përket numrave të pacientëve të shtruara në spitalet tona Covid, ka një rritje të qëndrueshme të rasteve.

Drejtuesja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, prof. Silva Bino u shpreh se ka një rritje të të prekurve ndërmjet moshave të reja 15-25 vjeç, duke argumentuar edhe vendimin për të vijuar me universitetet online. Lidhur me variantin e ri të COVID19, Bino tha se nuk është identifikuar asnjë rast i tillë në Shqipëri.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, i bëri apel qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të zbatojnë rregullat e vendosura nga autoritetet shëndetësore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat