3655 ha tokë nën ujë në Shkodër, banorët kërkojnë ushqim për bagëtitë

Shqipëria

3655 ha tokë nën ujë në Shkodër, banorët kërkojnë ushqim për bagëtitë

Më: 9 shkurt 2021 Në ora: 08:20
Shkodër

Zgjerohet harta e përmbytjeve në bashkinë e Shkodrës. Aktualisht nën ujë janë regjistruar 3655 ha tokë.

Hidrometri në Dajç, në Lumin e Shkodrës dhe në lumin Drin tregon se uji ka arritur thuajse në nivele maksimale.

Fshati Obot vijon të jetë i izoluar, pasi niveli i ujit në rrugë ka shkuar në 120 cm dhe nuk mund të kalojnë as mjetet e larta të ushtrisë.

Gazetari Teodor Gjergja raportoi se sot niveli i ujit në këtë fshat ka rënë me 5 cm, por gjithsesi situata është problematike.

Prej disa javësh vazhdon të jetë jashtë funksionit ujësjellësi Oblika 1 dhe rrezikohet përmbytja e ujësjellësit Oblika 2.

Ndërkohë apeli i banorëve në këto zona mbetet e njëjtë, ushqimi për bagëtitë dhe ndihmë për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet.

Sakaq edhe rruga që lidh fshatrat Shirq- Darrgjat është e bllokuar. Në këtë rrugë niveli i ujit shkon në 100-130 cm. 

Bashkia Shkodër vijon të rikërkojë shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, për Njësitë Administrative Ana e Malit dhe Dajç.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat