‘Të fortët’ e Fushë Krujës po hetohen për vrasjen e bujshme në Fier

Shqipëria

‘Të fortët’ e Fushë Krujës po hetohen për vrasjen e bujshme në Fier

Më: 19 shkurt 2021 Në ora: 21:27
Foto ilustrim

Albert Zaja, Elmir Tufa, Elson Xheçuka dhe Silvio Cara janë 4 personat e shpallur në kërkim pasi dyshohet se ekzekutuan mëngjesin e 1 shkurtit Shkëlzen Kastratin.

Albert Zaja, Elmir Tufa rezultojnë se janë me orgjinë nga Fushë Kruja, ndërsa dy të tjerët nga Tirana. Ata u zbuluan pas gjurmëve të ADN-së që u gjetën në makinën që përdorën autorët për t'u larguar nga Fieri drejt Fushë Krujës.

Por pasi realizuan vrasjen, të katërt rezultojnë se janë larguar nga Shqipëria, kjo edhe për faktin se në media dolën informacione për gjetjen e gjurmëve brenda një makine.

Burime nga Policia thanë për “Mapo” se të katër personat e shpallur në kërkim janë vrasës me pagesë. Por nga hetimet, ka rezultuar përfshirja e të “fortëve” të Fushë Krujës dhe Niklës në këtë ngjarje.

Aktualisht po hetohen disa personazhe të njohur të botës së krimit në Nikël, por edhe në Fushë Krujë.

Dyshohet se këta persona janë paguar për të vrarë 42-vjeçarin Shkëlzen Kastrati. Ata kanë pajtuar Albert Zajën, Elmir Tufën, Elson Xhecukën dhe Silvio Carën për të kryer ekzekutimin.

Pavarësisht se janë ende në fazën e hetimeve, të dhënat kanë treguar disa emra që mund të jenë të përfshirë, por ende nuk është vendosur për të kryer ndalimin.

Shkëlzen Kastrati, baba i 4 fëmijëve, u vra në dalje të Fierit, nga persona të maskuar. Ata përdorën armë me silenciator, prandaj policia thotë se pas kësaj ngjarje qëndrojnë dy grupe të rrezikshme kriminale në Fier dhe Fushë Krujë.

Hetuesit nuk përjashtojnë pistën e ngatërrimit të objektivit me vëllain e viktimës, Kelmend Kastrati, ose edhe dhënien e një mesazhi për shkak të disa përplasjeve të së shkuarës në Fier.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat