Pse e shqetëson PS-në fushata e Albin Kurtit në Tiranë

Shqipëria

Pse e shqetëson PS-në fushata e Albin Kurtit në Tiranë

Më: 5 mars 2021 Në ora: 15:44
Albin Kurti

Albin Kurti ka hedhur një hap që nuk ka ndodhur në Shqipëri që prej kohës kur Ibrahim Rugova i ndjerë bënte fushatë në Shqipëri përkrah Sali Berishës. Madje kryeministri i sapovotuar i Kosovës ka shkuar edhe me tej, ai ka zgjedhur të bëjë fushatë elektorale për partinë e tij Vetëvendosje dhe ka deklaruar se do të vijë të hedhë votën në zgjedhjet e 25 prillit. 

Kurti ndërmori një turne tre ditor për të mbështetur tre kandidatët e Vetëvendosjes në Lezhë, Tiranë dhe Gjirokastër. Fillimisht ai përdori pretekstin e përvjetorit të besëlidhjes në Lezhë për të mbështetur atë që e konsideroi si mikun e tij, Iliaz Shehun. Në këtë prelud fushate Vetëvendosja ishte kujdesur ti jepte promovimit një aureolë mbarë kombëtare. Në promovimin e Shehut morën pjesë politikanë shqiptarë nga Maqedonia, Mali i Zi dhe Presheva.

Po e përmasave jo të zakonshme qe edhe ajo që u organizua për shefin e zyrës së vetëvendosjes në Tiranë, Bojken Abazi. Albin Kurti e quajti atë një faktor për të nisur ndryshimin në Shqipëri: “Boikenin e njoh prej më se 15 vitesh dhe bashkëpunoj me të. Ai është i ndershëm e i qëndrueshëm, i arsimuar mirë dhe studioz, i matur dhe i guximshëm. Boikeni as nuk shitet, as nuk blihet. Prandaj, do ta mbështesim Boikenin dhe do ta çojmë në Kuvendin e Shqipërisë, që ta nisim ndryshimin” tha ai gjatë një konference për shtyp në krah të tij.

“Kjo është e treta e vërteta” tha albin Kurti për takimin e tij të radhës me Kreshnik Merxhanin gjatë vizitës që i bëri kandidatit të Gjirokastrës.

Prezantimin e tre kandidatëve të tij Kurti e bëri në kuadrin e një fushate që synonte të kumtonte se Shqipëria ka nevojë për ndryshim, se ajo e ka të domosdoshme të bëhet një vend më demokratik “ku postiet publike i mbajnë ata që duan të shërbejnë dhe jo ata që kërkojnë të sundojnë”. Albin Kurti theksoi në Tiranë se Vetëvendosja do u drejtohet “shqiptarëve të pakënaqur që janë shpresa e ketij vendi”.

Por po të shihet me vëmendje e gjithë fushata tre ditore e kurtit në Tiranë u shoqërua nga një sulm i egër nga të gjitha mediat pranë PS dhe qeverisë. Këtë furi nuk e uli as dreka informale e dy kryeministrave as dhe deklaratat e kryeministrit të sapozgjedhur të Kosovës se ai do ta shpinte më lart bashkëpunimin me homologun e vet në Tiranë.

Po përse ndodhi kjo?

E para për arsye praktike. Duke shpallur se synon elektoratin e pakënaqur, pra edhe ata të cilëve Rama u drejtohet që të mos votojnë këtë herë për inat të tij (video poshte), Albin Kurti duket se synon të njëjtët njerëz të zhgënjyer nga Rama që e duan të majtën por nuk e gjejnë atë tek rilindja.

Dhe nëse PS ka bërë çmos për të krijuar parti të vogla në të djathtë për të fragmentarizuar votën e opozitës, papritmas i sheh të dalë një forcë në të majtë. Dhe kjo e dëmton numerikisht strategjinë e saj.

Por e dyta dhe më thelbësorja është se Vetëvendosja e Kurtit e bën të duket surogato të majtën e Ramës në Tiranë. Ajo nxjerr në ditën e diellit këtë të majtë që flirton me oligarkët, që ka rritur gjatë tet viteve të saj paparazitëm dhe që ka varfëruar më shumë shtresat e varfra. Pra ndonëse ka vetëm tre kandidatë, në këto zgjedhje Vetëvendosja e korrupton në imazh aureolën e PS si parti e shtresave të paprivilegjuara. Prandaj tre ditë e fushatës së Kurtit në Shqipëri, u shoqëruan me aq shumë kritika, mallkime dhe sulme personale nga mediat pro qeveritare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat