Të zgjedhur thuajse dy muaj para votimeve!

Shqipëria

Të zgjedhur thuajse dy muaj para votimeve!

Nga: Jak Simoni Më: 10 mars 2021 Në ora: 17:16
Jak Simoni

Shqiptarët tashmë kanë para syve në çdo media listat e kandidatëve, disa prej të cilëve tashmë  të sigurt, ndonëse ka një muaj e ca nga zgjedhjet, e të tjerë për tu zgjedhur  si  përfaqësues të popullit në Kuvendin e Shqipërisë.

Në pamje të parë duket se votuesit shqiptar kanë më shumë mundësi se herët tjera, sepse parti e nisma të reja kanë paraqitur ofertat e tyre me të rinj e të reja, madje dhe nga Kosova.

Gjithashtu, si rralle ndonjëherë, ka kandidatë nga sektorë të prodhimit dhe të sakrificës deri me jetë, si në rastin e minatorëve që kanë dhe ato një kandidat. 

 Gjithashtu, në këto lista bota e krimit duket se përfaqësohet më pak se herët tjera, të paktën në mënyrë direkte. Por, ndonëse u tentua një reformë zgjedhore, ku votuesit të votonin kandidatin që dëshironin, ajo prodhoi lista më të cilat kryetarët e partive përsëri  emërojnë përfaqësuesit për në Kuvend, të cilët do të vetëquhen si të tillë e do të flasin për katër vjet si të zgjedhur nga populli. Faktikisht përbën një farë kontradiksioni logjik: dhe përfaqësues i zgjedhur dhe i emëruar. 

 Lista, ku në mënyrë paradoksale lihen në fund ose pa vend fare kontribuuesit e vërtetë të partive. Po t’i qëndrojmë  një ndarje dikotomike, që karakterizon mënyrën e të menduarit të njeriut që nga  periudha primitive dhe që është dominuese në shoqërinë tonë, mund të themi se partia kryesore e vetëquajtur e djathtë, në “favor” të koalicioneve me ish parti (madje duke iu lënë vend të sigurt kryetarëve të tyre, në mënyrë që fushatën ta kenë si muaj mjalti), le në fund ose pa vend fare shumë nga kontribuuesit e vërtetë të saj.

Në krahun tjetër të njëjtën gjë bën partia kryesore e vetëquajtur e majtë, e cila le shumë  socialistë të vërtetë që kanë sakrifikuar për të në fund të listave ose pa vend fare në favor të kandidatëve lehtësisht të bindshëm apo të kandidateve që kanë krijuar imazh mediatik në një situatë të jashtëzakonshme; imazh i cili nuk duhej humbur, por duhej shfrytëzuar për interesa imediate  politike! N.q.s. nuk kanë qenë kontribuuese të mëparshme ose socialiste të pazbuluara në këtë parti, këto eksperte, në fushat  e tyre, nuk kanë bërë asgjë më tepër sesa u kanë zënë vendin socialistëve të vërtetë. Me gjithë tentativat që u bënë për ta ndryshuar, sistemi zgjedhor, në vend të zgjedhjes, le vend për emërim të përfaqësuesve të popullit.  Njëkohësisht është dhe sistem i komplikuar. 

 Është mirë që  në të ardhmen, natyrisht jo të afërt,  ekspertet e kësaj fushe  ta bëjnë më të thjeshtë për votuesit, për kandidatët, për partitë dhe për administratën zgjedhore. Të bëjnë një sistem, ku askush mos ta kishte të garantuar, paraprakisht votimeve, vendin në Kuvendin e Shqipërisë, por ta fitonte nga besimi i votuesve të tij; një sistem që të ishte më i thjeshtë për gjithë procesin zgjedhor përfshi numërimin, certifikimin, konstituimin e kuvendit dhe të qeverisë. Shpresoj që kjo që shkruaj mos të jetë tërësisht utopike; megjithëse gjithmonë utopitë ndërtohen mbi një realitet të papranueshëm.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat