Drejtorja e AZHBR: Fermerët mund të përfitojnë deri në 500 mijë lekë mbështetje nga shteti

Shqipëria

Drejtorja e AZHBR: Fermerët mund të përfitojnë deri në 500 mijë lekë mbështetje nga shteti

Më: 24 mars 2021 Në ora: 23:42
Frida Krifca

Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural ka hapur sot thirrjen drejtuar fermerëve për t’u bërë pjesë e Skemës Kombëtare për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural 2021.

Frida Krifca, drejtore e AZHBR thotë se që në ditën e parë janë regjistruar 8 500 aplikime, gjë e cila sipas saj tregon interesin e madh të fermerëve për t’u zhvilluar më tej. Ndërsa një vit më parë pati gjithsej 7 300 aplikime nga ku 5600 përfituan.

“Kemi 8500 aplikime brenda një dite, është një shifër rekord që nuk ka ndodhur më parë dhe kjo tregon se fermerët janë në punë dhe kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetej për të shtuar prodhimin dhe përpunimin”, deklaroi ajo.

Sipas znj. Krifca objektivi i skemës kombëtare mbështetëse është që ta bëjë fermerin më konkurruar brenda dhe jashtë vendit.

Aplikimi është bërë përmes platformës e-Albania me anë të NIP-it dhe vetë deklarimit nga ana e fermerëve ndërsa në total do të ofrohen 850 milionë lekë në masat e drejtpërdrejtë.

Kreu i AZHBR-së tha se minimalisht një fermer që merret me bletë mund të përfitojë 10 mijë lekë ndërsa fermerët e mëdhenj mund të përfitojnë deri në 500 mijë lekë.

“Fermerët duhet të jenë të formalizuar, fermat duhet të jenë funksionale dhe biznesi duhet të prodhojë dhe gjenerojë para pasi nuk është ndihmë për mbijetesë”, deklaroi znj. Krifca.

Skema Kombëtare për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural ofron mbështetje për bletari, mbledhje bimësh mjekësore dhe aromatike, ferma organike, makineri dhe pajisje për përpunim produkti, rikonstruksion të turizmit rural dhe investime në argotizëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat