Arben Skënderi: Ndryshe nga zgjedhjet e tjera, qytetarët tashmë kanë alternativa

Shqipëria

Arben Skënderi: Ndryshe nga zgjedhjet e tjera, qytetarët tashmë kanë alternativa

Më: 13 prill 2021 Në ora: 22:41
Arben Skënderi

Sipas kandidatit për deputet të “Bindjes Demokratike” Arben Skënderi, ndryshe nga vitet e tjera, qytetarët kanë në këto zgjedhje alternativa për të votuar dhe kjo ka shtyrë partitë kryesore të detyrojnë kandidatët për të bërë fushatë për partinë dhe jo për veten e tyre.

Skënderi tha në “Ilva Now” në Euronews Albania se “polarizimi dhe radikalizimi mes palëve politike” ka qenë problemi kryesor që hasin qytetarët të cilët “kërkojnë të votojnë të qetë kandidatët e jo kryetarët”.

“Maskarada e radhës [e partive kryesore] ishte që depersonalizuan kandidatët që ata vetë i përfshinë në lista, me urdhër partiak kërkuan zhdukjen e emrave të kandidatëve nga reklamat personale të fushatës,” – tha Skënderi.

“Radikalizmi i dinamikës së zgjedhjes është e gabuar dhe këtë ata po e masin gjatë rrugës, por njerëzit nuk duan më këtë gjë, ata duan të jenë të qetë dhe të votojnë të qetë,” – u shpreh më tej kandidati i Bindjes Demokratike.

Skënderi u shpreh se target-grupi që ata synojnë në fushatë është ai i njerëzve që duan një qasje normale pa dhunë apo presione politike. Për këtë ai iu drejtua të  ashtuquajturit “elektorat gri” që përgjithësisht është “mosbesues ndaj klasës politike”, se “kësaj here kanë alternativa për të votuar”.

Kandidati i Bindjes Demokratike këmbënguli se qytetarët duan të votojnë për individët dhe jo më partitë, mirëpo nga partitë kryesore po kërkohet të vijohet me “modelin e kryetarit”.

“Njerëzit duan të votojnë personalitete, duan të dinë kujt ia japin votën dhe përse ia japin,” – tha Skënderi duke theksuar se qytetarët duan të çojnë në parlament “njerëz të mendjes”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat