Parkingjet me pagesë në Shëngjin, pushuesit kundër vendimit të Bashkisë

Shqipëria

Parkingjet me pagesë në Shëngjin, pushuesit kundër vendimit të Bashkisë

Më: 17 maj 2021 Në ora: 09:59
Foto ilustrim

Koha e parkimit falas në Shëngjin ka mbaruar. Duke nisur nga ky sezon turistik, parkingjet publike në Shëngjin do të jenë me pagesë.

Vendimi është marrë nga Bashkia e Lezhës, ndërsa çmimi nuk është vendosur ende, por pritet të përcaktohet gjatë kësaj jave, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, i cili pritet t’i hapë rrugë propozimit të Bashkisë.

Në Bashkinë e Lezhës e argumentojnë vendimin me faktin se hapësira publike është një ndër asetet kryesore që Njësia Vendore krijon të ardhura, por thonë se çmimi nuk do të jetë i lartë për të rënduar në xhepat e vizitorëve.

“Sezonin e ri turistik në zonën bregdetare të Shëngjinit, hapësira publike e parkimit këtë vit do të jetë me pagesë. Bashkia e Lezhës po bën një paketë, një studim fizibiliteti, që nuk duhet të vrasë publikun. Hapësira publike është një nga asetet kryesore që Bashkia krijon të ardhura dhe hapësira publike e parkimit në Shëngjin është hapësirë publike, në të cilën Bashkia e Lezhës mund të gjenerojë të ardhura. Është e papranueshme që një hapësirë publike që është maksimalisht e frekuentuar të rrijë e zënë nga një pushues që e mban makinën aty 2 javë pa e lëvizur nga vendi”, thotë Ermal Pacaj, nënkryetar i Bashkisë Lezhë.

Pacaj shton se të ardhurat që do të grumbullohen do të përkthehen në shërbime dhe investime për zonën turistike të Shëngjinit.

“Të gjitha të ardhurat që do të grumbullohen do të përkthehen në shërbime dhe investime në zonën turistike të Shëngjinit nga Rana e Hedhun deri në Kune. Ne po punojmë fort në përmirësimin e shërbimeve në Shëngjin dhe ashtu si dhe vitin e kaluar, ky sezon turistik do të jetë model sa u përket shërbimeve, duke nisur nga pastërtia dhe pjesët e tjera”, shton Pacaj.

Por vendimi i Bashkisë Lezhë për parkingjet me pagesë në Shëngjin nuk është pritur aspak mirë nga pushuesit, të cilët prej fillimit të muajit maj kanë nisur të frekuentojnë këtë zonë turistike. Ata thonë se pagesa për parkimin e automjetit është një kosto shtesë që rëndon mbi xhepat e tyre.

“Unë kam ardhur nga Kosova për të kaluar disa ditë këtu në Shëngjin. Jam një frekuentues i rregullt i këtij bregdeti, pasi më tërheq shumë. Taksë na kanë vendosur në Rrugën e Kombit e tani duan të bëjnë dhe parkingjet me pagesë këtu në Shëngjin, kjo s’më duket aspak normale. Nuk kemi të ardhura t’i përballojmë gjithë këto shpenzime dhe këto taksa ne do të na detyrojnë ta braktisim Shëngjinin”, thotë një pushues nga Kosova.

Sipas të dhënave, në të gjithë Shëngjinin janë rreth 400 parkingje publike dhe përmes vendosjes se pagesës synohet që të shmanget dhe kaosi në lëvizje që krijohet gjatë sezonit turistik.

Ndërkohë, hapja zyrtare e sezonit turistik do të behet brenda muajit maj, ndërsa këtë vit pritshmëritë janë për një sezon të suksesshëm, kjo duke iu referuar edhe prenotimeve të deritanishme. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat