Dështon mbledhja e Këshillit Bashkiak Vlorë/ Bashkia mbyll teatrin “Petro Marko”

Shqipëria

Dështon mbledhja e Këshillit Bashkiak Vlorë/ Bashkia mbyll teatrin “Petro Marko”

Më: 15 qershor 2021 Në ora: 10:40
Dritan Leli

Sot ishte caktuar të mbahej në orën 10:00 mbledhja e Këshillit Bashkiak të Vlorës për t’i kërkuar llogari kryebashkiakut Dritan Leli në lidhje me shqetësimin e komunitetit vlonjat për gjendjen e shërbimeve vendore, situatën e shërbimeve bazike të pastrimit, mirëmbajtjes si dhe trajtimin e ankesave të qytetarëve.

Parapakisht pati një debat mbi mënyrën se si duhej mbajtur mbledhja pasi këshilltarët ngulmonin që të mbahej në sallën e teatrit “Petro Marko”, por Leli e kundërshtonte këtë kërkesë.

Me anë të një postimi në Facebook, kryebashkiaku Dritan Leli tregoi që kishte kërkuar që mbledhja të mbahej online për të respektuar protokollin anti Covid.  “Lidhur me mbledhjen e ditës së sotshme kërkuar nga një grup këshilltarësh bashkiak, më poshtë do të gjeni të gjithë komunikimin zyrtar që kam zhvilluar me Këshillin Bashkiak, për mbledhjen e kërkuar prej tyre për t’u zhvilluar në teatrin Petro Marko. Referuar ligjit për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve, kemi vendosur që mbledhja të zhvillohet online, në aplikacionin Zoom, siç janë zhvilluar të gjitha mbledhjet e deritanishme përgjatë gjithë vitit”, shkroi Leli.

Në orën 10:00, këshilltarët u paraqitën pranë teatrit, por salla ishte e mbyllur nga ana e Bashkisë.

Në fakt, kjo mbledhje ishte e iniciuar politikisht pas përplasjes së kryetarit të bashkisë dhe drejtuesve të mazhorancës pasi nuk pranoi të japë dorëheqjen nga posti dhe refuzoi të kandidonte për deputet në zgjedhjet e 25 prillit.

Përfaqësuesit politik të PS në Vlorë nxitën këshilltarët që këtë mbledhje ta bënin si gjyq në ambientet e teatrit “Petro Marku”, por Leli bëri lëvizjen e shpejtë duke mbyllur teatrin “Petro Marko”. Kujtojmë që edhe Kongresi i PS, u zhvillua në një ambient të hapur dhe jo të mbyllur duke respektuar masat për parandalimin e përhapjes së sëmundjes anti Covid.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat