BSH dhe Shoqata e Bankave, nxitje kreditimit dhe mbështetje rimëkëmbjes ekonomike

Shqipëria

BSH dhe Shoqata e Bankave, nxitje kreditimit dhe mbështetje rimëkëmbjes ekonomike

Më: 29 qershor 2021 Në ora: 16:00
Pamje nga takimi

Intensifikimi i dialogut dhe bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë, Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe bankave tregtare që operojnë në Shqipëri, për çështje të lidhura veçanërisht me zhvillimet në sistemin financiar e bankar gjatë situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, ishte në fokus të takimit që zhvilloi sot Guvernatori i BSH-së me kryetarin e Bordit Drejtues të Shoqatës Shqiptare të Bankave (SHSHB), Bledar Shella dhe Spiro Brumbullin, Sekretar i Përgjithshëm i SHSHB-së.

Guvernatori vlerësoi sektorin bankar në veçanti për reagimin e duhur ndaj goditjes së pandemisë, i cili vijoi pa asnjë ndërprerje aktivitetin, duke financuar bizneset dhe familjet.

Më tej, pjesëmarrësit vlerësuan se sistemi bankar në vend mbetet solid dhe me tregues shumë të mirë të shëndetit financiar, i gatshëm për të dhënë gjithë kontributin e nevojshëm për rimëkëmbjen ekonomike.

Ata diskutuan gjithashtu mbi rritjen e përpjekjeve të koordinuara dhe të ndërveprimit institucional, në kuadër të nxitjes së kreditimit të ekonomisë, përmes identifikimit të investimeve potenciale, me synim rimëkëmbjen e aktivitetit ekonomik të vendit dhe rritjes së kontributit të bankave në të.

Bisedimet u përqendruan edhe te modernizimi i mëtejshëm i sistemit të pagesave, i cili luan një rol mjaft të rëndësishëm si në edukimin dhe përfshirjen financiare të popullsisë, ashtu dhe në rritjen e formalizmit të mëtejshëm të ekonomisë, duke shërbyer njëkohësisht edhe si një masë shtesë në drejtim të parandalimit të pastrimit të parave.

Të dyja palët shprehën angazhimin e plotë për vijimin e bashkëpunimit të ndërsjellët institucional, si dhe, me autoritetet qendrore dhe vendore, në funksion të një sektori bankar sa më të shëndetshëm dhe mbështetës të zhvillimit ekonomik të vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat