Shembet kisha e ‘Shën Thanasit’ në Voskopojë

Shqipëria

Shembet kisha e ‘Shën Thanasit’ në Voskopojë

Më: 19 korrik 2021 Në ora: 14:47
Kisha e ‘Shën Thanasit’ në Voskopojë

Nga reshjet e mëdha që preken juglindjen një ditë më parë, u dëmtua kisha e Shën Thanasit në Voskopojë, e cila është edhe monument kulture.

Gati 30% e çatisë u shemb, ndërkohë pothuajse e gjithë çatia është e amortizuar.

Pas dëmtimit pritet një ndërhyrje e përkohshme nga Drejtoria e Monumenteve të Kulturës, edhe pse kjo nuk është një zgjidhje përfundimtare për të shpëtuar kishën qindra vjeçare.

“E gjithë çatia është e degraduar, janë kalbur gjithë elementët e drurit në brendësi të saj. Ne pavarësisht se kemi kryer ndërhyrje dhe mirëmbajtje të herëpashershme, në vlera shumë të vogla, të papërfillshme financiarisht, thjesht ndërhyrje që e kanë rritur jetëgjatësinë, është bërë e mundur që të shtyhet deri më sot. Për shkak të reshjeve është shembur pjesa veriore e kishës, e cila është në gjendjen SOS”, u shpreh Gjergji Koki, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës.

E në rast se nuk do të ketë një financim të menjëhershëm nga Ministria e Kulturës, rrezikohet që dëmet të jenë të pariparueshme.

“Rrezikojmë që gjithë lagështira dhe në qoftë se do të kemi reshje në ditët në vijim, siç është parashikuar, por dhe një vjeshtë të lagësht, rrezikon që gjithë piktura murale të laget e gjitha dhe të kemi lagështirë, e cila më vonë sjell dëme të pariparueshme, sepse lagështira filloj dhe depërton, dhe vitin e kaluar filluan u shfaqen probleme të shumta në afresk”, shtoi ai.

Kisha e Shën Thanasit në Voskopojë është ndërtuar në vitin 1724 dhe është një nga kishat më të vjetra dhe më me vlerë të këtij fshati turistik, me një ansambël të pasur pikturash murale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat