Përhapje më e lartë e Covid në zonat turistike

Shqipëria

Përhapje më e lartë e Covid në zonat turistike

Më: 20 gusht 2021 Në ora: 18:42
Foto ilustrim

Në muajin Gusht incidenca dy javore është rritur ndjeshëm. Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik thonë se zonat bregdetare kanë numrin më të lartë të infektimeve, në raport kjo edhe me popullsinë që ato kanë.

“Incidenca paraqit rritje pothuajse në të gjitha bashkitë e vendit, por në lidhje me zonat turistike, incidencë më të lartë paraqet Bashkia Sarandë, Lezhë, Kavajë dhe më pak Bashkia Vlorë dhe Durrës”, është shprehur epidemiologu Artan Simaku.

“Rritje të incidencës ka edhe në rrethin e Tiranës krahasuar me numrin e banorëve, por jo rritje të theksuar në krahasim dhe me bashkitë e tjera. Një shpërndarje e rasteve pozitive mbizotëron mosha 45 deri në 65 vjeç, por rritje paraqet edhe grupmosha e re 25-44 vjeç”, është shprehur Simaku.

Sipas epidemiologut Artan Simaku, vala e 4 e Covid-it në Shqipëri nuk do të ketë të njëjtin agresivitet si dimri i shkuar. Kjo për arsye të imunizimit natyror të popullsisë dhe vaksinimit masiv, ku deri më tani është vaksinuar rreth 30 % e popullsisë.

“Në stinën e vjeshtës dhe të dimrit pritet një rritje më e lartë e incidencës, por nuk parashikohet një valë në krahasim me valët që kemi kaluar në vjeshtën dhe në dimrin e kaluar. Parashikohet një situatë më e lehtë epidemiologjike. E rëndësishme është vaksinimi me të dyja dozat sepse vaksinimi me të dyja dozat ofron mbrojtje maksimale. Ka patur prekje dhe të personave të cilët janë vaksinuar, por këto janë një shifër e vogël, e parëndësishme dhe këta persona kanë qenë kryesisht të vaksinuar vetëm me një dozë”, është shprehur epidemiologu.

Numri i të infektuarve aktin në vendin tonë është rritur 81 herë më shumë se sa në muajin Qershor, pasi nga 52 raste aktive që ishte dhe niveli më i ulët tashmë janë rreth 5 mijë raste aktive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat