Flet avokati i Adriatik Llallës

Shqipëria

Flet avokati i Adriatik Llallës

Më: 22 shtator 2021 Në ora: 21:51
Adriatik Llalla

Ka nisur tashmë operacioni i policisë, të cilët kanë hyrë në ambientet e brendshme të shtëpisë së Adriatik Llallës, për të ekzekutuar në këtë mënyrë urdhrin e SPAK: arrestimin e ish kryeprokurorit, i cili u dënua me dy vite burg nga Gjykata e Posaçme të Apelit.

Ai nuk është gjendur në shtëpi dhe policia doli ‘duarbosh’ prej aty. Nuk dihet ende vendndodhja ekzakte e Llallës, ndërsa ky i fundit është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Kujtojmë se, më 9 shator ai është nisur drejt Italisë për t’u kuruar, ndërsa nuk dihet destinacioni i tij final.

Sokol Azizaj, avokat i Llallës, mbrëmjen e sotme deklaroi se ka kohë që nuk ka komunikuar me ish kryeprokurorin. Avokati shton se Gjykata është njoftuar para një muaj për gjendjen shëndetësore të Llallës, që sipas avokatit është një gjendje e rëndë duke mos e cilësuar llojin e sëmundjes.

“Edhe vetë zoti Llalla dhe nëpërmjet meje kemi një muaj që kemi njoftuar gjykatën për gjendjen e rëndë shëndetësore. Arsyeja pse ka qenë një periudhë të gjate kohore në shërbimin mjekësor, dhe së dyti po ritheksoj sa kohë Llalla i ka besuar respektivisht në mbrojtjen e tij ligjore një avokati nuk është i detyruar të vijë në ambientet e gjykimit. Jam indiferent në raport se ku ndodhet i mbrojturi prej meje. Di që kemi paraqitur para gjykatës aktin procedurial të gjendjes shëndetësore. Kam kohë që nuk kam komunikuar me Llallën”, tha avokati.

-Do vazhdoni ta mbroni?

“Padyshim që po. Referuar prokurës së posaçme që ka lëshuar i pandehuri është detyrimi i çdo avokati për ta përfaqësuar në të gjitha hapat ligjorë”, tha avokati.

-Nga se vuan ish kryeprokurori?

“Jam indiferent në raport me atë që bën Llalla. Mendoj që besimi i tij nuk është lëkundur ndaj mbrojtjes ligjore”, tha avokati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat