Progres Raporti i KE-së, vlerësohen masat e AMF-së dhe miratimin e ligjit për sigurimin e detyrueshëm

Shqipëria

Progres Raporti i KE-së, vlerësohen masat e AMF-së dhe miratimin e ligjit për sigurimin e detyrueshëm

Më: 20 tetor 2021 Në ora: 11:46
Foto

Në Progres Raportin për Shqipërinë, Komisioni Evropian ka vlerësuar në veçanti miratimin e ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Në gjetjet e Kapitullit 9-të “Shërbimet Financiare”, raporti nënvizon se “është bërë progres në lidhje me rekomandimet e vitit të kaluar përmes miratimit të ligjit për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Më tej, raporti thekson se ligji i cili hyri në fuqi në korrik 2021 është në përputhje me legjislacionin e BE-së. Dokumenti përmend gjithashtu masat e marra nga Autoriteti për të garantuar stabilitetin financiar të tregjeve në kuadër të pandemisë COVID-19, duke veçuar vendimin e Bordit për pezullimin e shpërndarjes së fitimit të vitit 2020 nga shoqëritë e sigurimit, në formën e dividendit apo në çdo formë tjetër pagesash.

Në lidhje me infrastrukturën e tregut financiar, konstatohet se Bursa Shqiptare e Titujve vijon të operojë vetëm me tregtimin e titujve qeveritarë. Gjithashtu, theksohet se Regjistri Shqiptar i Titujve (ALREG) plotëson infrastrukturën e pastregtimit, përmes klerimit/shlyerjes së titujve joqeveritarë.

Në dokument përmenden në veçanti ligjet e reja të miratuara për tregjet e kapitalit, sipërmarrjet e investimeve kolektive dhe tregjet financiare të bazuara në regjistrat e shpërndarë. Progres Raporti konstaton se në zbatim të ligjit për sipërmarrjet e investimeve kolektive, janë miratuar aktet nënligjore për investimet kolektive, rastet e pezullimit, menaxhimit të rrezikut dhe procedurat e licencimit.

Gjithashtu është miratuar ligji për tregjet e kapitalit, shoqëruar me 5 rregullore në zbatim të tij.

Këto akte përafrojnë pjesërisht kuadrin ligjor të Shqipërisë me Direktivën MiFID II dhe legjislacionin e BE-së për transparencën, manipulimin e tregut, prospektet, mbi shlyerjen dhe depozitarët qendrorë të titujve.

AMF është institucioni që drejton dhe koordinon punën në funksion të plotësimit të rekomandimeve për Kapitullin 9 “Shërbimet Financiare”. Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, z. Ervin Mete, ushtron funksionin e negociatorit për këtë kapitull.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat