PD: Politikat e qeverisë dhe monopolet po falimentojnë 70 % të biznesit të vogël

Shqipëria

PD: Politikat e qeverisë dhe monopolet po falimentojnë 70 % të biznesit të vogël

Më: 7 nëntor 2021 Në ora: 11:53
Foto nga takimi

Deputetë të PD-së zhvilluan sot takime me përfaqësues të biznesit të vogël dhe të mesëm, ku u shprehën se përkrahin kërkesat për shtyrje të fiskalizimit dhe mbështetje financiare nga qeveria.

Ata u shprehën se kjo është e vetmja mënyrë  që kostot e rritura nga fiskalizimi dhe monopolet të mos të çojnë bizneset drejt falimentimit. Në takim ishin përfaqësuesit e PD në Komisionin e Ekonomisë, Sorina Koti, Emilja Koliqi dhe Arbi Agalliu u takuan me përfaqësuesit e Shoqatës së Biznesit të Vogël Albert Nasto dhe Bujar Muço.

Deputetët demokratë theksuan përveç kreditimit, një ndihmë e madhe për biznesin do të ishte shtyrja e fiskalizimit, proces që kushton mesatarisht 1 mijë euro për çdo biznes. “Nuk jemi kundër inovacionit, por është barrë shumë e rëndë dhe proces i ndërlikuar, që i merr kohë biznesit. Ne kërkojmë të shtyhet dhe të shikohet mundësia për një fiskalizim më të thjeshtë dhe me sa më pak kosto”- u shprehën përfaqësuesit e biznesit të vogël.

Ata ia kanë drejtuar këtë kërkesë qeverisë për ta parashikuar në buxhet dhe në paketën fiskale 2022, por deri tani nuk kanë asnjë përgjigje. “Me këtë ritëm, 65-70% e bizneseve do të falimentojnë”- tha Kryetari i shoqatës Albert Nasto, i cili shprehu me shqetësim edhe rritjen e kostove për shkak të monopolizimit të tregut, duke nisur me karburantet.

Përfaqësuesit e PD thanë se kërkesat e arsyeshme të biznesit të vogël për të shpëtuar nga falimentimi janë minimale dhe qeveria duhet ta dëgjojë zërin e biznesit të vogël që mban ekonominë e mijëra familjeve shqiptare. Deputetët e PD në Komisionin e Ekonomisë mbështetën idenë e përfaqësuesve të biznesit të vogël për të protestuar kundër përkeqësimit të gjendjes ekonomike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat