60 ditë-zezat e qeverisë Rama 3

Shqipëria

60 ditë-zezat e qeverisë Rama 3

Më: 11 nëntor 2021 Në ora: 20:10
Edi Rama

A e mbani mend mëngjesin e 17 shtatorit kur Kuvendi votoi qeverinë Rama 3 dhe miratoi programin që Kryeministri premtoi të zbatojë 4 vitet e ardhshme?

40 faqe program i prezantuar si më i bukuri i bërë ndonjëherë, edhe pse i shkruar me një gjuhë militanteske, pa asnjë lloj analize buxhetore, skenarë të të ardhurave dhe shpenzimeve publike, pa plane investimesh të huaja, asgjë. Megjithatë kryeministri premtoi se pas 4 vjetësh do hanim të gjithë me lugë floriri.

Por, si i thonë asaj fjalës, dita e mirë duket që në mëngjes.

Ende të mahnitur nga xhevahiret që nxjerrin nga goja ministrat e këtij kabineti çdo ditë, thamë të ulemi e të shohim me laps e letër si i ka punët kjo qeveri në vigjilje të 60 ditëve. Se mbase e kuptojmë ne gabim e begatia ka mbërritur në Shqipëri, dhe ne se kemi kuptuar akoma.

Për 4 vitet e ardhshme, Rama me të vetët premtoi rritje me 4.5% të PBB, ulje të borxhit nën 60% dhe rritje të të ardhurave me 20%. Këto si më kryesoret dhe që zënë vend seriozisht në ekonominë e një vendi.

Por çfarë ka ndodhur këto dy muaj?

1- Rama prezantoi të parën, Agjencinë për Media dhe Informim. Do të jetë një strukturë e tërë shtetërore, në varësi të kryeministrit që do të kontrollojë çdo germë që do të bëhet publike. E dini si quhet ndryshe kjo? Centralizim dhe kontroll deri në qelizë i çdo informacioni.

Pra, pas shkëlqimit në propagandë,  plani i radhës i qeverisë Rama 3 është terri informativ.

E gëzofshim!

2- Krijimi i Rrjetit të Koordinatorëve Antikorrupsion. Këta do të varen nga Ministri i Drejtësisë, nga Ulsiu pra, dhe do të ketë nga një për çdo institucion buxhetor. Këta koordinatorët e Ulsiut,  përveç pagave të majme do ruajnë administratën nga korrupsioni dhe do të denoncojnë çdo rast të zbuluar. Do ta denoncojnë tek Ulsiu…

Pas bilbilfryrësve erdhën të antikorruptuarit. Se si do ta zbulojnë korrupsionin këta e di Rama me të vetët. Se ka institucione që merren me kontrollet vjetore të çdo veprimi apo mosveprimi të administratës, se ka gjykata, e drejtësi, punë e madhe…

Rama kërkon të ketë kontrollin.

E gëzofshim edhe këtë!

Kur të gjithë ankoheshin për motin e pazakontë të kësaj vjeshte, me sytë nga qielli për një pikë shi, Rama dha lajmin e madh: vitin tjetër ai do të lëshojë dy satelitë në hapësirë për të kontrolluar territorin shqiptar! Po këta nga dolën vallë? Dy satelitë për Shqipërinë e vogël! Lideri suprem duket se nuk është mirë nga mendja. Mos ka filluar të ketë frikë nga UFO-t?

Nga financat akoma askush nuk ka marrë guximin të thotë sa do të jetë fatura financiare e satelitëve, por ekspertët, ata që janë vërtet të fushës kanë parashikuar një shpenzim prej 62 milionë dollarësh.

Ja i gëzofshim edhe satelitët!

Pa i ardhur fundi ëndrrës me satelitë, ministrja e Bujqësisë, njëra që vdes për luleshtrydhe, hodhi në ajër satelitin e vet: Do hapim, tha ajo, Akademinë e Barinjve.  E mori e mira këtë punë, po me barinjtë ç’patën këta? Nëse ka një shtresë të popullsisë që nuk është ankuar asnjëherë janë barinjtë që kullosin bagëtitë maleve.

Për ç’Akademi fliste zonja? Vallë kush do i kulloste bagëtitë deri kur të diplomoheshin barinjtë? Pa u shuar ende boja e meme-ve nëpër rrjetet sociale, ministrja e luleshtrydheve doli të sqarohej: daleni bre, tha ajo se me keqkuptuat, do u rregullojmë stanet barinjve do u çojmë panele diellore. Po panelet për çfarë do i përdorin barinjtë vallë? Kush e di…ndoshta për të ngrohur bagëtitë para se ti mjelin.

I gëzofshim edhe panelet diellore nëpër stane.

A thua mbaroi me kaq? Jo!

Dy ditë më parë Edi Rama u mundua të bënte gallatë në sallën e Parlamentit, por ajo që u votua nuk fshihet dot: do të merren edhe 700 milionë euro borxh. Dhe e dini sa shkon borxhi publik i Shqipërisë? Plot 80.6% e PBB. Sa kishte premtuar ta ulte Rama? Nëse Shqipëria nuk falimenton,  ka thënë që do e ulë…

A mund të quhen këto 60 ditë “të lavdishme” të një qeverie? Me parametrat e propagandës padiskutim që po. Ndërsa me mirëqenien e shqiptarëve 60 ditë-zezat e Rama 3, përkthehen në mjerim.

Tani lini mënjanë propagandën dhe shikoni: papunësia ka arritur kulmin. 600 mijë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria gjatë kësaj qeverisje dhe studimet thonë se të ikurit janë familje, kryesisht të shtresës së mesme që nuk shohin më shpresë në vendin e tyre. Kriza në arsim reflektohet në të tjerë të ikur: studentë dhe niveli i shkollave. Taksa progresive e ketyre 8 vjetëve, sipas ekspertëve ka rritur ndjeshëm pabarazinë në shoqërinë shqiptare ndërsa rritja me 25% e pagës bruto, siç ka premtuar qeveria Rama 3 deri ne fund të mandatit, në fakt është një rritje reale me vetëm 7% pasi sikur të supozojmë një inflacion vjetor 2%, vetëm rritja e çmimeve gërryen pagën reale me 16%. Dhe kjo është përllogaritje e ekspertëve të ekonomisë,  jo e jona.

E meqë jemi të çmimet… bukën e keni vënë re sa i ka shkuar çmimi? Po karburantit? Po gazit?

Do rritet energjia, ka paralajmëruar këtë vjeshtë Edi Rama… ja sa të hyjë dimri tamam, dhe do të bëhet publike sa do i shkojë fatura.

Si tha Rama kur mori pushtetin? Prisni se s’keni parë gjë akoma!

Të drejtë paska pasur!/Pamfleti

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat