Reagime për vrasjen e një të mituri nga një person me precedentë të mëparshëm kriminalë

Shqipëria

Reagime për vrasjen e një të mituri nga një person me precedentë të mëparshëm kriminalë

Më: 17 nëntor 2021 Në ora: 20:13
Fier

Në Shqipëri, vrasja e një fëmije 8 vjeçar në një fshat të Fierit pasditen e të martës shënoi një nga ngjarjet më të rënda kriminale.

Policia arrestoi autorin e vrasjes, Klodian Çalamani, në Grecalli të Fierit, që ishte fqinjë me viktimën e mitur.

Ngjarja solli reagime të forta edhe në radhët e sociologëve, zyrtarëve si dhe veprimtarëve të të drejtave njerëzore.

I arrestuari Klodian Çalamani ishte fqinjë me të miturin 8 vjeçar që i mori jetën pasditen e të martës dhe e groposi prapa shtëpisë.

Autori e pranoi krimin, por mësohet se vite më parë ishte denoncuar për rrëmbimin e një tjetër të mituri dhe njihej si njeri i dhunshëm dhe problematik në komunitet.

Ngjarja shkaktoi reagime nga më të ashprat nga komuniteti, veprimtarët e të drejtave të njeriut, mes të cilëve edhe Altin Hazizaj, që drejton qendrën për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

“Nëse ky person me precedentë të mëparshëm do të kishte qenë nën vëzhgimin e policisë shqiptare, nëse do të ishte nën trajtimin e shërbimeve sociale apo atyre psikologjike, dhe nëse personi do të kishte marrë dënimin e duhur, vrasja e këtij fëmije sot nuk kishte për të ndodhur. Ne kemi një thirrje për të gjithë instituconet shqiptare: pse i tradhtojnë interesat e qytetarëve shqiptarë sa herë bëhet fjalë për një fëmijë, sa herë që bëhet fjalë për mborjtjen e një fëmije” - thotë zoti Hazizaj.

Sociologu Gëzim Tushi ka botuar pak javë më parë një studim me titull “Vrasjet dhe vetëvrasjet e shqiptarëve”.

Ai thotë se vrasja e atij fëmije në Fier nga fqinji i tij është revoltuese dhe dëshmon përsëri krizën e thellë morale ku janë zhytur aktualisht familja, shkolla dhe gjithë shteti shqiptar, të cilët nuk reagojnë në kohën e duhur, sepse nuk studiojnë përshkallëzimin e dhunës në shoqëri për ta parandaluar atë.

“Krimi në shoqërinë shqiptare është një realitet me përmasa të mëdha dhe të jashtëzakonshme, që duhet të shqetësojë jo vetëm shtetin, por edhe organet e parandalimit, edukimit dhe të ndëshkimit. Analiza e rastit të Fierit ka të bëjë me veçoritë individuale psikologjike të atij mostre, i cili duhet të diagnostikohet për shkaqet endemike, psikologjike apo sociale të një krimineli me gjak të ftohtë dhe të përbindshëm. Po ashtu duhen studiur faktorët socialë, që po e sjellin krimin në shoqëri” - thotë zoti Tushi.

Për Edlira Çepanin, drejtuese e rrejtit të grave për barazi në vendimmarrje, ngjarja është edhe më rezoltuese për faktin sepse autori njihej për prirjet kriminale dhe kjo ishte një vrasje e paralajmëruar, ashtu si shumë të tjera.

Institucionet dhe shoqëria nënvlerësojnë aktet e përditshme të dhunës dhe habiten kur ato kulmojnë me vasje në fund, ndonëse autorët i kanë dhënë shenjat me kohë dhe krimet mund të parandalohen.

“Kjo është një vrasje e paralajmëruar, sepse ka të bëjë me një situatë korruptive ku sistemi i drejtësisë nuk e ka bërë punën e vet, ka të bëjë me një neglizhencë, ku nuk bëjnë si duhet detyrën institucionet që paguhen me taksat e shqiptarëve për të siguruar jetën e tyre. Po ashtu kjo ka të bëjë me një shoqëri të tërë, e cila ka normalizuar dhunën. Ne i detyrohemi dhe i kemi kaq shumë borxh fëmijëve të kësaj shoqërie, sepse po i rritim në një mjedis të tillë, ku askush nuk reagon në mënyrën dhe në kohën e duhur për dhunën ndaj tyre dhe ndaj gjithë kategorive të tjera të dobëta e të pambrojtura në shoqëri” – thotë zonja Çepani.

Qendra Alo 116/111 merr përditë përmes telefonave dhjetëra denoncime për akte dhune ndaj fëmijëve në shkolla, familje dhe në komunitet dhe ia përcjell ato autoriteteve shtetërore.

Mirgit Vataj, një nga përfaqësuesit e kësaj qendre dhe veprimtar i drejtave të fëmijëve thotë se kur vrasjet ndodhin, atëherë fjalët janë të pafuqishme dhe kërkohen përgjegjësitë.

Shoqëria kërkon drejtësi nga institucionet, thotë ai, por edhe vet shoqëria nuk i ndihmon institucionet me informacion dhe bashkëpunim në parandalimin e krimeve.

“Askush nuk është i mbrojtur më shumë se tjetri, në qendër apo në periferi. Ne duhet të jemi gjatë gjithë kohës në vëzhgim: të shohim me kë shoqërohen fëmijët, të pyesim si sillen mësuesit me fëmijët, të informohemi për persona të dyshimtë që sillen përreth shkollës, të pyesim për fqinjët që kemi afër shtëpisë, të pyesim policinë për rreziqet në zonën e lagjes tonë. Pra, ne duhet të shfrytëzojmë gjithë rrjetin e informacioneve të sigurisë për të shmangur rreziqet dhe për të parandaluar krime si ai i Fierit, si dhe akte dhune më të vogla në dukje, që shpesh përshkallëzohen” - thotë zoti Vataj.

Kryeministri Ei Rama deklaroi se kapja e shpejtë e autorit duhet të pasohet me ndëshkimin më ekstrem të asaj barabarie tronditëse.

Ndërsa kryetari i PD-së, Lulzim Basha, u shpreh se kjo ngjarje e rëndë kriminale, është një këmbanë alarmi për të gjitha strukturat e shtetit shqiptar, për policinë, drejtësinë, shëndetësinë e kujdesin social.

Krimet dhe keqtrajtimet ndaj të miturve në Shqipëri kanë shënuar rritje vitet e fundit, sipas statistikave zyrtare.

Ato fshihen prapa çdo akti dhune në familje, në komunitet dhe në shkollë, por bëhen të dukshme vetëm kur fëmijët viktimizohen në ekstrem./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat