Letra e 16-vjeçares shqiptare që preku Ursula Von der Leyen

Shqipëria

Letra e 16-vjeçares shqiptare që preku Ursula Von der Leyen

Më: 28 nëntor 2021 Në ora: 15:07
Vajza e falenderon Von der Leyen për rindërtimin e shkollës së saj të shkatërruar nga tërmeti i 26 nëntorit.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen ka postuar në faqen e vet në Instagram një letër të shkruar nga Erjola, një 16-vjeçare nga Kurbini.

Në letrën e shkruar me shkrim dore, vajza e falenderon Von der Leyen për rindërtimin e shkollës së saj të shkatërruar nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Kjo letër më preku. Nuk është vetëm një rrëfim thellësisht personal i përvojës së saj. Është gjithashtu një kujtesë e fuqishme e të mirave që mund të arrijmë si evropianë kur punojmë së bashku. Në këtë rast BE-ja dhe Shqipëria”, shkruan Von der Leyen.

Zyrtarja e lartë e BE risjell në vëmendje angazhimin maksimal të BE 2 vjet më parë, kur Shqipëria u godit nga tërmeti 6,4 i shkallës Rihter që la pas viktima dhe shkatërrim.

“I gjithë Bashkimi Evropian u mobilizua me shpejtësi për një vend që është në zemër të kontinentit tonë dhe që shpresoj dhe jam i bindur se një ditë do të jetë gjithashtu pjesë e Bashkimit tonë. Të njëjtën shpresë shpreh edhe Erjola në letrën e saj. ‘Sot unë, miqtë e mi ndihemi europianë të vërtetë’, shkruan ajo”, lexohet në postimin e Von der Leyen.

Bashkimi Europian dhuroi 115 milionë euro për rindërtimin pas tërmetit, të përqendruara në dy programe “BE për shkollat” dhe “BE për kulturën”, i pari 75 milionë euro, ndërsa i dyti 40 milionë euro.

Në një intervistë për Euronews Albania pak ditë më parë, ambasadori i BE në vendin tonë, Luigi Soreca i cili gjithashtu ka postuar në rrjetet sociale letrën e 16-vjeçares për Von der Leyen, tha se deri tani me donacionet e BE janë ndërtuar 19 shkolla, 22 do të ndërtohen deri në mars 2022 dhe 63 deri nëntorin e ardhshëm.

Gjatë vizitës së saj pak kohë më parë në Shqipëri, presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen përuroi shkollën ‘Korb Muça’ dhe kopshtin ‘Europa’ në Krujë, të rindërtuara me fondet e BE-së.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat