Moti i keq në vend/ Normalizohet situata në disa zona

Shqipëria

Moti i keq në vend/ Normalizohet situata në disa zona

Më: 29 nëntor 2021 Në ora: 22:39
Foto

Ministria e Mbrojtjes njofton se në të gjithë vendin ka patur reshje me intensitet shumë të lartë, të cilat kanë sjellë problematika si; rrëshqitje gurësh, dherash, bllokime rrugësh nga dëbora etj., të cilat janë menaxhuar dhe rikthyer në gjendje normale nga strukturat e emergjencave civile.

Tashmë situata është normalizuar dhe autoritetet përgjegjëse janë në gatishmëri të plotë, për të përballuar situatën dhe për të ndihmuar në zhvendosjen e popullsisë, gjësë së gjallë dhe bazës ushqimore nga zonat më të rrezikuara në zona më të sigurta, në rast se do të jetë e nevojshme.

Në qarkun e Shkodrës firmat kontraktore kanë punuar për të pastruar akset rrugore Tamarë- Qafa e Bërdalecit,ku ka pasur rënie gurësh dhe inerte si dhe aksin Theth- Qafë Thore nga dëbora.

Nën monitorim është situata e krijuar nga fryrja e lumit Erzen, në zonën e Sukthit.

Me vëmendje po ndiqet situata në Dibër, ku policia po drejton kalimin e mjeteve drejt Dibrës dhe Tiranës, në aksin rrugor Dibër- Tiranë pranë tunelit, ku për shkak të rrëshqitjes së 2 mjeteve nga dëbora u bllokua qarkullimi. Aktualisht strukturat e emergjencave civile janë në ndjekje të situatës në qarkun e Elbasanit.

Situata paraqitet e normalizuar në aksin rrugor Librazhd-Zgosht, ku pati rënie të gurëve në rrugë. Aksi rrugor Bajram Curri- Valbonë, në qarkun e Kukësit është i hapur dhe pa probleme. Edhe në Korçë po punohet me borëpastruese  për të mbajtur të hapur aksin rrugor Boboshticë- Dardhë, ku ka pasur reshje dëbore.

Strukturat vendore të emergjencave civile janë në gatishmëri edhe në qarkun e Vlorës, ku ka një ngritje të nivelit të Lumit Vjosa në Urën e Mifolit.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat