VOA: Apeli konfirmon 14 vite burg për Shullazin, 41 vjet për anëtarët e grupit

Shqipëria

VOA: Apeli konfirmon 14 vite burg për Shullazin, 41 vjet për anëtarët e grupit

Më: 3 dhjetor 2021 Në ora: 22:38
Emiljano Shullazi

Në Shqipëri, Gykata e posaçme e Apelit kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dha sot pas një procesi që zgjati dy vjet, dënimin për Emiljano Shullazin dhe katër anëtarë të tjerë të grupit të tij. Gjykata la në fuqi vendimin e dhënë në Shkallë të parë, ku Shullazi u dënua me 14 vjet burg, ndërsa Gilmando Dani, I konsideruar si krahu i djathtë u dënua me 12 viet burgim. Me 10 vite burg secili ishte dënimi i konfirmuar dhe për Indrit Qyqen e Indrit Zelën, dhe 9 vite për Blerim Shullazin. Ndaj tyre rëndojnë akuzat e gjobëvënies dhe krijimit të grupit të strukturuar kriminal.

Procesi gjyqësor ka kaluar një kalvar të vërtetë, me më shumë se 80 seanca, ndërsa shumë gjyqtarë e prokurorë të çështjes janë ndërruar. Seanca e sotme u zhvillua pa praninë e avokatëve të cilët javën e shkuar kishin deklaruar bojkotimin e procesit për shkak të “shkeljes të të drejtave”. Por trupa gjykuese, citoi një interpretim të Gjykatës së Strasburgut sipas së cilës “"kur personit të arrestuar i jepen të gjitha mundësitë për t’u mbrojtur dhe ai refuzon të mbrohet, atëherë gjykimi ndaj tij mund të vijojë edhe pa avokatët mbrojtës".

Shullazi është një nga emrat e njohur të botës së kimit që prej viteve ’90. Ai është arrestuar disa herë, dhe mbi të ka patur një mori dyshimesh si autor së bashku me njerëzit e tij, i krimeve të ndryshme, që nga ato të vrasjes.

Aktualisht ai është nën një tjetër hetim për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese”, lidhur me atentatin në vitin 2005 ndaj Vajdim Lamajt dhe Artan Arsit, në Tiranë.

Për shkak të rrezikshmërisë së tij të lartë, Shullazi, është në grupin e ngushtë të të dënuarve ndaj të cilëve nisi zbatimi i rregjimit 41/bis, ose mbajtja nën izolim, larg çfarëdolloj komunikimi me botën jashtë qelisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat