Bursat/ Rama: S’do financohen më

Shqipëria

Bursat/ Rama: S’do financohen më

Më: 29 janar 2022 Në ora: 10:17
Edi Rama

Kjo qeveri e ka betejë të sajën jo vetëm mbajtjen e trurit dhe të rinjve në vend, por edhe kthimin në Shqipëri të atyre që kanë kontribuuar për t’u shkolluar.

Janë me dhjetëra studentë që shkollohen çdo vit me fondet e shtetit që arrijnë shuma deri në 50 mijë euro, por nuk “kthejnë qokën”. Një prej kushteve të diktuara në vendimin e qeverisë “Për mbështetjen financiare të studentëve të shkëlqyer dhe nëpunësve civilë është të pranojnë të kthehen për të kontribuuar së paku dy vjet në institucionet e administratës buxhetore shtetërore. Ndonëse ka vite që shmanget ky kusht në një përqindje të konsiderueshme përfituesish, si duket, vetëm tani i ka rënë në vesh Kryeministrit, i cili ka vendosur që të mos e lejojë këtë gjë".

Në një takim në Universitetin Bujqësor ku prezantoi projektin e doktoraturave në bashkëpunim me qeverinë gjermane, kreu i qeverisë, Edi Rama, u tregua i prerë teksa i akuzoi ata që shpërdorojnë taksat e shqiptarëve se nuk do të marrin më asnjë lek. “Ne nuk do të vazhdojmë më të financojmë ata që ikin për të mos u kthyer, pavarësisht se firmosin kontratë me shtetin shqiptar, por do të ndryshojmë kahun e këtij fondi dhe modelin që kemi sot këtu para syve, do ta financojmë me të ardhurat tona. Kjo do të thotë, siç kemi sot 30 doktorantë të Universitetit Bujqësor, nesër do të kemi më shumë.

Siç kemi sot vajza dhe djem që shkojnë për t’u bërë doktorë shkencash dhe nesër kthehen këtu për të kontribuar në këtë universitet, atëherë të kemi nesër studentë ekselentë të cilët qëndrojnë këtu sepse kanë pedagogë për të mbështetur dhe pedagogë të një niveli të lartë”, nënvizoi Rama duke folur kështu për një ndryshim të kahjes së financimit, pa cekur asnjë penalizim për “borxhlinjtë” e shtetit shqiptar. Dhe nuk janë pak, por rreth 300 të tillë, sipas kreut të qeverisë, që janë diplomuar në universitetet më ekselente të botës përmes një vendimi që kishte si vizion kthimin e këtyre të rinjve në vend.

“Këta të rinj që kanë marrë diploma në universitetet më të njohura të botës duhet të kenë turp për faktin që kanë marrë një angazhim me vendin e tyre, kanë marrë para nga vendi i tyre, kanë marrë përsipër detyrimin që të kthehen për një periudhë të caktuar, jo për gjithë jetën dhe ta sjellin këtu një pjesë të asaj dije që kanë marrë, ta vënë në funksion të kësaj shoqërie dhe ndërkohë kjo nuk ka ndodhur”.

Në fjalën e tij përpara mësuesve e pedagogëve të Bujqësorit, Kryeministri nuk kurseu batutat për opozitën duke e bërë lidhjen me rektorin, Fatbardh Sallakun, për të cilin thotë se e di për këtë voton. “Është e vërtetë që unë nuk i kam qejf komplimentet, por nga dikush që nuk më ka dhënë asnjëherë votën unë i pranoj. Më vjen shumë mirë që rektorin dhe me stafin drejtues të këtij Universiteti kemi një bashkëpunim të ngushtë, një bashkëpunim shumë intensiv dhe ma ha mendja me dobi të madhe, e cila duket hap pas hapi. Natyrisht në favor të Universitetit, por edhe në mbështetje të një sektori jetik, i cili është në një fazë delikate të jetës së vet për shkak të domosdoshmërisë për sa më shumë dije dhe inovacion dhe të përplasjes së vazhdueshme me mendësinë e së shkuarës, si dhe me inercinë që vijon të jetë një forcë në të kundërt të sensit të natyrshëm të bashkimit dhe të bashkëpunimit për të nxjerrë më të mirën”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat