Djali dhunon prindërit se nuk i dhanë drekën, i thanë ‘ec ha hashash’

Shqipëria

Djali dhunon prindërit se nuk i dhanë drekën, i thanë ‘ec ha hashash’

Më: 16 prill 2022 Në ora: 10:27
Ilustrim

Dy prindër të moshuar që e kishin kallzuar të birin vitin e kaluar për dhunë ndaj tyre, mbërritën sërish në dyert e policisë. Djali i tyre nuk kishte ndryshuar.

Ngjarja nis fill një nga këto ditë…

Kur 28-vjeçari po kthehej në shtëpi, pasi kishte qëndruar gjithë ditën në kafe, prindërit i mbyllën derën dhe vetë u kyçën në kuzhinë. Ishte kohë dreke dhe fëmija i tyre kishte ardhur për t’u ushqyer, por gjeti derën e shtëpisë të mbyllur. Kur kërkoi t’i hapej e ëma i tha: S’ka drekë, ec e ha hashash.

Kaq ka mjaftuar që 28-vjeçari të dalë nga kontrolli, të shkelmojë derën e të kërkojë që ta lejonin të hynte brenda. Por as i ati as e ëma nuk e kanë dëgjuar. Kanë pritur derisa ai ka ikur dhe menjëherë, për herë të dytë, kanë shkuar në polici duke kërkuar që ajo ta hetojë.

Gruaja e moshuar me inicialet A.M i dëshmoi policisë se është nënë e katër fëmijëve, por më i vogli i tyre është tejet problematik ndaj prindërve.

“Ka rreth dhjetë vite që im bir është agresiv, nuk i kontrollon nervat dhe vetëm bërtet. Disa herë ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nesh si prindër. Për këtë gjë djali bëri tetë muaj burg dhe kur doli thamë se ndryshoi.

Shkoi në fillim në Greqi, qëndroi fare pak aty dhe u kthye sërisht duke na bërtitur neve”, ka rrëfyer gruaja. Ajo e më pas edhe i shoqi, tregojnë se ditën e fundit djali u kthye sërisht i nevrikosur. Ndaj ata mbyllën derën e shtëpisë që mos ta lejonin të hynte Bbenda.

“Meqënëse ka një muaj që ai na shan me fjalët më banale dhe na fyen përditë duke na bërtitur neve si prindër mbyllëm derën. Ai erdhi dhe kërkoi t’ia hapnim, tha që ishte drekë dhe pyeti çfarë i kisha gatuar?

Ju përgjigja nga brenda kuzhinës së mbyllur ec e ha hashash. Kaq ju desh dhe u bë si i tërbuar, dëgjonim derën që e qëllonte dhe e godiste dhe na shante”, rrëfen e moshuara. Por ata nuk kanë pranuar dhe nuk ja kanë hapur derën

Policia tha se shoqëroi të riun, i cili ka thënë se nuk i ka rrahur dhe as dhunuar prindërit.

“U nevrikosa mbasi mamaja më tha të haja hashash dhe humba kontrollin. S’ma hapën derën, u ktheva për të ngrënë drekën. Prindërit ishin mbyllur brenda dhe ndaj e godita derën. Por ju premtoj se që nga ky moment unë s’do qëndroj në Shqipëri, por do largohem në Greqi të punoj dhe të shikoj jetën time”, ka thënë djali.

Policia thotë se asnjëri nga të moshuarit nuk kishte shenja dhunë, por një oficer policie është urdhëruar të këqyrë derën për të vlerësuar nëse ka apo jo dëme material.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat