Zjarri në Komisariatin e Kamzës, e pësojnë keq punonjësit e policisë, ja çfarë ka vendosur Gjykata

Shqipëria

Zjarri në Komisariatin e Kamzës, e pësojnë keq punonjësit e policisë, ja çfarë ka vendosur Gjykata

Më: 22 prill 2022 Në ora: 16:24
Pamje nga vendi i ngjarjes

Dy punonjësit e policisë Hajredin Boja dhe Fatmir Isufi, janë lënë në burg nga gjykata e Tiranës me akuzën për shpërdorim detyre lidhur me ngjarjen e ndodhur në datën 26 mars ku u përfshi nga flakët komisariati numër 5 në Kamëz.

Si pasojë e zjarrit humbi jetën i ndaluari Arben Mici i cili ishte autori i vënies së zjarrit të komisariatit. Të plagosur mbetën edhe Dilaver Idrizi një tjetër prej të ndaluarve dhe gjithashtu edhe vetë polici Hajredin Boja.

Njoftimi i Plotë:

Më datë 26.03.2022, në Komisariatin e Policisë Nr.5, Tiranë është krijuar një vatër zjarri në dhomat e sigurisë të të arrestuarve. Gjatë kësaj kohe, në dhomat e sigurisë kanë qënë të shoqëruar shtetasit me iniciale D.I dhe A.M të cilët kanë marrë dëmtime shëndetësore nga asfiksimi i tymit të krijuar.

Shtetasi me iniciale A.M pas marrjes së ndihmës mjekësore si pasojë e asfiksimit ka ndërruar jetë në spital. Referuar interesimit të medias për këtë rast njoftojmë se:

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me vlerësimin e ligjshëm të “Arrestit në flagrancë” dhe caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për personat nën hetim me iniciale H.B dhe F.I, të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i K.Penal.

Me vendimin nr. 744 Akti, datë 29.03.2022 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur:

-Vlerësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim H.B.

-Caktimin si masë sigurimi personal ndaj personit nën hetim H.B, atë të “Arrestit në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.

-Vlerësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim F.I.

-Caktimin si masë sigurimi personal ndaj personit nën hetim F.I, atë të “Arrestit në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga personi nën hetim me iniciale F.I.

Në vijim, Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga Gjyqtare znj. Elbana Lluri, me vendimin nr. 364, datë 21.04.2022 vendosi:

-Miratimin e vendimit nr.744 akti, datë 29.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat