Pasiguria ushqimore si pasojë e luftës/ Xhaçka në Këshillin e Sigurimit: Duhet të veprojmë duke ndaluar konfliktet

Shqipëria

Pasiguria ushqimore si pasojë e luftës/ Xhaçka në Këshillin e Sigurimit: Duhet të veprojmë duke ndaluar konfliktet

Më: 19 maj 2022 Në ora: 19:20
Olta Xhaçka

Lufta në Ukrainë po thellon krizën ushqimore, por ne nuk duhet të lejojmë të shohim njerëz, që vdesin nga uria në shekullin e 21-të, u shpreh ministrja e Jashtme Olta Xhaçka gjatë fjalës së saj në Këshillin e Sigurimit në OKB.

Përmes Rezolutës 2417, Këshilli i Sigurimit ka pranuar se uria dhe konflikti ushqejnë njëra-tjetrën në një rreth vicioz dhe ka deklaruar se kërcënimi i urisë së civilëve si një metodë lufte, mund të përbëjë një krim lufte, kujtoi Xhaçka.

Diplomatja renditi katër pika, që sipas saj duhet ndërmarrë për t’u koordinuar dhe për të penguar pasigurinë ushqimore:

“Së pari, ne duhet të adresojmë shkaqet e krizave ushqimore, humanitare, të zhvillimit, problemet strukturore të kahershme që i bëjnë sistemet ushqimore të cenueshme dhe të rrisim qëndrueshmërinë.

Së dyti, duhet të ketë një reagim të koordinuar multi-sektorial të zhvillimit, iniciativave humanitare dhe paqes në mënyrë, që të zvogëlohet rreziku i konfliktit të ardhshëm.

Së treti, veprimet përmes sistemit të OKB-së dhe institucioneve financiare ndërkombëtare, duhet të çojnë drejt investimeve në sisteme të qëndrueshme ushqimore dhe barazi gjinore. Financimet për sigurinë ushqimore janë një komponent i rëndësishëm.

Së katërti, nevojitet raportim më i mirë dhe në kohë. Këshilli i Sigurimit ka aftësinë unike për të kërkuar dhe siguruar raportim periodik, të dhëna dhe veprim në kohë, për situatat e pasigurisë ushqimore. Në këtë kontekst, Shqipëria mbështet caktimin e një të dërguari të posaçëm të OKB-së ose krijimin e një pike kontakti, për zbatimin e rezolutës 2417”.

Askush nuk duhet të jetë i uritur. Nëse duam t’i japim fund urisë, të garantojmë sigurinë ushqimore, duhet të veprojmë për të parandaluar dhe ndaluar konfliktet, duke zgjedhur paqen dhe zhvillimin, theksoi Xhaçka në fund të fjalës së saj.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat