Sali Berisha dhe Ibsen Elezi po votohen për kryetarin e ri të PD-së

Shqipëria

Sali Berisha dhe Ibsen Elezi po votohen për kryetarin e ri të PD-së

Më: 22 maj 2022 Në ora: 16:48
Foto ilustrim

Mes moskuptimesh ligjore anëtarësia e Partisë Demokratike opozitare po voton për zgjedhjen e kryetarit të ri.

Votimi për kandidatët Sali Berisha dhe Ibsen Elezi filloi në orën 8 të mëngjesit dhe mbyllet në orën 18. Të dhënat e përkohshme tregojnë rreth 15 mijë anëtarë të PD--së pjesëmarrës në këtë votim për kryetarin në mbarë vendin. Procesi zgjedhor organizohet nga Komisioni i Rithemelimit që është njohur me vendim të gjykatës për Kuvendin e 11 dhjetorit 2021. Ndërkohë që Partia Demokratike e njohur ende në regjistrat gjyqësorë e ka dërguar këtë vendim në gjykatën e Apelit dhe ende nuk ka përgjigje. Komisioni i Rithemelimit që u njoh për Kuvendin e 11 dhjetorit zhvilloi një tjetër Kuvend në prill 2022 dhe shtyu zgjedhjen e kryetarit për këtë 22 maj.

Kandidati Ibsen Elezi tha se “dita e së ardhmes nuk është as doktori (Berisha), as unë, por demokracia, ndëshkimi i çdo kujt, thyerja e kodit të pandëshkueshmërisë për këdo që ka prek votën, që ka zhytur rrugët në korrupsion gjatë gjithë këtyre viteve”.

Kurse deputeti Berisha tha që “të marrin pjesë të gjithë në këtë proces historik jo vetëm për PD por dhe Shqipërinë, të votojnë sipas vullnetit të tyre të lirë, të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre për kandidatin që duan” dhe se “është një proces që finalizon triumfin e vullnetit të anëtarëve të kësaj partie me votën e tyre”.

Zoti Berisha u rikthye në veprimtarinë politike aktive me takimet e të njohurës “Foltore” pasi nuk u pajtua me përjashtimin nga grupi i deputetëve në 9 shtator 2021 nga kryetari i dorëhequr Lulzim Basha për shkak të shpalljes “I Padëshiruar ” (“Non Grata”) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës bashkë me familjen e tij.

Deputeti Berisha mori pjesë në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit 2022 me koalicionin e njohur si “Shtëpia e Lirisë” që kaloi nëpërmjet hapësirave ligjore për t’u regjistruar me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Partinë Demokristiane.

Në zgjedhjet për 6 kandidatë për kyetarë të bashkive, “Shtëpia e Lirisë” fitoi më të rëndësishmen, atë të Shkodrës dhe doli e dyta në katër bashki, përkundër Partisë Demokratike të zotit Basha që nuk fitoi asnjë dhe doli vetëm 1 herë e dyta.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat