Thellohet afera e incineratorëve në Shqipëri

Shqipëria

Thellohet afera e incineratorëve në Shqipëri

Më: 6 korrik 2022 Në ora: 00:14
Monika Kryemadhi

Lëvizja Socialiste për Integrim pritet që të dorëzojë në SPAK një shtesë padie për korrupsion të dyshuar në incineratorin e Tiranës.

Përfaqësues të saj po shfaqin në media prej dy ditësh dokumente të ndryshme dhe deklarojnë se kanë siguruar disa qindra fatura false, me të cilat është realizuar evasion fiskal masiv.

Në padinë shtesë që po përgatitet, pritet të bashkangjiten fatura, që sipas LSI, përbëjnë evasion fiskal në afro 189 milionë dollarë.

Afera e incineratorëve në Shqipëri po kthehet në qendër të vëmendjes me dokumentet që po shfaq LSI prej dy ditësh. Sipas drejtuesve të saj, dokumentet provojnë një evazion fiskal deri 189 milionë dollarë me fatura false, të marra nga buxheti i shtetit dhe të përvetësuara nga skema korruptive me pjesëmarrje të zyrtarëve dhe privatëve.

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, deklaroi sot se në kryeqytet nuk ekziston një incinerator, se atje është vetëm një landfill i zakonshëm, ndonëse kryeministri Rama i tha komisionit hetimor parlamentar se në incineratorin e kryeqytetit janë bërë 128 milionë euro investime dhe se tani do të merrnim shërbimin me 29 euro për ton mbetjesh.

Ajo theksoi se ende nuk e ka dorëzuar shtesën e padisë në SPAK, por edhe me dokumentet e depozitura atje më herët autoritetet mund të ndërhyjnë për të frenuar një skemë korruptive të ngritur në incineratorin e kryeqytetit, i cili është një investim që nuk ekziston, sipas saj.

“Fusha e betejës tonë është SPAK-u. Ne jemi në SPAK dhe do të vazhdojmë të gjithë dokumentet në SPAK. Nga ana e tij, SPAK është në momentin që të dëshmojë se është një arbitër i drejtë dhe është fryt i asaj reforme në drejtësi, për të cilën kanë votuar 140 deputetë të Kuvendit” - tha zonja Kryemadhi.

Por, si funksionojnë skemat mashtruese me rimbursimin e TVSH-së dhe investimet false në Shqipëri?

Vëzhguesit e ekonomisë pohojnë se në rastin e shfaqur dy ditët e fundit ka dy lloj abuzimesh: mashtrim me rimbursimet e skemës së TVSH-së si dhe transaksione false, se gjoja janë bërë blerje dhe investime.

Specialistët vërejnë se 24 firmat, që kanë bërë biznes me kompaninë e incineratorit të kryeqytetit, kanë kryer vetëm transaksione, por nuk kishin punonjës të punësuar dhe aktivitet ekonomik, por edhe ndryshonin pronësi dhe status, nga aktive në pasive, për periudha të shkurtra kohe.

Sipas tyre, në këtë mënyrë edhe investimi i pretenduar për incineratoret nuk është kryer, edhe pse paratë janë lëvruar nga buxheti i shtetit.

Ekspertë të ekonomisë pohojnë se skemat e mashtrimit me rimbursimin e TVSH-së janë shumë më të përhapura në bizneset e mëdha të Shqipërisë.

Kjo konfirmohet edhe nga një raport i fundit i FMN-së, në të cilin thuhet se, sektori i ndërtimit, nxjerrjes dhe eksporti i kromit janë fushat kryesore ku po përdoret kjo skemë.

Fillimisht krijohen kompani false, që lëshojnë befas fatura me tvsh në shuma të mëdha, dhe me vonë pezullojnë aktivitetin dhe zhduken nga sistemi elektronik tatimor.

Kompanitë e mëdha deklarojnë se u detyrohen rimbursime tvsh-je këtyre kompanive të vogla, dhe bëjnë kërkesë për rimbursim.

Shenja e parë kur bien në sy këto falsifikime është fakti se kompanitë e reja shfaqen papritur dhe lëshojnë fatura shumë të mëdha, në mënyrë që edhe rimbursimi i tyre 20 për qind të jetë i madh.

Sistemi elektronik i tatimeve mban në bankën e të dhënave të tij gjurmët e këtyre firmave, edhe pse ato zhduken.

Ky sistem ka një numër të madh kriteresh për vlerësimin e riskut, dhe sapo këto shkelen, kompanitë bëhen subjekt i dyshimit, analizës së detajuar, e në disa raste edhe i hetimit tatimor.

Nëse një kompani e panjohur deri dje, pohojnë ekspertët, kryen veprimin e parë me 2 milionë euro, për shembull, sistemi tatimor ka të gjitha mundësitë teknike dhe profesionale për ta gjurmuar, duke filluar me një flamur dyshues mbi të, që ta ndjekë me kujdes.

Sistemi është shumë bashkëkohor dhe shquan shpejt rastet e dyshuara për t’u ndjekur sipas procedurave përkatëse kundër evazionit fiskal, i cili edhe në Shqipëri është vepër penale, theksojnë ata.

Qeveria Rama i ka hedhur poshtë si të pavërteta pretendimet e opozitës për korrupsion 430 milionë euro gjatë ndërtimit të tre incineratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë.

Edhe kur u arrestua ish-ministri i mjedisit Lefter Koka në dhjetor, edhe kur arrestua ish-deputeti Alqi Bllako në mars, kryeministri Rama tha se ata kanë llogari personale me drejtësinë, edhe pse nuk është strehë, as zyrë avokatie e askujt.

Të pandehurit Koka dhe Bllako, të akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre, nuk i kanë pranuar akuzat, duke thënë përmes avokatëve se kanë zbatuar vetëm ligjin dhe presin proces gjyqësor për të shpjeguar saktësinë e veprimeve të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat