Pas tensioneve të ashpra, Parlamenti shqiptar miraton rezolutën kundër raportit të Dick Marty-t për Kosovën

Shqipëria

Pas tensioneve të ashpra, Parlamenti shqiptar miraton rezolutën kundër raportit të Dick Marty-t për Kosovën

Më: 21 korrik 2022 Në ora: 08:05 Përditësuar në ora: 23:31 më 21.07.2022
Kuvendi i Shqipërisë

Parlamenti shqiptar miratoi sot me 125 vota pro rezolutën kundër raportit të Dick Marty-t për Kosovën

Rezoluta e propozuar nga shumica i konsideron të pabaza pretendimet e ngritura në vitin 2011 nga një raport i asamblesë së Këshillit të Europës, sipas të cilit gjatë luftës në Kosovë është kryer trafik organesh njerëzore nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Autoritetet deklaruan se do të kërkojnë nga Këshilli i Evropës rishikimin e rezolutës së vitit 2011 duke qenë se të gjithë hetimet e deritanishme nuk kanë nxjerrë asnjë provë apo fakt të tillë.

Seanca e parlamentit u shoqërua me debate të forta dhe akuza të ndërsjella mes shumicës dhe opozitës për qëndrimet e palëve ndaj zhvillimeve në Kosovë.

Raporti i të dërguarit të Këshillit të Evropës Dikc Marty ishte zanafilla që çoi më pas në ngritjen e një Gjykatë të Posaçme për krime lufte në Kosovë, me seli në Hagë.

Mes akuzave të shumta raporti ngrinte pretendime për përfshirjen e drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në trafik organesh njerëzore, të shtrirë deri në Shqipëri.

Pas 11 vitesh, parlamenti shqiptar, në një rezolutë të posaçme, vlerëson se pretendimet e ngritura, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte e, për rrjedhojë, duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare dhe se vetë aktakuza e ndaj ish presidentit Hashim Thaçi dhe udhëheqësve të tjerë të ish Ushtrisë Çlirimtare, ishte një provë se asgjë e tillë nuk ka ndodhur.

Rezoluta kërkon që Këshilli i Evropës të rishikojë aktin e miratuar prej tij në 2011, dhe kryeministri Edi Rama tha se këtë Shqipëria do ta kërkojë me ngulm në Strasburg.

Të dyja palët akuzuan njëra tjetrën se e kanë përdorur Kosovën për lojërat të politikës së brendshme. Akuzat e shumta sollën dhe momente tensioni në sallë, mes tij dhe ish kryeministrit Sali Berisha.

Berisha: Rama qëndrim çnjerëzor në lidhje me mosdënimin e gjenocidit serb në Kosovë

Sali Berisha deklaroi nga foltorja e parlamentit se e konsideron Dick Martyn si një mashtrues ordiner dhe një qëndrim të tillë e ka mbajtur dhe në vitin 2011 në sallën e Organizatës së Kombesve të Bashkuara.

Berisha: Së pari dua të dënoj me forcën më të madhe qëndrimin antishqiptar të kësaj pseudomazhorance, të ngritur mbi votat e vjedhura dhe krimit, qëndrimin e saj ndaj rezolutës për dëmnimin e genocidit serb në Kosovë. Ky është një qëndrim prej Vasali, një shkelmimi i gjakut që ranë për lirinë kombëtare, është një shkelmim mbi jetën e 1600 fëmijëve që u vranë në një fushatë infancidale.

Një argat pa moral, pa dinjitet, pa asgjë nuk stepet para gjakut të tyre dhe e mohon. Infanticidi është një nga format më të këqija të genocidit. Është antikombëtar dhe çnjerëzor ky akt. Me asnjë lloj shpërfytyrimi dhe rrugaçërie që kreu juaj bën këtu për të mbuluar këtë qëndrim çnjerëzor, të

Do rikthehem pak tek çështja e DickMartyt një mashtrues ordiner. Del këtu dhe kërkon të bëhet patriot me këtë rezolutë. Sali Berisha në vitin 2011 në sallën e OKB ka denoncuar raportin e Dick Martyt si ato që shkruhen në raport janë shpifje, ato që lexova te raporti i Karla Del Pontes më kujtojnë Agatha Kristin, për të s’fumuar vendimin për pavarësinë e Kosovës.

Rama ashpërson tonet me opozitën, flet për bluarje kockash të viktimave në Kosovë! Ndërpritet seanca për të larguar fëmijët

Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar tonet me opozitën në parlament duke i akuzuar ata se duan të zhvarrosin kockat dhe bëjnë garë me njëri tjetrin sa herë kanë një problem.

“Historia kur mendon se e ke lënë pas të vjen përpara. Njëherë nuk kalon dot oqeanin. Pastaj nuk kalon dot kanalin e Gjibraltarit. Vota pro e PD për një raport që ka çuar në Hagë jo disa persona. Këta burrat që vijnë këtu dhe tregojnë lepujt dhe macet nëpër carqe, nuk ia përmendin dot emrin Hashim Thaçit. E kanë kthyer në tradhtar sepse paska dashur t’iu ndajë këtyre Kosovën.

Këta trimat që i gjuajmë me gurë njëri tjetrit. Kjo nuk është një rezolutë e zakonshme. Është fillimi i një rruge që do shkojë në Strasburg. Synon të lëvizë ujërat e Europës jo të lëvizë ujërat e ndenjur të Kënetës së Shqupit. Këta kujtojnë se kanë atdhe. Kur marrin mikrofonat tjetërsohen se thonë kështu e ka politika. Ngulja thikën kujt të mundesh. Po e hëngri dhe vendi yt nuk ka problem.

Kështu i ka mësuar baca nga i cili kujtojnë se janë shkëputur. Tani i ka ndarë Amerika. Janë disa që nuk pyesin për Amerikën. Janë disa të tjerë që kanë frikë mos i ndodh ndonjë gjë Amerikës dhe po e mbështesin. Sa herë kanë këta një problem me vrap të zhvarrosin kockat. Dhe pastaj hyjnë në garë kush bluan më shumë kocka. Barbarë komplet. Barbarë firmato të gjithë. I kujtohet Kosova këtyre. Kështu është historia e këtyre rezolutave. Nëse ata janë fëmijë ne kemi detyrën të respektojmë ata”, tha Rama.

Rama: Kush heq Thaçin nga historia e UÇK-së, ia ngul një thikë në fyt popullit të Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i është kundërpërgjigjur sërish deputetëve të Partisë Demokratike lidhur me raportin e Dick Martyt. Fjalët e Ramës sërish ishin të ashpra.

Ai tha se varret masive dhe gjaku e nderi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë meny, ku i fut hundët Sali Berisha duke iu referuar edhe si ‘gjenerali i ushtrisë së vdekur’.

“Varret masive dhe gjaku dhe nderi i UÇK-së nuk janë menu ku fut hundër gjenerali i juaj i ushtrisë së vdekur, që do të mbledhë këtu të tëra kockat e ballkanit për ti bluar, me demek në emër të kombit dhe dinjitetit kombëtar. Një i padëshiruar me cerifikatë dhe me certifikatë të vulosur nga SHBA-të me vulë dhe me firmë. Dhe oqeani iku, tani ikën Gjilbratarit, kanali i Lamanshit, mbyllet kontinenti. Si mund ta katandisni ju gjithë atë lëvizje demokratike, gjithë atë histori në thesin me kocka të një të vdekuri që sillet si i gjallë e vjen vërdallë, dhe kjo ka shumë rëndësi sepse Kosova, sepse UÇK sepse gjaku i të gjitha viktimave dhe i heronjve e dëshmorëve të Kosovës përdoret për atë thes. Ska lidhje fare se nga doli kjo kujtesë, kur ne duhet të merremi me raportin e Dick Martyt, që është një raport që është firmosur pasi është votuar në Këshillin e Evropës, në Asamblenë e Përgjithshme. Ne duhet t’i themi asamblesë së përgjithshme ‘rrëzohet ky raport tani’, jo pse themi ne, por sepse e treguan të gjitha hetimet që ky raport është i pabazë”, u shpreh Rama.

Ai poashtu foli edhe për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi që po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë. Rama tha se kushdo që e largon Thaçin nga historia e UÇK-së ‘i ngul një thikë në fyt’ Kosovës dhe popullit të saj.

“Kush heq Hashim Thaçin nga historia e asaj lëvizje thjeshte dhe vetëm i ngul një thikë në fyt Kosovës dhe i ngul një thikë mu në fyt popullit të Kosovës dhe shkel mbi gjakun dhe pështyn mbi kockat e gjithë heronjve dhe dëshmorëve të UÇK-së. Nuk i takon njeriu këtu të hapi gojën për Hashim Thacin, aq më tepër sot, nuk jeni duke  e kritikuar presidentin e Kosovës, jemi duke folur për një gjyq ku është ngritur një akuzë që shkon përtej personit. Sa për drejtësinë që ju e keni merak, drejtësia ka qenë shqetësim i juaj, kredo e juaj, lufta e juaj, prandaj përfunduat që udhëheqësin e juaj e keni nongrata, sepse jeni marrë me drejtësinë”, tha Rama.

Ai kërkoi nga deputetët “që e duan Kosovën” që t’i thërrasin mendjes.

“Këtu është çështja si përfshihet Kosova në mekanizmat e sigurisë së NATO-s dhe Partneriteti për Paqe është një mekanizëm. Mos harroni që disa vende anëtare në NATO nuk e njohin Kosovën akoma dhe ju që e doni kaq shumë Kosovën thirrni mendjes, o njerëz, thirrni mendjes, mos e përdorni këtë këtu, nuk është ky parlamenti i Shqipërisë që të ndizen zjarr që të fërkoni duart duke marrë nëpër gojë kosovën, duke bërë si patriotë”, deklaroi Rama.

Rama tha se  “Adem Jashari, Hashim Thaci dhe gjithë të tjerët, duke nisur nga Ibrahim Rugova fillimisht, krijuan premisat, por pa ata, të cilëve ua tregoni Sorrosin e gomarllëqe më të mëdha që mund të pjelli mendja e një bajraku të izoluar, nuk bëhej Kosova”.

Kryeministri i Shqipërisë vazhdoi me fjalët e rënda ndaj PD-së, duke iu thënë se ata ‘luftojnë me gjakun, viktimat, heronjt e të tjerëve”.

“Ju jeni nga ata që luftoni me gjakun e të tjerëve, e keni treguar me këtë, ju jeni nga ata që luftoni me viktimat e të tjerëve, ju jeni ata që luftoni me dëshmorët e të tjerëve, ju jeni ata që luftoni me heronjt e të tjerëve, ju jeni ata që kujtoni se luftoni duke vënë lule te monumenti i Adem Jasharit, duke i ngulur thikën Hashim Thacit sa herë iu ka dhënë mundësia, çfarë luftëtare jeni ju, cfarë lufte keni bërë ju? E gjithë lufta juaj ka përfunduar me një lule në ballë të padëshirueshëm”, u shpreh Rama.

Gjatë kohës që Rama po replikonte, ish-kryeministri Sali Berisha qëndronte ulur dhe nganjëherë i përgjigjej Ramës, por nuk dëgjohej.

Grida Duma i kthehet keq kryeministrit Rama: Ti e përdor shpesh gojën për jashtëqitje, kush ka aparatin tretës në tru…

Deputetja demokrate Grida Duma ka replikuar me kryeministrin Edi Rama pas fjalëve të përdorura prej tij në drejtim të opozitës.

Duma u shpreh se kush ka aparatin tretës në tru mund të përdorë edhe gojën për jashtëqitje duke iu drejtuar kryeministrit se ai e bën shpesh këtë gjë.

“Erdhët këtu dhe bëtë lajm. Me foltore dhe …. Habitu pak, për çfarë erdhe për të bërë këtë lajmin. Sa mirë që më ka bërë zoti grua. Nuk do ishte shumë e fisme t’i përgjigjesha këtij. Ti je aktori më i madh këtu.

Nuk më pengon formimi të them që kush e ka aparatin tretës në tru mund të përdorë edhe gojën për jashtëqitje. Dhe ti e bën shpesh këtë. Ti thua do ta votojnë ne si Çeço këtë rezolutë. Memoria e shkurtër ju funksionon. Ju e votuat si Çeço Srebrenicën pasi dikush iua nxori kartonin e kuq për Srebrenicës. Nuk bëjmë ne thikë pas shpine”, tha Duma.

“Pse ia dhe minutat e tua Berishës?”/ Plas keq debati mes Alibeajt dhe Alizotit pas kuintave në Kuvend

Debatet mes deputetëve gjatë seancës së sotme në Kuvend nuk kanë qenë vetëm mes kampeve kundërshtare, por edhe brenda opozitës. Ndërkohë që kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla nuk i dha fjalën Berishës për t’iu përgjigjur akuzave të Ramës, ishte Tomor Alizoti ai që sakrifikoi minutat e tij ish-kryeministrit.

Mirëpo sikurse u vu re në Kuvend kjo nuk i ka pëlqyer Alibeajt duke bërë që t’i kërkonte llogari Alizotit për veprimin.

Ata kanë shkëmbyer disa sekonda fjalë me njëri-tjetrin, ku siç duket nga videoja raporti duket i tensionuar.

“Shtrëngoi duart me Putinin”/ Berisha akuza Ramës, ja si ndikoi në arrestimin e Thaçit

Pas përplasjes për foltoren, kreu i PD Sali Berisha mori fjalën në Kuvend dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama se është vasal i Aleksandër Vuçciçit.

Berisha: Kur djemtë e Kosovës flijonin jetën dhe derdhin gjakun, parafolësi i dekonfiguruar dhe i shndërruar në pacient të pamjekuar, shiste ikona të vjedhura dhe spiunonte emigrantë.

Sa i përket arrestimit të Hashim Thaçit dua t’ju them sot të vërtetën. Pas kësaj qëndron një trinom. Kremlin, Beograd,Tiranë. Ky e futi Hashim Thaçin në spiralet e ndryshimit të kufijve në Ballkan. I sugjeroi Thaçit të shtrëngonte duart me Putinin.

Edi Rama pra, futi udhëheqjen politke të Kosovës në një spiral që ndikoi në arrestimin e tyre. Do diskutoj më vonë për të vërtetat  e raportit të Dick Marty, të hetimeve. Por ky që do të bëhet tani patriot. Ndërmori fushatën e asgjësimit të Gjykatës Ndërkombëtare. Po përpiqeshinn të fshihnin fajësitë që nuk ekzistonin.

Është thjehst një vassal i Vuçiçit. E di që në çdo samit është i damkosur si argat i tij, jo për Kosovën, por për planet e Vuçiçit, përpiqet në çdo samit t’i bëjë retushin.

Aspekti tjetër është 7 korriku. Kurrë se kemi parë të shpërfytyruar siç doli kësaj here. Qëndrimi ynë është ai që ka qenë gjithmonë.

Berisha i shkon Ramës pranë ulëses së tij: Nuk ke turp o burracak, të ka çmendur.../ Garda rrethon menjëherë ish kryeminsitrin

Një përplasje e fortë ka ndodhur në seancën plenare të ditës së sotme mes kryeministrit Edi Rama dhe ish kryeministrit Sali Berisha. Ky i fundit ka marrë fjalën për t’u përgjigjur ndaj kryeministrit Edi Rama në Kuvend.

Berisha u afrua pranë ulëses së tij duke e cilësuar atë burracak ndërsa tha se ai është çmendur për shkak të protestës së 7 Korrikut ka marrë fjalën për t’u përgjigjur ndaj kryeministrit Edi Rama në Kuvend.

“Nuk ke turp. O i pafytyrë. O Burracak, i paerë, o i panderë. Të ka çmendur 7 Korriku”, tha Berisha duke iu drejtuar Ramës.

Në atë moment pranë Berishës u afruan punonjësit e gardës.

Çfarë tha Rama më herët për Berishën:

Kryeministri Rama e ka quajtur opozitën “një tufë varkash druri” që kur shkon në Kuvend i duket  sikur po përballet me një anije. Teksa i kujtoi “non gratën” ish-kryeministrit Sali Berisha, Rama i paralajmëroi se shumë shpejt do harrojnë edhe Adriatikun (Evropën.)

“Kur ky shiste ikona të vjedhura në Paris, Kosova mbulohej me gjak”/ Tensione në Kuvend, Berisha bllokon foltoren

Kreu i PD-së Sali Berisha ka kërkuar fjalën dhe ka zënë foltoren e Kuvendit për t’iu përgjigjur kryeministrit Edi Rama, por kryetarja e Parlamentit Lindita Nikolla i mbyll mikrofonin.

“Kur ky shiste ikona të vjedhura në Paris, Kosova mbulohej me gjak”, ka deklaruar Berisha duke iu drejtuar Ramës, i cili hodhi akuza të ashpra ndaj tij dhe opozitës.

Ndërkohë, Nikolla i ka kërkuar Berishës të largohet, pasi i kishte thënë fjalën kreut të Partisë Republikane, Fatmir Mediu.

“Kur ky hallaci 2 metra i gjatë shiste ikona të vjedhura në Paris, Kosova mbulohej me gjak. Kosova mbulohej me gjakun e bijve të saj. Kur ky shiste ikona të vjedhura në Paris, mbahej me ikonat e vjedhura, në sarajet e Surrelit ka ikonat e vjedhura. Shkoni pyesni Fatos Nanon. Kur ky dymetroshi është siç është, mund ti them shumë fjalë, por nuk dua, I them vetëm kaq: kur djemtë e Kosovës derdhnin gjak ti shisje ikonat e vjedhura dhe spiunoje emigrantët në Paris. Po, po. Kur Partia Demokratike shpallte moton “një komb një qëndrim” dhe mbështeste UÇK, ti shisje ikona të vjedhura o mjeran. Edhe çdo kurorë po more, përsëri mbetesh një hajdut ordiner që e nise jetën tënde duke shitur ikona të vjedhura”, ka deklaruar Berisha duke iu drejtuar Ramës, i cili hodhi akuza të ashpra ndaj tij dhe opozitës."

Edi Rama: Je i vetmi hajdut i certifikuar.

Lindita Nikolla: Fjalën e ka zoti Mediu.

​Rama ka një mesazh edhe për Prishtinën

Kuvendi i Shqipërisë është duke diskutuar rreth “projektrezolutës mbi pabazueshmërinë e pretendimeve lidhur me trafikimin e organeve në Shqipëri dhe në Kosovë” pretendime të ngritura në raportin e hartuar nga Dick Marty e i propozuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë.Rama ka pasur një përgjigje edhe për zyrtarët në Prishtinë të cilët kërkojnë që Parlamenti i Shqipërisë përmes një rezolute të dënojë gjenocidin serb në Kosovë.

Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama akuzoi Partinë Demokratike të Shqipërisë për “thika pas shpine” ndaj Kosovës, ndërsa iu përgjigj edhe kërkesave që duhet dënuar edhe gjenocidi serb në Kosovë duke thënë se kjo do të ndodhë pas dakordësisë me aleatët ndërkombëtarë dhe jo kur dëshiron “PD dhe ata në Prishtinë”.

Rama tha se sa herë që PD ka patur një krizë e që iu është dashur ta kapërcejnë e kanë futur mes viktimat e Kosovës.

Rama: Për dënimin e gjenocidit në Kosovë duhet dakordësia e aleatëve

“Cilin gjenocid doni ju të aprovojë Parlamenti i Shqipërisë meqë thoni keni frikë. E keni harruar ju? Unë se kam harruar për vete, ne nuk e harrojmë që ai shtet i lirë dhe sovran, demokratik është krijuar nga ata, pa të cilët as ju, as ata në Prishtinë, nuk duhet të bëjnë asnjë hap, asnjë hap. Nëqoftëse ju dhe ata në Prishtinë doni të bëni hapa të tillë, bëjini. Po për sa kohë do të jemi ne që qeverisim këtë vend, ne nuk do të t’i bëjmë. Sepse përpara sa të kuturisemi ne të ndërmarrim një hap të tillë në 2022 për të zgjidhur problemet midis foltores dhe gojores duhet dakordësia e aleatëve tanë, se nuk mund të bëhemi ne si foltorja dhe si gojorja në sy të botës dhe në sy të asaj bashkësie demokratike pa të cilën nuk do të kishte Kosovë fare, as të pavarur, as demokratike, as autonome. Këta jeni ju”, deklaroi Rama para deputetëve.

Rama tha se zanafilla e raportit të Dick Martyt është vota e Partisë Demokratike në Këshillin e Evropës , përkundër votës së Damian Gjiknurit dhe Shpëtim Idrizit kundër këtij raporti.

Rama: PD është thika në shpinën e Kosovës

“Dick Marty ia keni hapur rrugën ju. Po kështu, hajdeni këtu dhe thoni se çfarë mendoni për Hashim Thaçin, është mirë aty ku është në burg? Këto shikoni ju sepse thikat që ju keni ngulur Kosovës nga dita e parë duke e masakruar UÇK si terrorist, e si marksist-leninist, e dreqi me të birin deri në ditën e fundit, duke e ngritur thikën e duke ia ngulur mu në gjoks presidentit të Kosovës, i përkasin historisë, ju as nuk i shlyeni dot, as nuk i zhbëni dot, as nuk i mbuloni dot. Historia do të tregojë se ju patriotet e mëdhenj jeni në fakt thika në shpinën e Kosovës dhe kështu keni qenë gjithmonë dhe kështu do të mbeteni sepse bishti i shtrembër nuk drejtohet”, përfundoi Rama. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat