​Shqipëri: Priten reshje intensive, mund të ketë stuhi e përmbytje

Shqipëria

​Shqipëri: Priten reshje intensive, mund të ketë stuhi e përmbytje

Më: 25 shtator 2022 Në ora: 23:22
Foto ilustrim

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka kërkuar nga autoritetet lokale të ndërmarrin masa dhe të përgatiten për një mot me reshje intensive gjatë javës së ardhshme.

Instituti i Gjeoshkencave dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak parashikojnë se java e fundit e muajit shtator do të karakterizohet nga reshje shiu, të cilat do të jenë me intensitet shumë të lartë në Qarkun e Shkodrës dhe intensive deri në nivelin mesatar në Qarqet Lezhë, Kukës, Dibër, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër, thuhet në njoftim.

Si pasojë e reshjeve, Ministria e Mbrojtjes thotë se mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dheut, ndërsa problematika mund të ketë edhe në zonat urbane, në këto qarqe ku mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara.

Në lumenjtë Drin-Buna, Liqeni i Shkodrës dhe Drini i Lezhës pritet një rritje e prurjeve. Bazuar në këto të dhëna, Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Mbrojtjes Civile u bën thirrje autoriteteve vendore të marrin të gjitha masat e nevojshme duke paralajmëruar veçanërisht popullatën në ato zona, ku parashikohet që kanë rrezik më të lartë për t’u prekur nga stuhia apo përmbytjet.

Agjencia e Mbrojtjes Civile u kërkon strukturave të pushtetit vendor të monitorojnë gjendjen për përballimin e çdo situate të mundshme.

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të jenë në ndjekje të vazhdueshme të situatës dhe në gatishmëri të plotë për të ndihmuar në raste emergjente./A2

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat