Tiranë: Protesta për mbylljen e kolegjit turk nga qeveria

Shqipëria

Tiranë: Protesta për mbylljen e kolegjit turk nga qeveria

Më: 27 shtator 2022 Në ora: 08:27
Shqipëri

Me vendim të qeverisë shqiptare u mbyll kolegji turk, "Turgut Ozal", i financuar nga lëvizja gyleniste. Ministria e Arsimit në Tiranë e ka përligjur mbylljen e kolegjit me mos plotësimin e kritereve ligjore.

Pas më shumë se 25 vitesh funksionimi në Shqipëri, kolegji privat turk "Mehmet Akif Ersoy" është mbyllur në Tiranë me një vendim të qeverisë Rama. Ky kolegj, pjesë e rrjetit „Turgut Ozal" të financuar nga lëvizja gyleniste e klerikut turk, Fethullah Gűlen, është një nga shkollat e para të mesme private të hapura në Shqipëri pas përmbysjes së regjimit komunist dhe ndryshimeve demokratike.

Ministria e Arsimit e ka përligjur mbylljen e kolegjit me "nisjen e vitit të ri shkollor në një vendndodhje dhe mjedise të reja, të pamiratuara paraprakisht nga ministria, gjë që ka sjellë mos plotësimin e kritereve ligjore". Nxënëset e këtij kolegji protestuan të hënën (26.09) para Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë dhe kërkuan rishikimin e vendimit për të bërë të mundur vijimin e vitit shkollor në kolegjin e tyre.

Image
Shqipëri

Kryeministri Edi Rama në një postim në twitter theksoi që protesta duhet të adresohet „kundër pronarëve që shitën godinën e shkollës dhe e zhvendosën aktivitetin e saj në një vend tjetër, pa marrë leje sipas ligjit dhe pa respektuar rregullat e parashikuara nga ligji". Protesta e nxënëseve të kolegjit privat turk" Mehmet Akif Ersoy" u zhvillua pasi hedhjes poshtë nga Gjykata Administrative e Tiranës të kërkesës  për pezullimin e vendimit të mbylljes që drejtuesit e kolegjit e quajnë „të padrejtë dhe motivuar politikisht".

Image
Protesta në Tiranë pas mbylljes së kolegjit turk

Shkelje ligji apo plotësim i kërkesës së Erdogan-it?

Pas grushtit të dështuar të shtetit në Turqi, që ndodhi në vitin 2016, Erdogan vizitoi Shqipërinë dhe i kërkoi autoriteteve të saj të mbyllte kolegjet private të ngritura me fondet e kundërshtarit të tij, Fetullah Gűlen, i shpallur nga autoritetet turke si organizator i atij grushti. Bashkë me mbylljen e kolegjeve u kërkua edhe dorëzimi në Turqi i mësuesve gylenistë. Kjo kërkesë u përsërit në vizitën që zhvilloi Presidenti turk, në Tiranë në fillim të këtij viti në të cilën ai i kushtëzoi marrëdhëniet dypalëshe me goditjen e gylenistëve.

"Fakti që FETO* është ende e aftë të gjejë fushë veprimi në vendin mik dhe vëlla, në Shqipëri, e lëndon thellë popullin turk. Pritshmëria jonë është që në periudhën që kemi përpara të ndërmerren masa më konkrete, vendimtare dhe hapa të shpejtë kundër strukturave të FETO-s në Shqipëri. Çështjen e FETO-s e shohim si parakusht të vëllazërisë, miqësisë dhe partneritetit strategjik”, deklaroi ai.

Image
Erdogan dhe Rama

Opozita reagoi të hënën ndaj mbylljes së kolegjit turk të vajzave duke quajtur atë "plotësim të kërkesës së Erdogan”. Sipas nënkryetarit të "Partia e Lirisë”, Agim Nesho, vendimi për mbylljen e shkollës " është i pabazuar në ligj.” Anëtari i kryesisë së "Grupit të Rithemelimit " të kryesuar nga ish-kryeministri Berisha e quan vendimin e mbylljes së kolegjit turk arbitrar dhe pasojë e presionit të presidentit truk Erdogan ndaj autoriteteve të larta të Shqipërsë./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat