Minimumi jetik në Shqipëri, debat në parlament

Shqipëria

Minimumi jetik në Shqipëri, debat në parlament

Më: 5 dhjetor 2022 Në ora: 18:45
Foto ilustrim

Problemet lidhur me minimumin jetik në Shqipëri, u bënë të enjten objekt debati në parlamentin shqiptar.

Deputetja e Partisë Demokratike Dhurata Çupi i ka drejtuar një sërë pyetjesh ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu. Ministrja Manastirliu tha se vullneti i qeverisë është i palëkundur për mbështetjen e familjeve në nevojë.

"Me skemën e vjetër që jepej ndihma ekonomike ishte 22% përfitueshmëria nga skema, ndërsa sot jemi në nivelet e 82%" tha ministrja. 

Sipa saj politikat e qeverisë socialiste mbeten të fokusuara tek përmirësimi i nivelit të jetesës. " Ne po mbështesim nga kriza aktuale duke forcuar mbrojtën sociale nëpërmjet fondit total. Fondi total do jetë 2 herë më shumë se në 2013. Ne kemi rritur masën e ndihmës ekonomikë për nënat me 2 ose më shumë fëmijë. Këtë vit kemi kryer indeksimin me 7.5% të pagesave për aftësinë e kufizuar. Vullneti ynë është i palëkundur dhe do të rrisim më shumë mbështetjen për familjet në nevojë" tha ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Por për deputeten e opozitës Dhurata Çupi ka 32 vite demokraci dhe ende në Shqipëri nuk është miratuar minimumi jetik. Ajo akuzoi qeverinë Rama se ka marrë 4 miliardë euro borxhe, por që nuk janë përdorur për qytetarët.

"Jo vetëm që nuk e kanë bërë në 32 vite dhe nuk është miratuar minimumi jetik dhe nuk kanë ndërmend që ta bëjnë" tha zonja Çupi. "E keni katandisur Shqipërinë në mjerim. Është e pafalshme që ju 9 vite në qeveri keni marrë borxh 4 mld euro, por nuk i keni përdorur për të rritur minimumin jetik dhe mesa shoh nuk e keni ndërmend. Shqiptarët duhet të kuptojnë se me këtë qeveri jo vetëm minimum jetik nuk do të ketë" tha deputetja e opozitës. "Ju jeni një qeveri e paaftë dhe e korruptuar. Ju nuk keni minimumin e ndjeshmërisë njerëzor. Janë të rinj që as nuk guxojnë të jetojnë një jetë normale. Po i trajtoni njerëzit vetëm si statistika. Vendosni minumimin jetik!" ishin deklaratat e deputetes së opozitës Dhurata Çupi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat