Shkup/ ‘Aleanca për Shqiptarët’ në bisedime për t’iu bashkuar koalicionit qeveritar

Shqipëria

Shkup/ ‘Aleanca për Shqiptarët’ në bisedime për t’iu bashkuar koalicionit qeveritar

Më: 31 janar 2023 Në ora: 19:38
Shkup/ ‘Aleanca për Shqiptarët’ në bisedime për t’iu bashkuar koalicionit qeveritar

Kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski, i cili është edhe kryetar i Lidhjes Social Demokrate priti të martën në zyrat e tij kryetarin e Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari, për të biseduar lidhur me përfshirjen në koalicionin qeveritar të kësaj partie opozitare.

Në takim, sipas zotit Taravari, nuk është diskutuar për ministritë të cilat do t’i drejtonte partia e tij, ndërsa në opinionin publik është bërë e ditur më parë se ai synon Ministrinë e Shëndetësisë, atë të Drejtësisë dhe të Ambientit Jetësor.

Zoti Taravari u tha gazetarëve se partia e tij ka profesionistë të mirë për ta drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa nuk deshi të flasë për ministritë tjera.

Aleanca për Shqiptarët ka tetë deputetë në parlament dhe qëllimi i kryeministrit Kovaçevski për futjen e saj në qeveri është përforcimi i shumicës parlamentare, si dhe përgatitja për arritjen e dy të tretave të domosdoshme për rishikimin e Kushtetutës.

Njohja e pakicës bullgare në Kushtetutë është kushti kryesor për vazhdimin e bisedimeve të Maqedonsë së Veriut me Bashkimin Evropian.

Aktualisht, LSDM, BDI dhe Alternativa kanë 65 ligjvënës nga 120 sa ka parlamenti i vendit. Por, përlasjet brenda BDI-së rrezikojnë, sipas analistëve, distancimin e tre deputetëve nga shumica parlamentare.

Po ashtu, një vështirësi tjetër këtu paraqitet nga partia Alternativa, e cila thotë se nuk e lëshon Ministrinë e Shëndetësisë, teksa u sugjeron partnerëve qeveritarë të heqin dorë nga ministritë e tyre për t’i bërë vend partisë Aleanca për Shqiptarët.

Nga ana tjetër, një parti e vogël, partnere e LSDM-së në qeveri thotë se duhet pasur kujdes që kabineti të mos mbizotërohet nga shqiptarët dhe LSDM-ja të mbetet me më pak poste qeveritare.

Qeveria lëshoi një komunikatë në të cilën thuhet se në takimin Kovaçevski – Taravari theks i veçantë i është kushtuar luftës kundër korrupsionit në kontekstin e proceseve reformuese si dhe procesit të përshtatjes së ligjeve me ato të Bashkimit Evropian.

Arben Taravari tha se palët kanë rënë dakord për shumicën e pikave të programit qeverisës dhe se në ditët në vijim do të diskutohet për drejtimin e ministrive.

Aleanca për Shqiptarët deri para pak javësh kishte raporte të mira me VMRO-DPMNE-në e opozitës maqedonase, me të cilën bashkëpunojnë edhe në nivel lokal.

Megjithatë, retorika në mes zyrtarëve të lartë të dy partive është ashpërsuar së fundmi pasi Aleanca për Shqiptarët shfaqi interes për t’u bërë pjesë e qeverisë.

VMRO-ja e akuzon ASH-në për “interesa të ngushta të zotit Taravari dhe disa njerëzve rreth tij”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat